Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua sot në Kiev me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
“Negociatat kanë filluar”, shkroi Zelenskyy në Telegram.
Sipas medias ukrainase TSN, Zelenskyy ka thënë se Rusia nuk e ka lejuar delegacionin amerikan të mbërrinte me avion, edhe pse aeroportet e Ukrainës ishin të gatshme.
“Fatkeqësisht, rusët kanë treguar përmes sulmeve të tyre se nuk mund të na lejojnë t’i përdorim aeroportet tona, edhe pse ne kemi përgatitur gjithçka dhe aeroportet tona ende funksionojnë sot”, ka thënë ai.
Witkoff dhe Kushner, i cili është dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, mbërritën më herët gjatë ditës në stacionin hekurudhor të Kievit, duke shënuar vizitën e tyre të parë në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë.
Udhëtimi i tyre pasoi një vizitë në Moskë, ku përfaqësuesit amerikanë zhvilluan bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.
Këshilltari i Kremlinit, Yury Ushakov, tha se bisedimet zgjatën tre orë e dhjetë minuta dhe përfshinë luftën në Ukrainë, si dhe projekte të mundshme të mëdha ruso-amerikane.
Ushakov e përshkroi takimin si “përmbajtësor, konstruktiv dhe jashtëzakonisht të sinqertë”.
Moska dhe Kievi zhvilluan për herë të fundit negociata paqeje nën ndërmjetësimin e SHBA-së në fillim të këtij viti, duke mbajtur tri raunde bisedimesh paqeje në janar dhe shkurt.
Negociatat janë pezulluar që atëherë, ndërsa Moska dhe Kievi ia kanë atribuuar ndërprerjen luftës së SHBA-së kundër Iranit, e cila filloi në fund të shkurtit.




















































