Një takim i organizuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump me udhëheqësit e disa vendeve arabe dhe islamike u fokusua në përfundimin e luftës shkatërruese në Rripin e Gazës, raportoi sot agjencia zyrtare e lajmeve e Emirateve të Bashkuara Arabe, WAM.
Pjesëmarrësit në takimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, përfshinin Emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, Mbretin Abdullah II të Jordanisë, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, kryeministrin egjiptian Mostafa Madbouly, kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, presidentin indonezian, Prabowo Subiant, si dhe ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Udhëheqësit shqyrtuan mundësitë për arritjen e një armëpushimi “të qëndrueshëm”, sigurimin e lirimit të të gjithë pengjeve dhe ndërmarrjen e hapave drejt adresimit të krizës humanitare në përkeqësim, në Rripin e Gazës.
Takimi erdhi pasi disa shtete perëndimore njoftuan vendimin e tyre për të njohur shtetësinë palestineze, një hap i kritikuar nga Izraeli dhe aleati i tij i ngushtë, SHBA-ja.
Trump ka planifikuar të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, të hënën e ardhshme.
Negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti – për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe lëvizjes islamiste palestineze Hamas – janë bllokuar prej disa muajsh.
Gjithashtu, janë paraqitur propozime të ndryshme se si duhet të sigurohet dhe administrohet brezi bregdetar – pas një përfundimi të mundshëm të luftës prej gati dy vitesh.
Trump propozoi më herët, zhvendosjen e banorëve të Gazës diku tjetër dhe ta shndërronte enklavën bregdetare në një “Rivierë” të Lindjes së Mesme – një propozim që u prit me kritika të ashpra.