Presidenti amerikan, Donald Trump paditi dje në mbrëmje gazetën ”Wall Street Journal” (WSJ) për një artikull që ajo publikoi lidhur me një letër të dyshuar nga Trump drejtuar të dënuarit për sulme seksuale, Jeffrey Epstein.
WSJ raportoi se një letër me firmën e Trump ndodhej në një album që Epstein kishte marrë në 50-vjetorin e tij, në vitin 2003.
Sipas WSJ, letra ishte shtypur brenda konturit të një gruaje të zhveshur.
Trump e quajti artikullin e gazetës ”të pavërtetë, dashakeq dhe shpifës”, në një postim në rrjetin e tij social.
Padia, e ngritur kundër botuesit të WSJ, Dow Jones, kompanisë mëmë “News Corp”, pronarit Rupert Murdoch, drejtorit ekzekutiv Robert Thomson dhe dy gazetarëve, kërkon të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.
“Kjo padi është ngritur… në emër të të gjithë amerikanëve që nuk do të tolerojnë më abuzimet e mediave të rreme”, shkroi Trump.
Trump sulmon shpesh median dhe ka ndërmarrë më parë veprime ligjore ndaj saj.