Irani ka paralajmëruar se vendndodhjet ushtarake të SHBA-së në Emiratet e Bashkaura Arabe mund të bëhen “objektiva legjitime” pas sulmeve të raportuara amerikane ndaj Ishullit Kharg, një nga qendrat më të rëndësishme të eksportit të naftës së Iranit.
Paralajmërimi erdhi nga zyrtarë të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, sipas deklaratave të publikuara nga mediat iraniane. Një zyrtar nga selia qendrore Khatam-al Anbiya tha se Irani rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur ndaj asaj që e cilëson si sulme raketore amerikane ndaj territorit iranian.
“Ne deklarojmë për udhëheqësit e Emirateve se Republika Islamike e Iranit e konsideron të drejtën e saj legjitime… të godasë burimin e lëshimit të raketave të armikut amerikan në porte, doket dhe vendstrehimet e personelit ushtarak amerikan në disa qytete të Emirateve,” thuhet në deklaratë.
Banorëve në Emiratet e Bashkuara Arabe u është kërkuar të qëndrojnë larg porteve, dokëve dhe zonave ku ndodhen forca amerikane “për të shmangur çdo rrezik”.
Kharg Island, e vendosur në Gjirin Persik, përpunon dhe eksporton një pjesë shumë të madhe të naftës iraniane dhe konsiderohet një nga objektet më strategjike energjetike të vendit. Çdo sulm ndaj kësaj zone mund të ketë ndikim të madh në sigurinë rajonale dhe në tregjet globale të energjisë.
Ndërkohë, Abolfazl Shekarchi, zëdhënës i lartë i forcave të armatosura iraniane, u bëri thirrje liderëve të vendeve myslimane në Lindjen e Mesme që të bashkohen kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Sipas mediave shtetërore iraniane, ai u kërkoi qeverive të rajonit të mos besojnë në atë që e quajti “fuqi boshe” të SHBA-së, duke pretenduar se Uashingtoni nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e vendeve të rajonit.
Zhvillimet e fundit vijnë në një moment tensioni të lartë mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke rritur shqetësimet se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të kërcënojë stabilitetin në rajonin e Gjirit, ku disa vende strehojnë baza ushtarake amerikane.
/Argumentum.al



























































