Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) zhvilloi të premten një mbledhje, ku u diskutua draftprojekti i planit të 15-të 5-vjeçar mbi zhvillimin ekonomik e shoqëror të Republikës Popullore të Kinës, që do të paraqitet nga Këshilli i Shtetit për rishikim në sesionin e 4-t të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës, si edhe projektraporti i punës qeveritare që do të paraqitet për shqyrtim dhe diskutim në AKP.
Mbledhjen e drejtoi sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, Xi Jinping.
Në mbledhje u tha që, pas përpjekjeve të vazhdueshme për pesë vjet, janë realizuar me sukses objektivat kryesore të planit të 14-të 5-vjeçar dhe fuqia ekonomike, shkencore dhe komplekse e Kinës është ngjitur në një shkallë të re.
Mbledhja vuri në dukje që plani i 15-të 5-vjeçar ka rëndësi të madhe për zhvillimin cilësor të ekonomisë e shoqërisë dhe do të hedhë një bazë më të fortë për arritjen në përgjithësi të modernizimit socialist.
U theksua po ashtu që, për nxitjen e zhvillimit ekonomik shoqëror gjatë periudhës së planit të 15-të 5-vjeçar, duhet të ngulet këmbë në punët ekonomike dhe të vihet fokusi te zhvillimi me cilësi të lartë, me reformën e inovacionin si forcë drejtuese dhe me plotësimin e kërkesës së popullit për një jetë të mirë si synim thelbësor.
Mbledhja kërkoi edhe që të vazhdojnë të zbatohen politika më proaktive fiskale dhe politika monetare me lehtësim të përshtatshëm. Duhet të bëhen përpjekje për ndërtimin e një tregu të madh vendas, të forcohet vetëmbështetja teknologjike e shkencore, të vazhdojë thellimi i reformës në sektorët kryesorë, të zgjerohet më tej hapja me nivel të lartë, si edhe të nxitet lulëzimi rural dhe urbanizimi i ri e zhvillimi i koordinuar mes krahinave të ndryshme. Duhet të shtohen përpjekjet për garantimin dhe përmirësimin të nivelit të jetesës dhe të përshpejtohet transformimi i gjithanshëm i gjelbër./cgtn





























































