Shqipëria depoziton projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit dhe IRGC e Hezbollahun organizata terroriste
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria do të shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit dhe Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahun si organizata terroriste, njofton Anadolu.
Në një konferencë për mediat nga selia e Kryeministrisë, Rama foli për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe masat që Shqipëria po merr. Ai theksoi se Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet të votojë një rezolutë për këtë çështje.
“Në javën që vjen, Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet të votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit shtet sponsor të terrorizmit dhe bashkë me këtë do të shpallet organizatë terroriste Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) dhe Hezbollahu, që të dyja,” u shpreh Rama. Ai shtoi se këto hapa nuk janë pionierë, pasi disa partnerë dhe aleatë e kanë bërë më parë, por është koha që edhe Shqipëria të veprojë.
Rama gjithashtu theksoi se kriza në Lindjen e Mesme po ndikon globalisht dhe në Shqipëri, duke përmendur rritjen e çmimeve të naftës.
Edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, konfirmoi se Tirana së shpejti do të marrë vendimin zyrtar për ta shpallur IRGC-në organizatë terroriste.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi në faqen e tij në Facebook se:
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kam depozituar sot një projekt REZOLUTË të Kuvendit të Shqipërisë ‘Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste’, si dhe të shpallet menjëherë Garda Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste. Përmes kësaj rezolute i bëjmë thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve. Duke shpresuar që propozimi ynë të marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, kemi kërkuar që menjëherë pas miratimit ajo t’i përcillet Qeverisë sonë, qeverive aleate, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës.”
/Argumentum.al



























































