Papa Leoni XIV, në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, e para e pontifikatit të tij, bëri një thirrje të re për paqe në Lindjen e Mesme. “Situata në Rripin e Gazës është gjithnjë e më shqetësuese dhe e dhimbshme, përtërij thirrjen time të përzemërt për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare të denja dhe për t’i dhënë fund armiqësive, çmimi i tmerrshëm i të cilave paguhet nga fëmijët, të moshuarit, të sëmurët”.
Edhe në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve nga vende të ndryshme, Ati i Shenjtë Prevost i ftoi, në këtë muaj marian kushtuar nderimit të Virgjrës Mari, të “lusin Rruzaren çdo ditë për paqe. Së bashku me Marinë, kërkojmë që njerëzit të mos mbyllen ndaj kësaj dhurate të Zotit dhe të çarmatosin zemrat e tyre”, tha Leoni XIV.
Emergjenca humanitare në Gaza është në një pikë kulmore, sipas organizatave ndërkombëtare. Klasifikimi i Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC), i mbështetur nga OKB-ja, paralajmëron për një zi buke të afërt.
Sipas agjencive të ndihmës, kriza humanitare në Gaza është intensifikuar pasi sulmet ajrore izraelite më 20 maj rezultuan në shumë vdekje palestineze, përfshirë fëmijë, mes operacioneve ushtarake të vazhdueshme që kanë vrarë dhjetëra mijëra njerëz që nga tetori i vitit 2023.
Pavarësisht se Izraeli lejoi një numër të kufizuar kamionësh me ndihma në Gaza, kritikat ndërkombëtare janë shtuar, me thirrje që Izraeli të ndalojë fushatën e tij ushtarake dhe të lehtësojë kufizimet e ndihmës.
Për më tepër, Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për shkatërrimin e paparë të banesave në Gaza.
Argumentum.al