Protesta para Kuvendit të Kosovës, e nisur prej kërkesës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, u përshkallëzua të hënën në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, ndërsa në Kuvend vazhdon ngërçi politik për votimin përfundimtar të ligjit dhe zgjedhjen e presidentit të ri.
Protestuesit, të mbledhur para objektit të Kuvendit, kërkuan që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të miratohen edhe në lexim të dytë. Gjatë protestës u hodhën mjete piroteknike dhe protestuesit bllokuan hyrje-daljet e Kuvendit, duke penguar edhe largimin e disa deputetëve. Policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa me ujë.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, bëri të ditur se gjatë protestës janë lënduar 12 persona, një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.
Sipas Sylës, shumica e të lënduarve janë ankuar për pasojat e gazit lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pësuar lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit. Të gjithë janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
PDK kërkon ndaljen e përdorimit të forcës
Partia Demokratike e Kosovës reagoi pas përshkallëzimit të situatës, duke kërkuar nga organet shtetërore ndaljen e asaj që e cilëson si veprim joproporcional ndaj protestuesve.
PDK tha se masat e ndërmarra nga policia ndaj një proteste që, sipas saj, kishte qenë e qetë për 20 ditë, janë “tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme”. Partia kërkoi që të procedohet me miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në reagimin e saj, PDK e lidhi kërkesën për ndryshimin e ligjit me mbrojtjen e UÇK-së dhe luftës çlirimtare, duke thënë se qytetarët që protestojnë për këtë çështje duhet të dëgjohen. Partia akuzoi gjithashtu institucionet e sigurisë për përdorim politik dhe tha se asnjë urdhër politik nuk mund të justifikojë dhunën ndaj qytetarëve.
LDK kundërshton presionin ndaj deputetëve
Në një tjetër reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtoi vendosjen e emrave të deputetëve të saj në një listë bashkë me deputetët e Listës Serbe, të cilët nuk e votuan në lexim të parë ndryshimin e ligjit.
LDK e cilësoi këtë si “përpjekje të ulët për linçim publik dhe kërcënim politik”, duke deklaruar se qëndrimi i saj ndaj nismës bazohet në vlerësimin për efektin juridik të ndryshimeve të propozuara.
Sipas LDK-së, ajo nuk do të tërhiqet për shkak të etiketimeve apo kërcënimeve dhe nuk do të mbështesë iniciativa që, sipas saj, nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Partia theksoi gjithashtu nevojën për seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët në çështje të ndjeshme.
Ligji u miratua në parim, por mbetet i bllokuar në leximin e dytë
Kuvendi miratoi të hënën në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Pas votimit, megjithatë, nuk u arrit marrëveshje për procedimin e tij në lexim të dytë.
PDK ka kërkuar që ligji të votohet në të dyja leximet, ndërsa përfaqësues të LVV-së kanë lidhur zgjidhjen e çështjes me nevojën për të zgjedhur presidentin e ri dhe për të ruajtur funksionalitetin institucional. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.
Ndërkohë, Policia e Kosovës tha se protesta vijoi në kuadër të kundërshtimit ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pritjes për votimin e ndryshimeve ligjore. Sipas policisë, disa protestues tentuan të kalonin rrethojat e Kuvendit dhe hodhën mjete të ndryshme, përfshirë mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore. Policia tha se kishte ndaluar një protestues për hedhje të mjeteve piroteknike.
Përshkallëzimi i protestës vjen në një moment të tensionuar politik në Kosovë, ku përplasja rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara është ndërthurur me krizën për zgjedhjen e presidentit dhe funksionimin e institucioneve.
© 2026 Argumentum















































