Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme (SVR) i Rusisë akuzoi sot Serbinë se vazhdon të furnizojë Ukrainën me municion, duke deklaruar se qëllimi i këtyre dërgesave është të vrasë dhe gjymtojë ushtarët dhe civilët rusë.
Në një deklaratë të ashpër me titull “Serbia po përpiqet të qëllojë Rusinë pas shpine”, të cilën e publikoi në faqen e saj të internetit, shërbimi rus deklaron se certifikatat e rreme të përdoruesve fundorë dhe vendeve ndërmjetëse përdoren si mbulesë për aktivitete anti-ruse.
Kjo akuzë është ngritur nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), i cili pretendon se Serbia ka furnizuar Ukrainën me armë, përfshirë qindra mijëra predha dhe miliona fishekë, përmes ndërmjetësve në shtete të NATO-s si Polonia, Bullgaria dhe Çekia, si dhe përmes shteteve afrikane. Moskë gjithashtu akuzon Beogradin për përdorimin e certifikatave të rreme për të fshehur destinacionin e fundit të armëve, duke e konsideruar këtë veprim si një goditje pas shpine nga një mik i dikurshëm
Eksportet serbe të armëve në Ukrainë, kryesisht municione të kalibrit sovjetik që përdoren ende nga forcat mbrojtëse të Ukrainës, kanë qenë prej kohësh të njohura dhe të raportuara, por nuk është e qartë pse SVR vendosi të reagojë tani, sipas agjencisë Associated Press.
Dërgesat e armëve nga Serbia në Ukrainë kanë qenë një sekret i hapur që nga fillimi i vitit 2023, kur raportet e para të eksportit u zbuluan për publikun. Moska më pas premtoi të hetojë rastin.
Në njoftimin e sotëm të SVR-së, thuhet se “kontributi i industrisë serbe të mbrojtjes në luftën e nisur nga Perëndimi, rezultatin e së cilës Evropa do të donte ta shihte si një ‘disfatë strategjike’ të Rusisë, reflektohet në qindra mijëra predha për raketahedhës shumë-tytësh dhe obusë, dhe në një milion plumba për armë të vogla”.
“Dërgesa të tilla vështirë se mund të justifikohen me ‘arsye humanitare’. Ato kanë një qëllim të qartë – të vrasin dhe gjymtojnë personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile të Rusisë. Kompanitë më të mëdha të industrisë vendase të mbrojtjes, përfshirë Jugoimport SDPR, Zenitprom, Krusik, Sofag, Reyer DTI, Sloboda, Prvi Partizan dhe të tjera, marrin pjesë në ‘rripin e vdekjes’ të organizuar në Serbinë miqësore me Rusinë”.
Shërbimi rus gjithashtu deklaron se “krijohet përshtypja se prodhuesit serb të armëve dhe patronët e tyre, për shkak të dëshirës së tyre për të përfituar nga gjaku i popujve vëllazërorë sllavë, kanë harruar plotësisht se kush janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kush janë armiqtë e tyre”.
“Rusia u ka ardhur vazhdimisht në ndihmë serbëve në momentet më kritike të historisë së tyre. Le të kujtojmë, për shembull, çlirimin e Serbisë nga zgjedha e Perandorisë Osmane, parandalimin e një katastrofe kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore, luftën kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, bombardimin e Beogradit nga NATO-ja, tragjedinë e Kosovës. Në të gjitha këto faza historike, për rusët, lidhjet vëllazërore dhe besimi i përbashkët me serbët mbetën të padiskutueshme”, tha SVR.
Serbia, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka ruajtur deri më tani një politikë të kujdesshme në raport me luftën në Ukrainë, duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, ndërkohë që vazhdon bashkëpunimin me vendet perëndimore në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.
Akuzat e SVR-së vijnë në një kohë kur tensionet gjeopolitike në rajon janë në rritje, dhe pritet të nxisin debat të brendshëm në Serbi mbi pozicionimin strategjik të vendit në raport me aleancat ndërkombëtare.
/Argumentum.al