Presidenti kinez Xi Jinping u takua të mërkurën në Pekin me kancelarin gjerman Friedrich Merz, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.
Xi Jinping-u theksoi se Kina e Gjermania janë përkatësisht ekonomia e dytë dhe ajo e tretë më e madhe në botë dhe marrëdhëniet kino-gjermane nuk lidhen vetëm me interesat e të dy vendeve, por kanë edhe një efekt të rëndësishëm në Evropë dhe në botë. Situata aktuale ndërkombëtare po përjeton ndryshimet më të thella që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Sa më e trazuar dhe komplekse të bëhet bota, aq më shumë duhet që Kina dhe Gjermania të forcojnë komunikimin strategjik, të rrisin besimin e ndërsjellë strategjik dhe të promovojnë zhvillimin e vazhdueshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik dypalësh.
Xi paraqiti tre sugjerime për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve Kinë-Gjermani.
Presidenti kinez Xi Jinping u takua të mërkurën në Pekin me kancelarin gjerman Friedrich Merz/Foto nga Xinhua
Së pari, të dy vendet duhet të bëhen partnerë të besueshëm që e mbështesin njëri-tjetrin. Kina dhe Gjermania janë përqendruar në zhvillimin e tyre dhe kanë arritur përparim të shpejtë, duke iu përmbajtur respektit dhe besimit të ndërsjellë, hapjes e bashkëpunimit, dhe kanë shkruar një histori suksesi me përfitim të ndërsjellë për të dy vendet. Kina i përmbahet rrugës së zhvillimit paqësor dhe ka aftësinë e besimin për të arritur modernizimin e stilit kinez. Ajo do të vazhdojë të ndajë mundësitë e zhvillimit me të gjitha vendet e botës, përfshirë Gjermaninë. “Shpresojmë që Gjermania do ta shohë zhvillimin e Kinës në mënyrë objektive e racionale, do të ndjekë një politikë pozitive e pragmatike ndaj Kinës dhe do të punojë me Kinën për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të marrëdhënieve kino-gjermane,” u shpreh kreu i shtetit kinez.
Së dyti, Kina dhe Germania duhet të bëhen partnere të hapura dhe me dobi të ndërsjellë në inovacion. Strategjia e re e zhvillimit e qeverisë gjermane në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe digjitalizimit përputhet ngushtë me drejtimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar të Kinës për zhvillimin inteligjent, të gjelbër dhe të integruar. Të dyja palët duhet të forcojnë harmonizimin e strategjive të tyre të zhvillimit, të mbështesin fluksin e dyanshëm të talenteve, njohurive e teknologjisë, si edhe të nxisin dialogun dhe bashkëpunimin në fusha të përparuara si inteligjenca artificiale. Të dyja palët duhet ta kuptojnë saktë marrëdhënien midis konkurrencës dhe bashkëpunimit, të kërkojnë rrugë bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë dhe të ruajnë së bashku qëndrueshmërinë dhe funksionimin e qetë të zinxhirëve industrialë e të furnizimit.
Së treti, theksoi Xi, Kina dhe Gjermania duhet të bëhen partnere në fushën kulturore që e kuptojnë dhe e vlerësojnë njëra-tjetrën. Kina dhe Gjermania janë vende të mëdha me trashëgimi të thellë kulturore. Të dy palët duhet të forcojnë mësimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin mes qytetërimeve, të përmirësojmë shkëmbimet njerëzore dhe të konsolidojnë themelet e opinionit publik për miqësinë kino-gjermane.
Xi Jinping-u theksoi më tej që, përballë peizazhit global në zhvillim të shpejtë, të gjitha vendet duhet të qëndrojnë së bashku në të mira e në të këqija, duke ndarë një fat të përbashkët. Kina dhe Gjermania duhet të mbështesin pozicionin thelbësor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të rigjallërojnë rolin e saj udhëheqës dhe të marrin rol drejtues në mbrojtjen e multilateralizmit, praktikimin e sundimit ndërkombëtar të ligjit, mbrojtjen e tregtisë së lirë dhe nxitjen e solidaritetit dhe të bashkëpunimit. Kina përkrah vetëmbështetjen dhe vetëforcimin e Evropës dhe shpreson që Evropa do të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën, do të mbështesë partneritetin strategjik, do t’i përmbahet hapjes, përfshirjes e bashkëpunimit fitimprurës për të dyja palët, duke arritur një zhvillim më të madh në marrëdhëniet dypalëshe dhe duke dhënë kontribute më të mëdha për paqen dhe zhvillimin botëror.
Nga ana e tij, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Kinë gjatë kremtimeve të Festës së Pranverës dhe i uroi popullit kinez një Vit të begatë të Kalit. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Gjermania dhe Kina kanë ruajtur shkëmbimet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë, duke sjellë përfitime për popujt e të dy vendeve. Gjermania i vlerëson shumë marrëdhëniet e saj me Kinën, i përmbahet fort politikës së “një Kine” dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të vazhduar traditën e miqësisë, për të mbështetur respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e hapur, si edhe për të thelluar vazhdimisht partneritetin e gjithanshëm strategjik midis dy vendeve. Bizneset gjermane i kushtojnë rëndësi të madhe tregut kinez dhe shpresojnë të thellojnë më tej bashkëpunimin me Kinën për të arritur përfitime të ndërsjella dhe zhvillim të përbashkët. Situata ndërkombëtare po kalon ndryshime të thella dhe Gjermania e Kina mbajnë përgjegjësinë e rëndësishme për t’u përballur së bashku me sfidat globale. Gjermania mirëpret forcimin e koordinimit me Kinën, mbështetjen e tregtisë së lirë dhe kundërshtimin e proteksionizmit. Zhvillimi i një marrëdhënieje të besueshme dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis BE-së dhe Kinës është në interes të të dyja palëve dhe gjithashtu favorizon qëndrueshmërinë dhe prosperitetin global. Gjermania e përkrah forcimin e dialogut e të bashkëpunimit midis BE-së dhe Kinës.
Të dy udhëheqësit shkëmbyen pikëpamje edhe për krizën e Ukrainës. Xi Jinping-u shpjegoi qëndrimin parimor të Kinës, duke theksuar se çelësi është kërkimi i një zgjidhjeje nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve. Sipas tij, është thelbësore të mundësohet pjesëmarrja e barabartë e të gjitha palëve për të forcuar themelet për paqen, të sigurohet trajtimi i shqetësimeve të ligjshme të të gjitha palëve për të rritur vullnetin për paqen, si edhe të garantohet arritja e sigurisë së përbashkët për të ndërtuar një arkitekturë paqeje të qëndrueshme./cgtn



























































