Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti sot në takim komandantin Suprem të Aleancës në Evropë (SACEUR) gjeneralin Alexus Gregory Grynkewich, në vizitën e tij të parë në vendin tonë.
Gjatë takimit, palët biseduan për investimet në industri dhe infrastrukturë kritike, që Shqipëria po ndërmerr për të rritur strukturalisht dhe vijueshmërisht kapacitetet e saj mbrojtëse dhe reaguese në përputhje me angazhimet në Samitin e Hagës.
Vengu vuri në dukje se inovacioni do të jetë në qendër të investimeve modernizuese në të gjithë spektrin e aktivitetit industrial dhe ushtarak.

“Në këtë mënyrë mbështetet dhe rritja e kapaciteteve të misioneve të NATO-s dhe BE-së ku trupat shqiptare janë aktualisht të angazhuara dhe posaçërisht në KFOR”, theksoi Vengu.
Ministri Vengu u shpreh gjithashtu se “në vigjilje të mbledhjes se vendeve të Kartës së Adriatikut në Tiranë, ndajmë me SHBA të njëjtin vlerësim mbi natyrën dhe nivelin e kërcënimeve në Evropën Juglindore”.