Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në shënjimin e 33-vjetorit të Partisë Demokratike, se askush nuk mund ta bëjë pis këtë ngjarje historike, ndërsa shprehu mirënjohjen për themeluesit e saj. “Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta fshijë sakrificën e themeluesve të saj që nga Tirana e deri në skajin më të largët të Shqipërisë”, u shpreh Basha.
“Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta përvetësojë historinë e saj, sepse Partia Demokratike e Shqipërisë, është partia e shoqërisë së lirë shqiptare, është partia e studentëve të Dhjetorit, është partia e ëndrrës së madhe të një kombi të tërë për liri”, tha Basha.
Basha vijoi duke theksuar se çdo gjë që bëjnë si familje politike, është për të mirën e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre.
“Për të gjitha ata kontributorë themelues të saj dhe çdo person që të djathtën shqiptare e ndjen familjen e tij politike, që për arsye të ndryshme në këto vitë nuk janë ndier në shtëpinë tyre, bashkohuni me Partinë Demokratike të Shqipërisë, ejani jepni kontributin tuaj të çmuar, ashtu sikurse e keni dhënë në vitet e para të pluralizmit dhe në këto 33 vite. Partia Demokratike e Shqipërisë është partia e themeluesve të saj, është partia e studentëve të Dhjetorit, është partia e të përndjekurve dhe e pronarëve, është partia e njerëzve të lirë është partia e vlerave euroatlantike është partia e interesit kombëtar të shqiptarëve. Partia Demokratike është familja juaj, ne ju mirëpresim të gjithëve”, tha Basha.
Basha u ndal edhe tek aktualiteti, duke u shprehur se përgjegjës kryesor për gjendjen e vendit është Edi Rama dhe qeveria e tij. “Kjo qeveri nuk prodhon mirëqenie, dije, vende pune dhe siguri! Ajo prodhon vetëm korrupsion, regres, arrogancë, drogë dhe krim. Prandaj sot nga kjo sallë, dua të theksoj edhe një herë mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për SPAK, të përgëzoj hetimet e saj ndaj krimit dhe pushtetarëve të korruptuar”, tha ai.
“Ne jemi këtu, sepse besojmë tek një model ndryshe, besojmë tek demokracia dhe politika normale në shërbim të njerëzve. Prandaj kemi propozuar listat e hapura për zgjedhjet e ardhshme, që iu japin mundësi qytetarëve të zgjedhin vetë kush do t’i përfaqësojë. Prandaj duam t’i japim mundësinë diasporës shqiptare të votojë, si një garanci e madhe për demokracinë shqiptare. Prandaj kemi propozuar në Kuvend vetting-un për politikanët, në mënyrë që të kalojmë në sitë të gjithë ata që do t’ju përfaqësojnë ju”, tha Basha.