Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e fortë të Hungarisë për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar veçanërisht rolin e saj kyç gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian në vitin 2024 në avancimin e negociatave, si dhe avokimin e saj të vazhdueshëm për një proces zgjerimi strategjik, të drejtë dhe të bazuar në meritë.
Biseda mes Presidentit Begaj dhe Kryeministrit Orban u fokusua në intensifikimin e dialogut politik mes dy vendeve si aleate në NATO dhe së shpejti në BE.
Dy liderët u fokusuan edhe në situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar se anëtarësimi i rajonit në Bashkimin Evropian rrit më tej sigurinë në rajon, por edhe në vetë Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj theksoi se faktori shqiptar në rajon është bashkëpunues dhe evropianist.
Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, u theksua se investimet e rëndësishme që janë kryer në sektorin bankar, telekomunikacion dhe transportin ajror janë kthyer në një sukses për investitorët dhe vendin tonë dhe, në këtë kontekst, ai ftoi sipërmarrësit hungarezë të vijnë në vendin tonë. “Të mos hezitojnë të ndjekin shembullin e kompanive shumë të suksesshme hungareze që operojnë tashmë në Shqipëri”, – theksoi Kreu i Shtetit, duke i shprehur Kryeministrit Orban përkushtimin për të inkurajuar hyrjet e mëtejshme të kapitalit hungarez në vend.
“Shqipëria inkurajon, gjithashtu, mbështetjen hungareze për lehtësimin dhe promovimin e aksesit të produkteve shqiptare në tregun e saj”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

Në takim u bisedua edhe për rritjen e ndjeshme të vizitorëve hungarezë në Shqipëri.
Gjatë bashkëbisedimit u vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe ajo hungareze edhe në fusha të tjera, si: drejtësia, bujqësia, arsimi, kultura dhe edukimi. Presidenti Begaj i shprehu Kryeministrit Orban mirënjohje për bursat e dhëna ndaj studentëve shqiptarë.
Gjatë vizitës në Hungari, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, nderoi Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe shenjtoren shqiptare, Nënë Tereza, duke vendosur kurora lulesh në monumentet e tyre që ngrihen në Budapest.
/Argumentum.al