Rusia ka paralajmëruar se do të intensifikojë sulmet ndaj objektivave ushtarake, industrisë së mbrojtjes dhe infrastrukturës së lidhur me to në Kiev dhe në rajone të tjera të Ukrainës, pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Ukraina do të shtojë sulmet ndaj rafinerive ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se vendimi për shtimin e goditjeve vjen në përgjigje të deklaratave të Zelenskyt, i cili në një intervistë për Reuters tha se Ukraina do të “dyfishojë” përpjekjet për të goditur rafineritë ruse, duke e paraqitur këtë si kundërpërgjigje ndaj intensifikimit të fushatës ajrore ruse kundër qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase. Zelensky tha se objektivi i sulmeve ukrainase nuk do të jenë civilët.
Përshkallëzimi vjen pas disa ditësh sulmesh ruse ndaj infrastrukturës së Kievit. Ndër objektivat e goditura kanë qenë urat mbi lumin Dnipro, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe vështirësi të mëtejshme për një qytet me rreth 3 milionë banorë, në prag të dimrit.
Të dielën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha gjithashtu se kishte goditur Urën Veriore të Kievit, duke pretenduar se ajo përdorej për transportin e trupave dhe ngarkesave ushtarake. Sipas të njëjtit njoftim, Rusia goditi edhe dy anije transporti në Detin e Zi, të cilat Moska pretendon se po transportonin pajisje ushtarake drejt portit të Odesës.
Nga ana tjetër, Zelensky ka akuzuar Moskën se po zbaton një politikë të re sulmesh ajrore, me synim presionin mbi popullsinë dhe detyrimin e banorëve për të braktisur qytetet. Ai tha për Reuters se inteligjenca ukrainase kishte siguruar dokumente që, sipas Kievit, tregojnë për një “doktrinë të re” ruse për zgjerimin e objektivave të sulmeve gjatë dimrit.
Moska e justifikon përshkallëzimin si përgjigje ndaj sulmeve ukrainase, ndërsa të dyja palët mohojnë se synojnë qëllimisht civilët. Megjithatë, goditjet ndaj infrastrukturës energjetike dhe të transportit po rrisin shqetësimet për ndikimin e luftës mbi jetën e përditshme në Ukrainë gjatë muajve të dimrit.
Në një tjetër zhvillim të së dielës, kancelari gjerman Friedrich Merz vizitoi Kievin dhe njoftoi ndihmë të re për Ukrainën, ndërsa kryeqyteti u përball me sirena dhe sulme të reja. Gjermania deklaroi një paketë të re ndihme prej më shumë se 1.3 miliardë eurosh, përfshirë mbështetje ushtarake dhe energjetike.
© 2026 Argumentum



















































