Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Kosovë zhvilloi një vizitë në familjen e Presidentit të ndjerë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Istog të Pejës.
Ai u prit nga familjarët e Presidentit Rugova, bashkëshortja Fanë, e bija, Teuta, dhe nga i biri, Ukë Rugova, me të cilët zhvilloi një bisedë vëllazërore për familjet, zhvillimet në Prishtinë e Tiranë, si dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Presidenti Begaj kujtoi figurën emblematike të Dr. Rugovës dhe u shpreh se mësimet e tij, urtësia, mençuria dhe vizioni i burrit të rezistencës humane duhet të nderohen dhe ndiqen nga shqiptarët në çdo kohë.
![](https://www.argumentum.al/wp-content/uploads/2024/04/takkk.jpg)
“Çdo shqiptar duhet të vijë këtu, pasi për të gjithë ne Rugova është dhe do të mbetet President”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili e vlerësoi Dr. Rugovën si lider vizionar, udhërrëfyes dhe një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët.
“Kombi shqiptar nuk do të ishte këtu ku ndodhet pa kontributin e jashtëzakonshëm të Ibrahim Rugovës. Ëndrra e kahmotshme e krejt shqiptarëve u realizua”, – vlerësoi Presidenti i Republikës gjatë takimit me familjen Rugova.