Autor: Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor në Kolegjin UNI
Serbia është shndërruar në një hallkë thelbësore të infrastrukturës hibride të Rusisë në Evropë. Duke ofruar territor, logjistikë dhe aktorë shtetërorë, Beogradi funksionon si një platformë operacionale proxy për Kremlinin. Operacionet hibride të dokumentuara shtrihen nga trajnime paramilitare për destabilizim zgjedhor, te operacione false-flag për nxitje të tensioneve ndëretnike, deri te infiltrimi në institucionet e Bashkimit Evropian (BE) dhe spiunazhi i drejtpërdrejtë.
Pesë raste të ekspozuara midis viteve 2023–2025 tregojnë se Serbia nuk është më aleat nominal i Rusisë, por një aktor aktiv i strategjisë së saj të agresionit hibrid. Këto raste, të ndërlidhura përmes rrjeteve kriminale, paramilitare dhe inteligjente, ilustrojnë një model të qartë: dobësimin gradual të arkitekturës së sigurisë evropiane duke përdorur mjete jo-konvencionale.
Rasti i parë: Sabotimi i zgjedhjeve në Moldavi
Moldavia mbajti zgjedhjet presidenciale dhe një referendum për integrim në BE, në fund të vitit 2024. Në këto dy palë zgjedhje Rusia u kujdes që të interferohej për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve dhe vullnetin e popullit. I përfshirë në këto organizime ishte edhe Serbia dhe Republika Srpska. Autoritetet moldave në shtator dhe tetor të vitit 2024 zbuluan se të rinj nga Moldavia të drejtuar nga instruktorë të grupit Wagner dhe The Farm kishin mbajtur trajnime nga Radenka në Serbi dhe në Glamoçan, afër Banja Llukës, në Republika Srpska, Bosnjë e Hercegovinë. Rekrutët ishin paguar me kriptomonedha dhe në vendet e ngjarjeve ishin sekuestrua pajisje për neutralizim dronësh, syze VR, Starlink, lëngje të ndezshme, radio, etj.
Në këto ngjarje ishin përfshirë Anatolij Prizenko një oligark moldav me lidhje me biznesmenin pro-rus në ekzil Ilan Shor. Ai rezulton si një nga rekrutuesit kryesor dhe i njëjti është i sanksionuar nga BE-ja në vitin 2024 për rolin e tij në pikturimin e Yllit të Davidit në Paris, vepër e kryer në emër të inteligjencës ushtarake ruse – GRU. Të përfshirë dalin të jenë edhe Mikhail Potepkin i lidhur me Wagner dhe i sanksionuar nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja, Kontstantin Golosokov si rekrutues i të rinjve moldavë dhe pjesëmarrës në sulmet kibernetike kundër Estonisë me 2007. Aliona Gotko nga Transnistria me pasaportë të dyfishtë, moldave dhe ruse dhe mbi dhjetë persona të tjerë. Grupi kishte për detyrë të nxiste trazira të brendshme në Chișinău, në ditët e zgjedhje dhe gjatë referendumit, për të shkaktuar kaos për të sfiduar legjitimitetin e rezultateve pro-BE.
Që Rusia dhe Serbia janë të angazhuar në shumë aksione agjitacioni, propagandë dhe destabilziimi nëpër botë, tregojnë edhe dy rastet më poshtë:
Rasti i dytë: Pikturimi i Yllit të Davidit në emër të GRU-së ruse
Në tetor të vitit 2023 në Paris të Francës u shënuan mbi 250 raste të pikturimit të Yllit të Davidit në muret e ndërtesave publike. Fillimisht akuza u drejtua ndaj ekstremistëve myslimanë por hetimet e mëvonshme zbuluan se pas këtyre organizimeve qëndronte Anatolij Prizenko bashkë me inteligjencën ushtarake ruse GRU dhe rrjetin pro-rus “Doppelgänger”. BE-ja në dhjetor 2024 sanksionoi Prizenkon duke theksuar se ky ishte një operacion psikologjik dhe provokues i drejtuar nga Rusia, me qëllim për të manipuluar opinionin publik në Francë dhe për të delegjitimuar komunitetet myslimane.
Një rast i tillë përsëri ndodhi në Paris por tani serbët ishin në aksion.
Rasti i tretë: Vandalizimi i sinagogave dhe memorialëve hebraike nga serbët
Në qershor të vitit 2025, tre serbë u arrestuan për vadalizimin e sinagogave dhe memorialëve hebraike në Paris me qëllimin e fajësimit të myslimanëve. Zyrtarë të sigurisë u shprehën se ka dyshime se këto akte ishin organizuar në sinkron me direktivat ruse. Metoda e veprimit, kohëzgjatja dhe simbolika e përdorur përputhen me modelin e rastit Prizenko.
Qëllimi i veprimeve në territorin francez ishte:
- nxitja e përçarjeve etnike dhe fetare në shoqërinë franceze dhe shkaktim i kaosit;
- fajësimi artificial i komunitetit mysliman për sulme anti-semite;
- nxitja e shtetit francez kundër myslimanëve;
- dobësimi i shtetit francez dhe shoqërisë duke e bërë më poroze ndaj ndërhyrjeve ruse
Metodologjia e veprimit tregon se:
- Të dy rastet ndjekin skemën e “false-flag”, duke lënë gjurmë që fajësojnë myslimanët.
- Qëllimi ishte nxitja e ekstremizmit të djathtë, përçarjes sociale dhe sabotimit të politikave të integrimit në Francë.
- Synohet dobësimi i institucioneve dhe krijimi i një sistemi të brishtë.
- Edhe pse gjurmët dërgojnë kryesisht te Rusia dhe Serbia, nuk përjashtohet përfshirja jo e drejtpërdrejtë e aktorëve të tjerë shtetërorë me interes kundër diplomacisë “pro-palestineze” të Francës.
- Burimet e sigurisë raportojnë rrjete logjistike me kanale të përbashkëta për trajnime, pagesa dhe pajisje teknologjike.
Infiltrimi i spiunazhit ruso-serb në institucionet e BE-së
Rasti i katërt: Spiunazhi rus nëpërmjet agjentëve serbë
Në tetor 2023, Novica Antić, kryetar i Sindikatës së Ushtrisë së Serbisë, u ekspozua si “agjent ndikimi aktiv i FSB-së”. Ai zhvilloi takime me eurodeputetë dhe organizata lobiste në Bruksel, pa u identifikuar si figurë e lidhur me inteligjencën ruse.
Ai gjithashtu realizoi takime me organizata lobiste të BE-së si EUROMIL (Federata Evropiane e Shoqatave Ushtarake) dhe EPSU (Unioni i Punonjësve të Sektorit Publik në BE).
Antić ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me Vyacheslav Kalinin, një shtetas rus dhe kryeredaktor i platformës “Veteran News”, e cila është kanal informativ i lidhur me FSB-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë. Kalinin e ka ftuar Antić në Rusi në vitet 2019–2020 për takime me oficerë të lartë ushtarakë rusë, përfshirë pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe organizatave pro-Kremlinit.
Sipas dokumentit të inteligjencës, Rusia po përdor agjentë serbë si Antić për:
- Përhapjen e propagandës pro-ruse mbi pushtimin e Ukrainës.
- Minimin e mbështetjes për BE-në dhe NATO-në brenda institucioneve të BE-së.
- Penetrimin e sindikatave evropiane dhe strukturave të shoqërisë civile.
Metoda e operacionit: agjentët “gri” dhe infiltrimi përmes sindikatave
Rasti Antić është model klasik i një agjenti “gri” (gray agent), një figurë që operon nën petkun e një përfaqësuesi të sektorit civil, duke u infiltruar në struktura lobuese ose diplomatike të BE-së pa ngritur dyshime të menjëhershme.
Antić hyri në selinë e Parlamentit Evropian, dhe kjo zbulon vulnerabilitetin e institucioneve ndaj operacioneve të influencës, veçanërisht kur ata maskohen si përfaqësues sindikalë ose “aktivistë të pavarur”. Sindikata si EUROMIL dhe EPSU janë targetuar sepse ato ofrojnë qasje të zgjeruar në strukturat e brendshme të sigurisë dhe burokracisë evropiane, pa kontrolle të forta të sigurisë.q
Rasti i katërt: Spiunazhi i drejtpërdrejtë i BIA-së
Në korrik 2025, Igor Popoviq, zyrtar i Qeverisë së Serbisë, u arrestua në Kosovë. Fillimisht i akuzuar për propagandë destabilizuese, më vonë u zbulua se ishte i përfshirë në operacione përgjimi ndaj zyrtarëve të BE-së, në bashkëpunim me BIA-n. Ai ka pranuar fajësinë pas një marrëveshje me Prokurorinë Speciale.
Në një material tjetër të publikuar, Popoviq dëshmohet të jetë një bashkëpunëtor i drejtpërdrejt i Bojan Dimiq, kreut të Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informacion (BIA). Në mesazhet e publikuara të bisedës ndërmjet Popoviq dhe Dimiq zbulohet një fakt i cili vërteton se BIA serbe vazhdon të angazhojë persona të krimit të organizuar në funksione të ndjeshme të shtetit të Serbisë. Në bisedat e publikuara dëshmohet kjo nëpërmjet rastit të Kompiroviq, një figurë e përmendur me rol në logjistikën operative të përgjimeve.
Ky rast është i ndryshëm nga rastet e “agjentëve gri” apo të “lobimit të maskuar”:
Këtu kemi një strukturë zyrtare shtetërore, që përmes zyrtarëve të saj, kryen operacione të mirëkoordinuara të mbikëqyrjes dhe përgjimit ndaj përfaqësuesve të BE-së;
Aktivitete që sipas çdo standardi perëndimor do të konsideroheshin si akt agresiv inteligjence ndaj një blloku ndërkombëtar aleat. Megjithatë, BE nuk dha koment publik mbi audio-incizimet, çka tregon mungesë transparence në adresimin e incidentit. Ky reagim sugjeron se çështja po trajtohet brenda kanaleve të mbyllura, duke shmangur ekspozimin publik të dobësive të sigurisë institucionale dhe implikimeve diplomatike që mund të rrjedhin prej tyre.
Objektivi: dobësimi i kohezionit të Evropës
Të pesë rastet e analizuara, nga sabotimi i zgjedhjeve në Moldavi, operacionet false-flag në Francë, infiltrimi në institucionet e BE-së deri te përgjimet e drejtpërdrejta në Bruksel, tregojnë një model të integruar të agresionit hibrid rus, ku Serbia shërben si platformë operacionale dhe në raste tjera përdor teknikat e njëjta vetëm për interesat e veta. Elementët e përbashkët përfshijnë përdorimin e rrjeteve kriminale dhe paramilitare, financimin përmes kanaleve joformale, operacionet e maskuara përmes aktorëve “gri” dhe shfrytëzimin e infrastrukturës shtetërore për mbledhjen e inteligjencës. Ky bashkëpunim është një strategji e mirëfilltë për të dobësuar dhe infiltruar strukturat shtetërore e shoqërore, derisa ato të bëhen të kontrollueshme. Objektivi final është çmontimi i elementëve që garantojnë sigurinë dhe kohezionin e Evropës. Kjo e lë kontinentin më të brishtë ndaj ndikimit dhe presionit të jashtëm.
Masat e domosdoshme përballë operacioneve hibride
Është evidente që ndaj këtyre veprimeve duhet të ndërmerren masa të tilla si këto më poshtë:
- Sanksione të synuara ndaj individëve dhe entiteteve që veprojnë si hallka kyçe në këto rrjete (reagim nga BE-ja, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar).
- Task-Forcë BE – NATO për identifikimin dhe çmontimin e operacioneve të influencës ruse që përdorin territorin dhe infrastrukturën serbe.
- Protokolle sigurie në BE për filtrimin e aktorëve të jashtëm që hyjnë në institucionet e saj përmes OJQ-ve ose sindikatave (Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian).
- Ekspozim publik i rrjeteve logjistike për të ulur aftësinë e tyre për të operuar nën radar dhe për të rritur koston politike të mbështetjes që marrin nga Beogradi.
Çdo vonesë veprimi jo vetëm që e rrit cenueshmërinë e rendit demokratik evropian dhe perëndimor, por e vendos vetë BE-në dhe gjithë perëndimin në pozitën e një fushëbeteje të hapur për operacionet hibride ruse.
© 2025 Argumentum