Në numrin e 18-të të revistës “Qiushi” që do të botohet të martën, do të publikohet artikulli i sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, kryetar i shtetit i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, Xi Jinping, me titullin “Të thellojmë nxitjen e ndërtimit të një tregu të madh të njësuar kombëtar”.
Në këtë artikull theksohet që ndërtimi i një tregu të tillë të njësuar kombëtar është një vendim madhor i marrë nga Komiteti Qendror i PKK-së, i bazuar jo vetëm te nevoja për formimin e një modeli të ri zhvillimi dhe nxitjen e zhvillimit cilësor, por edhe për të fituar epërsi në konkurrencën ndërkombëtare. Kina, si tregu i 2-të më i madh i konsumit në botë, duhet medoemos të ndërtojë siç duhet tregun e madh të njësuar kombëtar, çka do të forcojë themelet për të përballuar më mirë sfidat dhe rreziqet.
Në artikull vihet në dukje që, për të nxitur thellësisht ndërtimin e një tregu të tillë, kërkesat bazë janë “pesë njësimet dhe një hapje”. “Pesë njësimet” janë përkatësisht: njësimi i sistemeve bazë të tregut, veçanërisht i sistemeve të tilla si mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale, konkurrenca e ndershme dhe standardet e cilësisë; njësimi i infrastrukturës së tregut, me integrimin e logjistikës, qarkullimit të kapitalit e të informacionit dhe përmirësimin e sistemit modern të qarkullimit tregtar; njësimi i standardeve të veprimeve qeveritare, me qartësimin e rregullave për veprimet që mund të kryhen ose nuk mund të kryhen për të nxitur zhvillimin ekonomik, posaçërisht në tërheqjen e investimeve të huaja; njësimi i zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrjes së tregut, me qartësimin e kritereve të ndëshkimit administrativ në mbikëqyrjen e tregut dhe me kritere të njësuara; njësimi i tregut të burimeve dhe faktorëve të prodhimit, me nxitjen e qarkullimit të lirë, përshtatjen efektive, pakësimin e përshtatjes së gabuar dhe shpërdorimit të burimeve. Ndërsa “një hapje” është vazhdimi i zgjerimit të hapjes, duke ndërlidhur hapjen e tregut e brendshëm dhe tregut të jashtëm e duke mos zbatuar funksionimin e mbyllur./cgtn