Të shtunën, presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij i Bangladeshit Mohammed Shahabuddin Chuppu shkëmbyen mesazhe urimi për 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Xi vuri në dukje se Kina dhe Bangladeshi janë vende fqinje me miqësi tradicionale dhe një histori të lashtë shkëmbimesh. Gjatë një gjysmë shekulli pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, pavarësisht nga ndryshimet e situatës ndërkombëtare dhe rajonale, të dyja palët i kanë zhvilluar marrëdhëniet miqësore ndërmjet tyre në bazë të pesë parimeve të bashkëjetesës paqësore, duke shërbyer si shembull i respektit të ndërsjellë, trajtimit të barabartë dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta midis vendeve. Vitet e fundit, të dyja palët kanë konsoliduar vazhdimisht besimin e ndërsjellë, kanë zgjeruar më tej bashkëpunimin pragmatik për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” e në fusha të tjera dhe kanë thelluar vazhdimisht partneritetin e gjithanshëm strategjik.
“Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-bangladeshase dhe jam i gatshëm që të përpiqem bashkë me presidentin Chuppu, duke u nisur nga rasti i 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, për të thelluar bashkëpunimin me leverdi reciproke dhe për të nxitur zhvillimin e përbashkët, në të mirë të të dy popujve, duke kontribuuar më shumë për paqen e zhvillimin botëror,” theksoi Xi.
Ndërsa Chuppu u shpreh nga ana e tij që, gjatë 50 vjetëve të kaluar, Bangladeshi dhe Kina kanë formuar një miqësi të thellë, në bazë të respektit e besimit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit afatgjatë, duke sjellë të mira konkrete për të dy popujt. Pala bangladeshase e vlerëson lart rolin e rëndësishëm të Kinës për nxitjen e paqes, qëndrueshmërisë dhe lulëzimit të përbashkët të rajonit dhe e falënderon palën kineze për përkrahjen e çmuar ndaj Bangladeshit në kauzën e zhvillimit të vazhdueshëm. Ai shprehu besimin që, me përpjekjet e përbashkëta të liderëve dhe popujve të të dy vendeve, bashkëpunimi dypalësh me siguri do të jetë më frytdhënës.
Po atë ditë, edhe kryeministri i Kinës Li Qiang dhe kryekëshilltari i qeverisë kalimtare të Bangladeshit Muhammad Yunus shkëmbyen mesazhe urimi./CGTN





























































