Danimarka po mbyll të gjithë hapësirën e saj ajrore për dronët civilë përpara takimeve të kësaj jave, thane sot zyrtarët, pas disa shfaqjeve të reja dronesh mbi disa aeroporte gjatë natës.
Disa dronë u vunë sërish reth bazave ushtarake daneze, tha dje ushtria.
Ndërsa Kopenhageni do të presë takime të BE-së gjatë kësaj jave, Ministria e Transportit njoftoi se të gjitha fluturimet civile të dronëve janë të ndaluara nga sot deri të premten.
Ministri i Transportit, Thomas Danielsen, tha se është e papranueshme që dronët të shkaktojnë pasiguri dhe shqetësim, duke theksuar se fakti që Danimarka po pret liderët e BE-së kërkon vëmendje të veçantë ndaj sigurisë.
Këto shfaqje dronësh ndodhin përpara takimit të liderëve të BE-së në Kopenhagen të mërkurën dhe të enjten, ku do të diskutohet mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe forcimi i gatishmërisë evropiane për mbrojtje.
Danimarka mori kryesimin e Këshillit të BE-së gjatë verës.
Vendi ka qenë në gatishmëri të lartë pas një serie incidentesh me dronë gjatë javës së kaluar. Aeroporti i Kopenhagenit u mbyll për disa orë vonë të hënën, ndërsa aeroporte më të vogla u prekën dy ditë më vonë. Të shtunën, të paktën një dron u pa mbi bazën më të madhe ushtarake të Danimarkës.
Qeveria daneze përshkroi këto ngjarje si një “sulm hibrid”, dhe hetuesit dyshojnë për një aktor profesionist që synon të krijojë trazira në këtë vend të NATO-s.
Rusia e mohoi përfshirjen në një deklaratë përmes ambasadës së saj në Danimarkë.




























































