Më 30 qershor dhe 1 korrik 2025, Shkupi do të jetë qendra e vëmendjes ndërkombëtare, teksa liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor mblidhen për një takim të nivelit të lartë, të përqendruar në zbatimin e Planit për Rritje të rajonit.
Në orën 9:30 pritet të mbërrijnë dhe të mirëpriten zyrtarisht liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ora 10:00 shënon fillimin e panelit të parë kushtuar Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë panel, fjalime hyrëse do të mbajnë kryeministri Hristijan Mickoski dhe komisionerja e BE-së, Marta Kos.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor, me një fond prej 6 miliardë eurosh, u miratua nga Komisioni Evropian më 8 nëntor 2023 dhe bazohet në katër shtylla kryesore:
Forcimin e integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; thellimin e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimin e reformave fundamentale; dhe rritjen e asistencës financiare për të mbështetur këto reforma.
Për Maqedoninë e Veriut janë parashikuar 750 milionë euro nga ky plan.
Ky plan ambicioz, i miratuar nga Komisioni Evropian, synon të forcojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun unik evropian dhe të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm përmes reformave strukturore dhe mbështetjes financiare. Takimi në Shkup pritet të shërbejë si një moment kyç për të diskutuar hapat konkretë drejt zbatimit të planit dhe për të riafirmuar përkushtimin e përbashkët ndaj rrugës evropiane të rajonit.
/Argumentum.al