Pala kineze është e gatshme të punojë me palën finlandeze, në frymën e hapjes dhe të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, për të zbatuar Planin e Përbashkët të Veprimit midis Kinës dhe Finlandës, për të zgjeruar tregtinë e investimet dhe për të forcuar bashkëpunimin në fusha të tilla si tranzicioni i gjelbër, inovacioni shkencor e teknologjik dhe inteligjenca artificiale (AI), theksoi të dielën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi. Ai shtoi që promovimi i zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët është një politikë e hershme e qeverisë kineze, ndërsa Finlanda ka pika të forta unike në zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i bëri këto komente gjatë bisedimeve me ministren e Jashtme finlandeze Elina Valtonen në Helsinki.
Sipas tij, Finlanda ishte ndër vendet e para perëndimore që vendosi lidhje diplomatike me Kinën e Re dhe vendi i parë perëndimor që nënshkroi një marrëveshje tregtare ndërqeveritare me Kinën.
Gjatë 76 vjetëve të fundit që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, lidhjet kino-finlandeze kanë mbetur në pararojë të marrëdhënieve dypalëshe të Kinës me vendet nordike, duke krijuar një shembull të shkëmbimeve të barabarta midis vendeve me sisteme shoqërore e prejardhje kulturore të ndryshme, tha kryediplomati kinez.
Duke vënë në dukje se krijimi i partneritetit të bashkëpunimit të tipit të ri të orientuar drejt së ardhmes midis Kinës dhe Finlandës në vitin 2017 demonstroi plotësisht natyrën e marrëdhënieve dypalëshe, të orientuara drejt së ardhmes dhe inovative, Wang nënvizoi që, pavarësisht se si evoluon peizazhi ndërkombëtar, Kina është e gatshme për respekt të ndërsjellë dhe për ta trajtuar Finlandën si të barabartë, duke vazhduar të jenë partnere të besueshme për njëra-tjetrën.
Wang tha gjithashtu se pala kineze e vlerëson respektimin nga Finlanda të parimit të një Kine dhe është e gatshme të forcojë shkëmbimet me palën finlandeze në të gjitha nivelet, për të konsoliduar besimin e ndërsjellë dhe për të mbrojtur themelin politik të marrëdhënieve dypalëshe.
Ai shtoi që Kina është e gatshme të zhvillojë dialog me palën evropiane mbi bazën e respektit të ndërsjellë, por theksoi se mekanizmi i konsultimit për tregtinë dhe investimet nuk duhet të përdoret si mjet për presion të njëanshëm, duke shprehur shpresën që Finlanda do të luajë rol aktiv në nxitjen e zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Evropë.
Nga ana e saj, Valtonen theksoi që Finlanda dhe Kina kanë një histori të gjatë shkëmbimesh miqësore.
Finlanda ishte ndër vendet e para perëndimore që e njohu Kinën e Re dhe i është përmbajtur vazhdimisht politikës së një Kine, tha ajo, duke shtuar se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dyja palët gjithmonë e kanë respektuar dhe i kanë besuar njëra-tjetrës.
Valtonen vuri në dukje gjithashtu që Finlanda e vlerëson lart vizionin e presidentit kinez Xi Jinping se “ujërat e kthjellëta dhe malet e gjelbra janë pasuri të paçmueshme” dhe është e gatshme që, në frymën e të ecurit në një hap me kohën dhe të përfitimeve të ndërsjella, ta shfrytëzojë më tej potencialin e bashkëpunimit me Kinën në fushat e zhvillimit të gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni, të tregtisë dhe investimeve, të kujdesit shëndetësor, të ekonomisë digjitale, si edhe të ndryshimeve klimatike.
Ajo vuri në dukje se Kina është një partnere e rëndësishme në trajtimin e sfidave kryesore globale, duke shtuar që pala finlandeze është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me palën kineze në platformat shumëpalëshe, përfshirë Kombet e Bashkuara, dhe mirëpret dialogun konstruktiv midis Evropës e Kinës dhe arritjen e rezultateve thelbësore.
Të dyja palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët./CGTN





























































