Në konferencën për shtyp në kuadër të sesionit të katër të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës të zhvilluar të shtunën, drejtori i Komitetit Kombëtar të Shëndetit (NHC) të Kinës Lei Haichao dha detaje mbi zhvillimin e shërbimeve shëndetësore dhe të kujdesit mjekësor në Kinë gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), duke paraqitur një sërë numrash si 52.6% dhe 15 minuta.
Në vitin 2025, përqindja e vizitave mjekësore në institucionet mjekësore dhe shëndetësore të nivelit parësor në Kinë përbënte 52.6% të totalit të vizitave mjekësore të vendit, tha Lei Haichao.
Sipas tij, mbi 90% e familjeve urbane dhe rurale tani mund të arrijnë në institucionin mjekësor më të afërt brenda 15 minutash.
Përmes përpjekjeve të vazhdueshme, Kina ka ndërtuar 1.1 milion institucione mjekësore me mbi 16 milionë punonjës mjekësor. Numri i mjekëve të regjistruar ka arritur në 5.29 milionë dhe numri i infermierëve të regjistruar ka tejkaluar 6.03 milionë.
Jetëgjatësia mesatare e kinezëve në vitin 2025 ishte 79.25 vjeç, që është 1.32 vjet më e lartë se në vitin 2020.
Drejtori Lei Haichao u shpreh se në pesë vitet e ardhshme, Kina do të zbatojë një sërë projektesh kyçe në sektorin e shëndetësisë për të forcuar infrastrukturën e kujdesit shëndetësor duke ngritur kapacitetin e rehabilitimit.
Një sërë mjetesh teknologjike duke përfshirë shërbimet mjekësore të lëvizshme, telemjekësinë, konsultimet mjekësore në internet etj., do të përdoren për të rritur nivelin e shërbimeve mjekësore.
Kina gjithashtu do të promovojë mjekësinë tradicionale kineze (MTK) në nivel global, për të përballuar së bashku sfidat botërore të shëndetit publik./cgtn




























































