Fjala kyçe: 访问—[fǎng wèn]—vizitë
Me ftesë të Kryeministrit të Kinës Li Qiang, Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kinë në datat 25 – 26 shkurt.
Vizita e Merz në Kinë menjëherë pas festave të Vitit të Ri Kinez, vjen mes pritshmërive të larta për një partneritet të qëndrueshëm strategjik, ndërsa aleancat transatlantike përballen me tensione. I shoqëruar nga një delegacion i liderëve më të lartë industrialë të Gjermanisë, vizita dy-ditore e Merz synon të thellojë lidhjet dypalëshe duke shfrytëzuar potencialin e tregut të Kinës dhe duke zgjeruar bashkëpunimin në sektorët e teknologjisë në zhvillim.
“Uroj që Viti i Kalit të sjellë forcë dhe ti japë një shtytje të re marrëdhënieve gjermano-kineze,” shkroi Merz në rrjetin social X më 17 shkurt, ditën e parë të Vitit të Kalit, duke shtuar se mezi pret këtë udhëtim, të parin që nga marrja e detyrës majin e kaluar.
Një delegacion i gjerë, përfshirë krerët e kompanive kryesore të listuara në bursën DAX, si Bayer, Volkswagen, Mercedes-Benz, BMW, Adidas, Siemens dhe Commerzbank, pritet të udhëtojë me Merz, sipas gazetës gjermane Handelsblatt. Kompanitë përfshijnë prodhues automobilash, konglomerate industriale, gjigantë farmaceutikë, institucione financiare dhe kompani mallrash të konsumit.
Merz tha se do të diskutojë bashkëpunimin e ardhshëm midis Evropës, Gjermanisë dhe Kinës. “Ekuilibri i duhur i bashkëpunimit” do të jetë në qendër të udhëtimit, sipas një zëdhënësi të qeverisë gjermane.
“Politika e jashtme sot është gjithashtu politikë ekonomike e jashtme, dhe politika ekonomike e jashtme është një pjesë thelbësore e politikës sonë ekonomike”, tha Merz në kongresin e partisë konservatore CDU në Stuttgart më 21 shkurt.
Sipas të dhënave të fundit nga Zyra Federale e Statistikave Gjermane (Destatis) Kina rifitoi pozicionin e saj si partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në vitin 2025, një titull që e mbajti nga viti 2016 deri në vitin 2023. Tregtia midis dy vendeve arriti në 251.8 miliardë euro (rreth 297.3 miliardë dollarë), një rritje prej 2.1% nga viti 2024.
“Bota është bërë më e pasigurt dhe aleancat të cilave u kemi besuar dhe mbi të cilat jemi mbështetur po fillojnë të shkërmoqen”, tha Ministrja Gjermane e Ekonomisë Katherina Reiche në Samitin e Energjisë Handelsblatt, duke këmbëngulur në nevojën për të kërkuar partnerë të rinj, ndërsa Uashingtoni mbështetet te tarifat.
Kompanitë gjermane kanë qenë prej kohësh të përkushtuara ndaj tregut kinez shumë konkurrues, i cili është bërë një pikë referimi për teknologjitë në zhvillim.
Oliver Zipse, Kryetari Ekzekutiv i BMW-së dhe pjesë e delegacionit të Merz, tha më 19 shkurt se bashkëpunimi me Pekinin është thelbësor.
Zipse theksoi: “Ata që e mbyllin mendjen ndaj potencialit të madh të tregut dhe inovacionit të Kinës po humbasin mundësi të mëdha për rritje globale dhe sukses ekonomik”.
Më pak se dy javë më parë, në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ministri i Jashtëm Wang Yi theksoi se Kina dhe Evropa duhen parë si partnere dhe jo si “rivalë sistemikë”
/cgtn





























































