Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan i tha sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një bisedë telefonike se konflikti në Siri duhet të përfundojë menjëherë, tha sot një burim nga Ministria e Jashtme turke, sipas “Reuters”.
“Fidan tha se mbështet rolin konstruktiv që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë në Siri dhe se Turqia është e gatshme të punojë me SHBA-në për të arritur një fund të qëndrueshëm të konfliktit”, sipas burimit.
“Ministri i Jashtëm turk tha se ndërhyrjet e Izraelit në territorin sirian e përkeqësojnë më tej problemin dhe se çdo sulm ndaj integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit të Sirisë gjithashtu minon përpjekjet rajonale për paqe”, tha burimi.
I dërguari i SHBA-së në Turqi tha dje se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord për një armëpushim pas ditësh gjakderdhjeje në zonën kryesisht druze që ka vrarë mbi 300 persona.