Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar me gjuhë të ashpër ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë, duke i quajtur akuzat e saj si të pabaza dhe të mbështetura në një raport të diskredituar ndërkombëtarisht.
Në deklaratën e saj zyrtare, pala serbe riktheu pretendimet për trafikim organesh nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, duke përmendur të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri. Gjithashtu, Serbia akuzoi Kosovën dhe Shqipërinë për gjuhë urrejtjeje dhe përfshirje në spastrime etnike ndaj serbëve.
Por Ministria e Jashtme shqiptare i hodhi poshtë me vendosmëri këto pretendime, duke theksuar se “historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”.
“Është për të ardhur keq që Serbia mbështetet ende mbi një raport tashmë të diskredituar të Dick Martyt, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”, thuhet në deklaratën shqiptare.
Ministria shqiptare kujton gjithashtu ngjarjet tragjike të vitit 1999, ku rreth një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, duke theksuar se përpjekjet për të ndërruar rolet mes viktimës dhe agresorit janë të papranueshme.
“Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk mund të përdoren për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë”, vijon më tej reagimi.
Deklarata thekson nevojën për pajtim dhe bashkëpunim rajonal, në vend të rikthimit tek retorikat e së kaluarës.
“Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve”, thuhet në përfundim të deklaratës.
Deklarata e Ministrisë së Jashtme në Shqipëri:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 7 tetor 2025
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, të datës 4 tetor 2025, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes. Në këtë deklaratë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.
Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike.
Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.
Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.
Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat.
Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë.
Raporti i Dick Martyt, i publikuar në vitin 2011 nga Këshilli i Evropës, përmendi pretendime për trafikim organesh, por hetimet ndërkombëtare të mëvonshme përfshirë ato të prokurorit amerikan Clint Williamson, nuk gjetën prova të bazuara për këtë çështje. Asnjë aktakuzë në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përfshin trafikim organesh.
/Argumentum.al




























































