Grupi Mediatik i Kinës (CMG) organizoi të premten në qytetin e Nju-Jorkut aktivitetin “Preludi i Galasë së Festës së Pranverës: Bota e shikon së bashku Galanë e CMG-së”. Ky është viti i tretë radhazi që një aktivitet i tillë organizohet në Manhatan.
Rreth 300 të ftuar, duke përfshirë diplomatë në Kombet e Bashkuara, përfaqësues të agjencive të OKB-së dhe miq nga sektorët kulturorë, ekonomikë e mediatikë të Kinës dhe të Shteteve të Bashkuara, morën pjesë në ceremoni. Presidenti i CMG-së Shen Haixiong dhe nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për Komunikimet Globale Melissa Fleming mbajtën videofjalime. Stephen A. Orlins, president i Komitetit Kombëtar për Marrëdhëniet ShBA-Kinë, dhe Ma Xiaoxiao, zëvendëskonsulli i përgjithshëm i Kinës në Nju-Jork, morën pjesë në aktivitet dhe mbajtën fjalime.
Presidenti i CMG-së Shen Haixiong vuri në dukje që Galaja e Festës së Pranverës e CMG-së, si veprimtaria kulturore vjetore më e ndjekur në botë, është mbajtur për 43 vjet me radhë dhe është bërë një “darkë shpirtërore e ribashkimit me rastin e Festës së Pranverës”, që ka gjetur jehonë në bashkësinë kineze dhe te shikuesit në mbarë botën.
Vitin e kaluar, CMG-ja bashkëpunoi me mbi 3 100 media në mbarë globin nëpërmjet një platforme komunikimi ndërkombëtar shumëgjuhëshe dhe mbarëmediatike, duke ndarë frymën festive të “vlerësimit të larmisë së qytetërimeve”. Galaja ka hapur një dritare për publikun global për të kuptuar më mirë kulturën tradicionale kineze dhe gjallërinë e Kinës në epokën e re.
Galaja e këtij viti, me temë “Kali në galopim, vrull i pandalshëm”, do të përdorë risitë teknologjike në “5G+4K/8K+AI” dhe do të shfrytëzojë plotësisht epërsitë e transmetimit të CMG-së në 85 gjuhë, për të paraqitur një festë kulturore për publikun si brenda, ashtu edhe jashtë Kinës.
Melissa Fleming, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për Komunikimet Globale / CMG
Melissa Fleming, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për Komunikimet Globale, shprehu falënderime të sinqerta për mbështetjen e gjatë të popullit kinez për multilateralizmin, duke theksuar që dialogu e bashkëpunimi mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Ajo tha se mediat kineze kanë qenë partnere kryesore në promovimin e punës dhe vlerave të Kombeve të Bashkuara për shikuesit në Kinë dhe më gjerë. Fleming shprehu urime për Vitin e Ri dhe vuri në dukje se në të gjitha kulturat kali simbolizon energjinë, forcën e qëndresës dhe frymën e ecjes përpara, vlera që rezonojnë me misionin e Kombeve të Bashkuara për të promovuar mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe paqen në mbarë botën.
foto nga CMGCMG
Me pjesëmarrjen e një roboti, përfaqësues nga zyra e CMG-së në Kombet e Bashkuara dhe Akademia e Filmit e Nju -Jorkut publikuan së bashku Koleksionin Global të Veprave Filmike e Televizive me Inteligjencën Artificiale “E ardhmja e ndritur e njerëzimit” 2026. Kori i Fëmijëve i qytetit të Nju-Jorkut dhe Ekipi Kombëtar i Wushu-së i të Rinjve i ShBA-së dhanë performanca. Të ftuarit panë video promovuese të Galasë së Festës së Pranverës së Vitit të Kalit dhe pjesë kryesore nga “Udhëtim në Kinë përmes filmave”, ndërsa shfaqjet holografike treguan pasurinë dhe larminë e kulturës kineze.
Një sfilatë mode me robotë dhe njerëz shpërfaqi modele që ndërthurin elemente klasike dhe bashkëkohore të frymëzuara nga trashëgimia kineze. Aktiviteti përfundoi me këngën “Zemra im kineze”, i interpretuar nga kori i të rinjve kinezë vendorë./cgtn





























































