Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të reduktojë normën bazë të interesit nga niveli 2,75%, në nivelin 2,50%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për shtyp tha se Këshilli Mbikëqyrës vendosi gjithashtu të reduktojë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3,75% në nivelin 3,50% si dhe të reduktojë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1,75% në nivelin 1,50%.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo vendimmarrje krijon kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit, në objektiv. Ajo rikonfirmon angazhimin tonë për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, si dhe krijon kushte më akomoduese monetare për rritjen e kreditimit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit”, tha Sejko.
Sejko u shpreh se “kjo lëvizje është në linjë me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare fleksibël, të bazuar në të dhënat e reja, si dhe është konsistente me kahun lehtësues të politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane”.
“Politika jonë monetare do të vijojë të udhëhiqet nga të dhënat më të fundit dhe, në veçanti, nga balanca e faktorëve që ndikojnë ecurinë e çmimeve në vend. Në një mjedis me pasiguri të lartë, kjo qasje garanton fleksibilitetin e nevojshëm për të reaguar në mënyrë efektive ndaj çdo devijimi nga parashikimet tona bazë dhe për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar”, tha Sejko.