KASH: Ndryshimet politike në Serbi duhet të hapin rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke vënë theksin te roli i lëvizjes studentore, forcimi i standardeve demokratike dhe të drejtat zgjedhore të shqiptarëve. KASH nënvizon se çdo ndryshim politik në Beograd duhet të shoqërohet me një qasje konstruktive ndaj Kosovës dhe me angazhim konkret për normalizimin e marrëdhënieve dhe integrimin europian.
Deklarata:
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka ndjekur me vëmendje zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, rezultatet paraprake të të cilave shënojnë një ndryshim të rëndësishëm në jetën politike të vendit, pas një periudhe të gjatë të dominimit të pushtetit nga Aleksandar Vuçiq dhe partia e tij.
Në këtë kontekst, KASH thekson rolin e rëndësishëm të lëvizjes studentore dhe të angazhimit qytetar për forcimin e standardeve demokratike, llogaridhënien dhe luftën kundër korrupsionit. Shprehja e vullnetit qytetar dhe kërkesa për ndryshime politike përmes protestave masive paqësore përbëjnë të drejta themelore në çdo sistem demokratik.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet angazhimin dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në këto zgjedhje, të cilët, sipas projeksioneve paraprake, pritet të sigurojnë dy deri në tre mandate parlamentare. Njëkohësisht, shpreh shqetësimin për pasivizimin e adresave dhe pengesat që cenojnë të drejtat zgjedhore të shqiptarëve, praktika të zbatuara prej vitesh nën qeverisjen e Vuçiqit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kërkon trajtimin e këtyre çështjeve në përputhje me standardet europiane, si dhe angazhim të vazhdueshëm diplomatik nga Shqipëria, Kosova, partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara.
KASH vlerëson se ndryshimet politike në Serbi duhet të shoqërohen me një ndryshim të qëndrimit të këtij vendi ndaj Republikës së Kosovës dhe me një qasje konstruktive ndaj normalizimit të marrëdhënieve dhe integrimit europian.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rithekson se demokracia nuk përfundon me fitoren në zgjedhje. Ajo fillon me përgjegjësinë për të qeverisur në shërbim të qytetarëve, për të respektuar institucionet dhe për të ndërtuar marrëdhënie paqësore me fqinjët.
© 2026 Argumentum





















































