Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, deklaroi të mërkurën se nuk duhet tejkaluar vija e kuqe për mbrojtjen e civilëve në konflikte.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK, i bëri deklaratat gjatë një bisede telefonike me Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
Abdullah informoi Wang-un për situatën rajonale dhe qëndrimin e EBA-së, duke thënë se vendi i tij nuk është palë në luftë, nuk ka marrë pjesë në konfliktin aktual dhe nuk duhet t’i nënshtrohet sulmeve të paligjshme.
Ai shprehu mirënjohje për qëndrimin objektiv dhe të paanshëm të Kinës, duke shtuar se EBA pret që Kina të vazhdojë të luajë një rol aktiv dhe të rëndësishëm në rrethanat e rënda aktuale, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve rajonale.
Abdullah tha se EBA do të vazhdojë të marrë masa për të garantuar sigurinë e personelit dhe institucioneve kineze në vend.
Nga ana e tij, Wang ripohoi qëndrimin parimor të Kinës për situatën aktuale në Iran, duke vënë në dukje se përhapja e luftës nuk i shërben interesave të askujt dhe se populli i rajonit do të ishte ai që do të vuante.
Ai theksoi se nuk duhet të sulmohen objektivat joushtarake që lidhen me energjinë, ekonominë dhe jetesën e njerëzve dhe se duhet të mbrohet siguria e rrugëve të lundrimit.
Wang vuri në dukje se EBA kishte punuar për paqen edhe para se të shpërthente konflikti. Një takim i fundit i ministrave të jashtëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, theksoi se dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë për të kapërcyer krizën aktuale dhe për të mbrojtur sigurinë rajonale, gjë që Kina e vlerëson.
Kina mbështet kërkesat legjitime të EBA-së për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare. Gjithashtu mbështet vendet e rajonit në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes mjeteve diplomatike, tha Wang.
Kina nuk do të heqë dorë nga shpresa për paqe dhe do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv, tha Wang. Ai shtoi se Kina do të dërgojë në rajon të dërguarin e saj special për çështjen e Lindjes së Mesme, për të ndërmarrë përpjekje ndërmjetësuese në ndihmë të kthimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Wang shprehu gjithashtu shpresën se EBA do të vazhdojë të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve kineze në vend./cgtn





























































