Anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) pa të drejtën e vetos. Kjo ide po diskutohet në mesin e zyrtarëve evropianë, por jo publikisht, teksa të paktën dy udhëheqës të Ballkanit Perëndimor publikisht kanë shprehur gatishmërinë për të pranuar një mundësi të tillë për hir të anëtarësimit në të ardhmen në bllok.
E drejta e vetos, e parashikuar në traktatet themeluese të BE-së, nënkupton mundësinë që, në disa vendime politike për të cilat kërkohet unanimiteti, siç është ajo për pranimin e anëtarëve të rinj, çdo shtet anëtar mund ta bllokojë vendimin.
Diskutimi mbi mundësinë që gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të pranohen në BE pa të drejtën e vetos po shfaqet si një opsion, që përmendet në lidhje me negociatat për paqe në Ukrainë, për të cilat iniciativën kryesore aktualisht e kanë Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse BE-ja formalisht nuk është e përfshirë në këto negociata, po shqyrtohet mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në bllok si pjesë e një pakete të një marrëveshjeje të paqes me Rusinë. Këtë disa herë e kanë konfirmuar për gazetarët në mënyrë joformale zyrtarë amerikanë.
Dhjetë shtete i përkasin grupit të zgjerimit: gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia, edhe pse pjesë e këtij procesi për më shumë se dhjetë vjet, i ka të ngrira negociatat për anëtarësim.
A mundet që vullneti eventual i Brukselit për të hapur dyert për Ukrainës pas arritjes së paqes të ketë edhe ndikim për shtetet e Ballkanit?
Cili është qëndrimi i Komisionit Evropian?
Kur u pyet për një lehtësim të mundshëm të kritereve për anëtarësim të vendeve të Ballkanit, shërbimi për media i Komisionit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se zgjerimi i BE-së tani nuk shihet vetëm nga këndvështrimi i përfitimeve ekonomike, por edhe në një kontekst sigurie.
“Zgjerimi sjell përfitime të qarta si për shtetet anëtare, ashtu edhe për vendet që synojnë anëtarësimin. Debati aktual tregon qartë një gjë: zgjerimi ka lidhje edhe me sigurinë. Në kontekstin aktual gjeopolitik, duhet të sigurohemi që qasja jonë të përmbush qëllimin”, thuhet në përgjigjen e KE-së.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se që anëtarësimi në të ardhmen i Ukrainës në bllok është pjesë e negociatave për paqe, por Brukseli nuk dëshiron që ta paragjykojë rezultatin.
“Është e qartë se integrimi në BE mund të kontribuojë në qëllimin tonë të përbashkët: sigurimin e paqes dhe prosperitetit për Ukrainën. Kjo është gjithashtu ajo që përfaqëson ‘Korniza për Prosperitet’”, thanë nga shërbimi për media i KE-së.
“Korniza për Prosperitet” është një dokument amerikano-evropian për Ukrainën, i hartuar për t’i dhënë Kievit garanci financiare, së bashku me garanci sigurie, për stabilizimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës me Rusinë.
Kush qëndron pas këtij propozimi joformal?
Marta Kos, komisionare për Zgjerimin dhe politikane nga Sllovenia, është mbështetëse e rishikimit të së drejtës së vetos për anëtarët e ardhshëm, me qëllim që anëtarësimi të bëhet më i lehtë, thotë për REL-in një burim brenda KE-së.
Kos deri më tani nuk ka folur publikisht për këtë mundësi, ndërsa një bashkëbisedues i REL-it thotë se qëndrimi i saj nuk gëzon mbështetje të plotë në KE. Në fakt, në mesin e 27 shteteve anëtare nuk ekziston një pozicion i qartë, as entuziazëm në lidhje me një ndryshim të mundshëm të “rregullave të lojës” në procesin e pranimit të anëtarëve të rinj.
Po ashtu, burime jozyrtare nga Komisioni Evropian vlerësojnë se kryetarja e këtij institucioni, Ursula von der Leyen, mund të mbështesë një ide të tillë nëse ky do të ishte çmimi që duhet paguar për përfundimin e luftës në Ukrainë. Më saktësisht, sqarohet se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse do të ishte e sigurt që një iniciativë e tillë të pranohej, të paktën për t’u shqyrtuar, nga shtetet anëtare të BE-së.
Çfarë do të përfshinte ky ndryshim? Së pari, heqja dorë nga e drejta e vetos, pastaj anëtarësimi gradual, fillimisht përmes qasjes në tregun e përbashkët, me një monitorim të mundshëm të shtuar në të gjitha fazat, deri në anëtarësimin e plotë, kur të plotësohen të gjitha kriteret.
Tregu i përbashkët i BE-së, i krijuar në vitin 1993, funksionon si një hapësirë unike pa kufij, ku zbatohet koncepti i “katër lirive”: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit. Shtetet e Ballkanit Perëndimor, fqinjët më të afërt të BE-së, e nuk gëzojnë këtë mundësi. Edhe pse nuk janë anëtare të BE-së, qasje në këtë treg kanë Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda.
Për më tepër, kriteri që u vendos për të gjitha shtetet që gravitojnë drejt BE-së, dhe nga i cili nuk bëhet kompromis, lidhet me sundimin e ligjit.
Cilën detyrë duhet të përmbushë Serbia?
Ndryshimet e fundit në ligjet e drejtësisë, të iniciuara nga partia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë vendosur qartësisht sundimin e ligjit në krye të kushteve për Serbinë, e cila është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012.
Zyrtarët evropianë theksojnë se Serbia kohët e fundit ka shënuar regres në sundimin e ligjit përmes miratimit të ligjeve kontroverse të drejtësisë.
Komisioni Evropian ka vlerësuar se me këtë Serbia ka bërë një hap pas në procesin e integrimit evropian, pasi këto ligje, sipas mendimit të Brukselit, rrezikojnë pavarësinë e gjyqësorit. Bëhet fjalë për një kërkesë padyshim të ndjeshme për Beogradin, i cili ka kryer ndryshime në drejtësi në një moment kur pushteti përballet me protesta të gjera e ku kërkesat kryesore lidhen me luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Mesazhi nga Brukseli ka bërë jehonë në Beograd, dhe shefi i misionit të Serbisë pranë BE-së, Daniell Apostolloviq, ka deklaruar se nuk do të hapen tre kapituj të rinj në negociata derisa çështja e ligjeve të mos zgjidhet.
Vetë presidenti Vuçiq, i cili mbështeti ndryshimet në ligjet e drejtësisë, në kontekstin e negociatave me BE-në ka kushtuar më shumë vëmendje çështjes së vetos. Serbia do të ishte e gatshme të heqë dorë nga e drejta e vetos për hir të anëtarësimit, tha Vuçiq më 16 shkurt në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Aspekti më i rëndësishëm për ne është tregu i përbashkët dhe lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Këto janë vlerat qendrore që duam t’i arrijmë përmes anëtarësimit në BE”, deklaroi Vuçiq, raportoi gazeta gjermane.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, ashtu si dhe institucionet përgjegjëse për negociatat me BE-në, nuk janë prononcuar për këtë çështje.
Vuçiq nuk është i vetëm. I përballur me akuza për korrupsion, që kanë çuar në protesta dhe përplasje në rrugët e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, disa herë në dy muajt e fundit ka deklaruar se është i gatshëm të heqë dorë nga e drejta e vetos për një gjysmë-anëtarësim në BE./REL





























































