Fjala kyçe: 精神—[jīng shén]—frymë
Shkrimtari gjerman Volker Häring është dashamirës i çiklizmit. Gjatë mbi 30 vjetëve, ai ka shkuar pothuajse çdo vit në Kinë, ku ka përshkruar afro 60 mijë km me biçikletë.
Në tetor 2023, Volker Häring dhe partneri i tij Christian Y. Schmidt u nisën nga Ruijin i provincës Jiangxi dhe bënë një udhëtim prej afro 7000 km në 138 ditë, duke ndjekur një pjesë të rrugës së Marshimit të Madh, të udhëhequr nga Partia Komuniste e Kinës para mbi 80 vjetëve.
Në tetor 2025 u botua libri “Marshimi i Madh me biçikletë”, që regjistron përvojën e tyre gjatë kësaj veprimtarie.
Volker Häring tha se fryma e Marshimit të Madh do të thotë që suksesi arrihet me përpjekje të mundimshme dhe me solidaritet e bashkëpunim. Një frymë e tillë është ende shumë i rëndësishme në botën e sotme.
foto nga CNS
Më poshtë është një intervistë e Volkerit për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).
Më quajnë Volker Häring. Kam organizuar turne me biçikletë për mbi 30 vjet në Kinë dhe Azinë Jugore. Kur isha në shkollën e mesme, kërkoja diçka krejt të re, diçka që nuk e kisha dëgjuar e nuk e kisha studiuar fare. Dhe pastaj dikush më tha: “Shiko, mund të studiosh kinezisht”. Dhe unë thashë që kjo më dukej interesante. Kisha edhe interes për budizmin e taoizmin në atë kohë, dhe isha i interesuar për gjithë procesin historik të revolucionit kinez, duke lexuar Mao Ce Dunin dhe vepra të tjera. Pra, në thelb, ishte një interes i sinqertë për kulturën e vjetër kineze, por edhe për modernitetin. Kështu që shkova për herë të parë në Kinë në vitin 1990, duke ndjekur një kurs gjuhe në Hangzhou për pesë javë, dhe pastaj udhëtova për pesë javë të tjera. U kënaqa shumë dhe fillova të studioja. Dhe kalova dy vjet në Kinë, në Pekin nga 1993 deri në 1995. Dhe në thelb, shkova në Kinë pothuajse çdo vit, dhe udhëtova me biçikletë gjithsej rreth 60 000 kilometra nëpër mbarë vendin. Shkova pothuajse në të gjitha provincat e Kinës me biçikletë. Veçanërisht Yunnan-i është provinca që më pëlqen më shumë.
(Marshimi i Madh) është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë kineze. Besoj që, në semestrin e parë ose të dytë, dëgjova për të. Dhe e dija më parë, pasi nëse je thjesht i interesuar për Kinën, do të kesh dëgjuar për Marshimin e Madh. Dhe gjithmonë hasja në ndonjë monument a gjurmë të Marshimit të Madh kur udhëtoja në Kinë. Dhe mendova që është një ngjarje aq epike. Kisha interes të madh dhe u përgatita për këtë për një kohë shumë të gjatë, ndoshta që nga viti 2000 apo më herët. Dhe në vitin 2004 takova një nga njerëzit – ai ishte mbi 90 vjeç – që kishte marrë pjesë në Marshimin e Madh. Kështu që bisedova me të dhe kjo më frymëzoi shumë. Pastaj kaloi shumë kohë, dhe më në fund, arrita ta bëja.
foto nga CNS
Së pari, kam menduar gjithmonë që nuk mund të ishte e vërtetë. Nuk mund të ishte e vërtetë që një ushtri të marshonte në atë distancë të gjatë me pajisje dhe gjithçka tjetër. Por çiklizmi përgjatë rrugës më bëri të kuptoj, sigurisht, që ata e kishin bërë një marshim të tillë. Dhe pata atë ndjesi që ai vërtet i ndryshoi njerëzit që mbijetuan prej tij. Kështu që mendoj se ata thjesht e dinin që, “nëse i mbijetojmë kësaj, mund të bëjmë gjithçka”. Dhe kështu më ndryshoi edhe mua, sepse në thelb bëra shumë çiklizëm në Kinë. Përshkova distanca të gjata, Rrugën e Mëndafshit, për shembull. Por ajo ishte pothuajse 2 000 kilometra, 2 500 kilometra, por 7 000 kilometra, dhe në pjesë të ndryshme (rruga më e gjatë e Marshimit të Madh ishte 12 500 kilometra). Dua të them, filloi në Jiangxi, në Kinën Lindore. Pastaj kaluam nëpër shumë rajone me përqëndrim të pakicave kombëtare, që ishin krejtësisht të ndryshme. Dhe pastaj, sigurisht, stepa ose zona përgjatë vargmalit të Himalajave.
Qoftë nga peizazhi apo nga rruga, ishin male me borë, veçanërisht i pari. Kishte tunele përmes malit. Dhe kjo ishte mjaft sfiduese. Ishte ftohtë, binte borë, kishte borë ende në të dyja anët, dhe në 4 000 metra lartësi ndodhet kalimi malor. Edhe me biçikleta elektrike, kjo është mjaft e lodhshme. Pra, për sa i përket rrugës ishte më rraskapitësja.
Kam shkruar libra për rreth 30 vjet deri tani. Kështu që ishte e natyrshme që, pasi përfundova një udhëtim kaq epik, të shkruaja një libër për të. Tani është një përzierje e përvojës së çiklizmit të Kinës moderne, e njerëzve të Kinës së sotme dhe e historisë.
Mendoj se ajo që dëshiron të bëjë sot qeveria kineze është të promovojë atë frymë dhe atë thelb. E sheh këtë kudo, synimin për të mësuar njerëzit se çfarë do të thotë vërtet. Dhe të kuptosh – çka është, besoj, shumë e rëndësishme – që pa Marshimin e Madh, Kina do të ishte krejtësisht ndryshe. Dhe pa vështirësitë që përjetuan ata që morën pjesë në të, Kina do të ishte një vend tjetër. Mendoj se jetojmë në një kohë shumë të pasigurt. Mund të jetë e rëndësishme, mendoj, në mbarë botën që njerëzit të kuptojnë se gjërat vijnë nga diçka, jo nga asgjëja, që duhet të përpiqesh për të arritur një objektiv. Mendoj se jetojmë në një kohë kur është shumë e komplikuar të jetosh. Ka shumë trazira ndërkombëtare, ka konkurrencë, ka njerëz që janë tërhequr krejtësisht dhe thjesht thonë: “Unë jetoj mirë, kështu që nuk më intereson asgjë.” Pra, mendoj që duhet krijuar një ndjenjë e re bashkëpunimi, sepse pa bashkëpunim, Marshimi i Madh nuk do të kishte përfunduar. Ata kurrë nuk do të kishin arritur deri në fund. Dhe në të njëjtën kohë, duhet të kesh një ndjenjë qëllimi.





















































