“Kjo është demokracia”: Ministria e Jashtme gjermane reagoi pas kritikave nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio mbi klasifikimin e AfD-së si ekstremiste e djathtë nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio e kritikoi si “tirani të maskuar” në Gjermani vendimin që mori Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës duke e klasifikuar AfD-në si parti të konfirmuar ekstremiste të krahut të djathtë. “Gjermania sapo i dha agjencisë së saj të shërbimit të inteligjencës kompetenca të reja për të mbikëqyrur opozitën,” shkroi Rubio të premten në shërbimin online X. “Kjo nuk është demokraci – kjo është tirani e maskuar,” vazhdoi ai. Nuk është AfD ajo që është vërtet ekstremiste, por politika e imigracionit që partia e refuzon. “Gjermania duhet të ndryshojë kursin e saj”, ka kërkuar Sekretari Amerikan i Shtetit.

Ministria e Jashtme në Berlin i është përgjigjur më pas postimit të Rubios, duke deklaruar se “kjo është demokracia”. Në reagimin e Ministrisë së Jashtme në Berlin thuhet, se “ky vendim është rezultat i një hetimi të plotë dhe të pavarur për të mbrojtur Kushtetutën tonë dhe sundimin e ligjit”. Fjala e fundit do t’u lihet “gjykatave të pavarura”, shpjegoi Ministria e Jashtme. “Ne kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i krahut të djathtë duhet të ndalet.”
J.D. Vance dhe Musk komentojnë klasifikimin e AfD si ektremiste të djathtë

Qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump është e afërt me AfD. Bashkëkryetarja e AfD, Alice Weidel, mori mbështetje gjatë fushatës elektorale në Gjermani për zgjedhjet e 23 shkurtit nga këshilltari i Trump, Elon Musk dhe nënpresidenti amerikan JD Vance.
Pas reagimit nga Rubio të premten, reagime ka pasur edhe nga zëvendëpresidenti amerikan, J.D Vance dhe miliarderi, Elon Musk për klasifikimin e AfD si ekstremiste të djathtë. Vance shkroi në X se AfD është “partia më popullore” në Gjermani. Tani “burokratët po përpiqen ta shkatërrojnë”./DW