Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka filluar takimin me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Takimi ka për temë situatën e krijuar me ngërçin politik pas 40 dështimeve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Kurti është lideri i parë që pritet nga Osmani, teksa e para e shtetit ka paralajmëruar se do të takohet me të gjithë krerët politikë sot gjatë ditës.
Në ndërkohë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka specifikuar që legjislatura e nëntë duhet të formohet brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit. Megjithatë, që nga publikimi i këtij vendimi më 26 qershor, partitë nuk kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e situatës.
Me një vendim të lëshuar javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh.
Që nga aktgjykimi janë mbajtur edhe dy seanca në Kuvend, por pa rezultat.
Përfaqësuesit e partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, këmbëngul në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
Por Haxhiu, për disa herë me radhë, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme për këtë pozitë.
Vetëvendosje insiston në votim të feshehtë, por partitë e tjera janë kundër, ndaj edhe refuzojnë kërkesën e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.
/Argumentum.al