Në prag të Festës së Pranverës, kryeministri i Kinës, Li Qiang, organizoi të premten pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin një simpozium me përfaqësues të ekspertëve të huaj që kanë fituar Çmimin e Miqësisë të Qeverisë Kineze për vitin 2025, si edhe me ekspertë të tjerë të huaj që punojnë në Kinë.
Li Qiang u përcolli ekspertëve të huaj urime për Vitin e Ri dhe përshëndetje të përzemërta, duke i falënderuar për mbështetjen dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në procesin e modernizimit të stilit kinez. Ai dëgjoi me vëmendje sugjerimet dhe mendimet e tyre lidhur me zhvillimin e Kinës dhe punën e qeverisë. Ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Uganda, Bullgaria, Bjellorusia, Gjermania dhe vende të tjera ndanë pikëpamjet e tyre mbi inovacionin shkencor e teknologjik, zhvillimin bujqësor, shkëmbimet kulturore, formimin e talenteve dhe bashkëpunimin në fushën e investimeve etj.
Li vuri në dukje se bota po hyn në një periudhë të re trazirash dhe transformimesh, unilateralizmi e proteksionizmi janë në rritje dhe rendi ndërkombëtar përballet me sfida serioze. Megjithatë, shkenca dhe arti nuk njohin kufij. Hapja dhe bashkëpunimi janë jo vetëm dëshirë e përbashkët e popujve, por edhe rruga e drejtë. Kina do të vijojë të zbatojë politikën themelore të hapjes ndaj botës dhe të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar në të gjitha fushat, theksoi ai, duke shprehur shpresën që ekspertët e huaj do të vazhdojnë të luajnë rolin e urës mes Kinës e botës, duke kontribuuar në forcimin e mirëkuptimit, besimit të ndërsjellë dhe përfitimit të përbashkët. Kryeministri theksoi se vitin e kaluar, përballë presioneve të shumta, ekonomia kineze ruajti një ritëm rritjeje ndër më të lartët mes ekonomive kryesore botërore dhe u orientua drejt zhvillimit më cilësor e më inovativ. Si një treg i madh i hapur dhe gjithëpërfshirës, një burim i gjallë inovacioni dhe një kontribuuese aktive në zhvillimin e gjelbër, Kina po ofron kontributin e vet për nevojat globale. Ekspertët e huaj që punojnë dhe kontribuojnë në Kinë, kanë arritur rezultate me ndikim të gjerë, duke sjellë përfitime jo vetëm për Kinën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar. Pas miratimit të rekomandimeve për planin e 5-të pesëvjeçar, është përvijuar vizioni për zhvillimin gjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Li i inkurajoi ekspertët të shfrytëzojnë mundësitë dhe të thellojnë angazhimin e tyre, për të krijuar së bashku një të ardhme të përbashkët më të mirë dhe për të kontribuuar në përparimin e qytetërimit njerëzor.
Kryeministri Li theksoi më tej se ekspertët e huaj që punojnë në Kinë janë miq të sinqertë të popullit kinez. Qeveria kineze do të vazhdojë të përmirësojë kushtet e punës dhe të jetesës për ta, duke forcuar mbështetjen për politikat e inovacionit dhe duke optimizuar shërbimet në fushën e vizave, sigurimeve shoqërore, kujdesit shëndetësor dhe arsimit për fëmijët e tyre, në mënyrë që talentet ndërkombëtare të ndihen të sigurt në punë, të kenë një jetesë të përshtashme dhe të realizojnë zhvillimin e qëndrueshëm në Kinë./cgtn





























































