Vladimir Medoviç-radar.rs[i]
Për Europën janë të njohur shumë mirë truket e ndryshme të cilët i përdorin disa shtete në mënyrë që, me justifikimin e riorganizimit të organeve të drejtësisë, të ndryshojnë dhe transferojnë gjykatës dhe prokurorë jashtë procedurës së miratuar.
Nëse do të gjykojmë sipas tekstit të përbashkët të Vuçiçit dhe Ramës të publikuar në gazetën ditore Frankfurter algemajne cajtung (FAZ), Serbia dhe Shqipëria në këtë moment do të ishin të kënaqura me integrimin e përshpejtuar dhe tregun e brendshëm të BE-së dhe zonën Shengen, pa antarsim politik në Bashkimin Europian. Autorët e tekstit nisen nga supozimi se reformat e brendshme të BE-së, të cilat përfshijnë ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes dhe eleminimin e të drejtës së vetos, janë parakusht për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor në Ballkanin Perëndimor. Duke patur parasysh se mes shteteve antare nuk ekziston dakordësi mbi ndryshimin e marrëveshjes së themelimit të BE-së dhe meqënëse Shqipëria dhe Serbia, ja pra, e paskan me ngut, këto dy shtete, për momentin, do të hiqnin dorë nga antarsimi në BE dhe e drejta e votës në rastin e marrjes së vendimeve. Në këmbim këto dy shtete do të bëheshin pjesë e tregut të brendshëm të BE-së dhë zonës Shengen, gjë që qytetarëve të tyre do t’u mundësonte të përdornin të gjithë lehtësitë që kanë qytetarët e Unionit. Nga përmbajtja e artikullit të të dy autorëve, me mënyra të përafërta qeverisje, dikush i paditur mund të mendojë se këta dy shtete gjenden bash në fundin e procesit të antarsimit në Bashkimin Europian dhe, duke hequr dorë nga antarsimi politik, i bëjnë BE-së një favor të madh. Dhe nuk është se vinë duarbosh. Serbia nga ana e saj, në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Shengen, si pajë, sjell ligjet e Mrdiçit (Paketë prej pesë ndryshimesh të ligjeve mbi sistemin e drejtësisë, të quajtura sipas propozuesit, Ugjlesha Mrdiç, deputet i Partisë Përparimtare në pushtet. Këto propozim ligjesh, opozita në parlamentin serb e sheh si një përpjekje tjetër e pushtetit për të vënë sistemin e drejtëësisë nën kontrollin e qeverisë. Shën. i përkth.) si modele të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar.
Pra, cili është qëllimi i vërtetë i inicitivës së Vuçiçit dhe Ramës?. Si njëri ashtu edhe tjetri janë të vetëdijshëm se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur limitet fundore të reformës në procesin e antarsimit në Bashkimit Europian. Kalimi nga harmonizimi i thjeshtë teknik i rregullores me të drejtën e Bashkimit Europian për reforma thelbësore nëpërmjet të cilave do të sigurohej respektimi i parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës do të kërcënonte vetë themelet e pushtetit të tyre. Vuçiçi ndoshta është penduar tashmë për ndryshimet e Kushtetutës që u bënë me kërkesë të Bashkimit Europian dhe të cilat mundësuan njëfarë pavarësie të sistemit të drejtësisë. Në kushtet e presionit të brendshëm gjithnjë e më të madh ndaj pushtetit pas rënies së tarracës në Novi Sad, seti i ligjeve të Mrdiçit për ndryshimin e ligjeve të drejtësisë ka si qëllim t’a kthejë akrepin një orë prapa dhe të rikthejë kontrollin politik ndaj “sistemit të drejtësisë së rrëmbyer”, sidomos prokurorisë.
Nën goditjen e ligjeve të Mrdiçit e para u gjend Prokuroria për kriminalitetin e teknologjisë së lartë e cila humbi statusin e prokurorisë së pavarur dhe kaloi nën kompetencat e Prokurorisë së lartë shtetërore në Beograd në krye të së cilës gjendet prokurori i përgjithshëm besnik e pushtetit politik. Pas riorganizimit të kryer, me vendim të Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit (PPSh) u emërua menjëherë një drejtues i ri i sektorit të veçantë për luftën kundër kriminalitetit të teknologjisë së larttë i cili kryen funksionet e Kryetarit të Këshilit të lartë të prokurorisë në vend të Branko Stamenkoviçit, i papërshtatshëm për pushtetin, i cili kryen funksionin e presidentit të Këshillit të lartë të prokurorisë. Nën goditje gjendet edhe Prokuroria për kriminalitetin e organizuar (PKO). Me shkurtimin e mandatit të prokurorëve të dërguar nga prokuroritë e tjera në PKO, kjo prokurori gjendet nën rrezikun e mbetjes pa gjysmën e prokurorëve, gjë që do ta ngadalsonte ndjeshëm, në mos do t’a paralizonte, punën e saj.
Që gjërat të jenë akoma më keq, qëllimi i shkurtimit të mandatit të prokurorëve të dërguar ka qënë që të ndikohet në ecurinë e hetimeve konkrete dhe proceseve gjyqësore që janë në vazhdim e sipër. Në Këshillin e lartë të prokurorisë, i cili vendos për zgjatjen e mandateve të prokurorëve të dërguar, është bllokuar vendimi për zgjatjen e mandatit të bash atyre prokurorëve që janë duke kryer hetime mbi lëndë të ndjeshme politikisht si “Tarraca”, “Karteli ballkanik” dhe ajo e pesë tonëve marijuanë në Konjuh. Dhe shikoje befasinë, pakicën blokuese e drejtoi bash ministri i drejtësisë. Nga ngjarjet e përshkuara më sipër bie lehtë në sy formati i vendosjes së kontrollit politik nëpërmjet ligjeve të Mrdiçit. Natyrisht, një gjë e tillë nuk i shpëtoi as Komisionit Europian, për të cilin janë të njohura mirë truket e ndryshme që kanë përdorur disa shtete antare, në mënyrë të veçantë Hungaria dhe Polonia, të cilët nën justifikimin e riorganizimit të organeve të drejtësisë kanë zëvendësuar dhe transferuar gjykatës dhe prokurorë jashtë procedurës së përcaktuar me ligj. Për këtë arësye, përfaqësuesit e BE-së i kanë bërë disa herë thirrje pushteit në Serbi që të stopojë zbatimin e ligjeve të Mrdiçit dhe t’i tërheqë. Megjithatë, po ndodh e kundërta, në vend që të presë qëndrimin e Komisionit të Venecias, mendimi i të cilit është kërkuar pas reaksionit të BE-së, ligjet e Mrdiçit zbatohen me shpejtësi në mënyrë që të kryhen ndryshime në kreun e Prokurorisë për kriminalitetin e teknologjisë së lartë në mënyrë që të zëvendësohen prokurorët në prokurorisë për Kriminalitetin e Organizuar të cilët janë të angazhuar me lëndë me interes të veçantë për kreun politik të shtetit. Llogaria e pushtetit është shumë e thjeshtë. Në rast të mendimit negativ të Komisionit të Venecias, ligjet e Mrdiçit mund të tërhiqen, por me kushtin që të mbeten në fuqi pasojat e tyre juridike. Por kjo mund të jetë llogari pa hanxhinë. Ka pak mundësi që Komisionmi Europian, i mësuar me rastet e Hungarisë dhe Polonisë, të pranojë një zgjidhje të tillë. Në mënyrë të veçantë në kushtet e presionit gjithnjë e më të hapur ndaj organeve të drejtësisë, kur ekzistojnë dyshime të bazuara se BIA është përfshirë në përsëritjen e zgjedhjeve për Këshillin e lartë të prokurorisë, gjë për të cilën Prokuroria për Kriminalitetin e organizuar po kryen hetime.
Ndërsa pritet mendimi i Komisionit të Venecias, ekziston edhe një çështje e cila mund ta shpjerë Serbinë në konflikt juridik direkt me Bashkimin Europian. Nëpërmjet ndryshimeve të Mrdiçit në Ligjin për prokurorinë publike është futur edhe neni sipas të cilit Prokuroria e shtetit për çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar duhet të marrë miratimin e ministrisë kompetente për drejtësinë. Një nen i tilli është në kundërhsitm të plotë me Marrëveshjen mbi bashkëpunimin e Serbisë dhe Euroxhast-it (European Union Agency for Criminal Justice Cooperation) të vitit 2019, e cila parashikon se Prokuroria e lartë publike është organi kompetent për ekzekutimin e kësaj marrëveshje. Kujtojmë se Euroxhast-i është njësi e BE-së për bashkëpunim juridik misioni bazë i të cilit është nxitja dhe përmirësimi i koordinimit të hetimeve dhe ndjekjes së veprave të rënda penale dhe kriminalitetit të organizuar të cilat kërcënojnë interesat e dy ose më shumë shteteve antare, dhe në mënyrë të veçantë terrorizmit, tregtisë së njerëzve, tregtisë së narkotikëve, pastrimit të parave etj. Në lidhje me këtë Euroxhast-i ofron mbështetje në hetime konkrete që realizojnë organet nacionale. Kjo ndihmë dhe mbështetje mund t’i ofrohet edhe shteteve joantare mbi bazën e një marrëveshje të veçantë. Marrëveshja për bashkëpunimin e vitit 2029, parashikon që Serbia dhe Euroxhast-i do të bashkëpunojnë në të gjitha fushat që bëjnë pjesë në kompetencat e Euroxhast-it. Por nuk mbetet vetëm në këtë. Ajo mund të përfshijë edhe bashkëpunimin me organet kompetente të shteteve antare në realizimin e hetimeve konkrete, dhe, sipas nevojës, edhe formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe përndjekjen e kryerësve të veprave penale. Sikurse mund të shihet, qëllimi i marrëveshjes me Euroxhast-in është që bashkëpunimi në luftën kundër formave të rënda të kriminalitetit të bëhet operativ dhe efikas, gjë që përjashton ndikimin politik në hetimet konkrete dhe veprimet juridike përkatëse. Por kjo është në kundërshtim të plotë me atë që dëshirohet të arrihet me ndryshimet e Mrdiçit të ligjit me të cilat bashkëpunimi vihet nën kontrollin politik të Ministrisë së drejtësisë.
Nëse ligjet e Mrdiçit zbatohen për bashkëpunimin me Euroxhast-in me këtë do bëhej i pakuptimtë vetë qëllimi i marrëveshjes me këtë institucion të Bashkimit Europian. Vështirë të mendohet se Ministria e drejtësisë do të japë dakordësinë për shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin me Euroxhast-in në lidhje me hetimet eventuale në të cilat, në çfarëdo mënyre, përmenden përfaqësuesit e lartë të pushtetit apo persona të lidhur afër me ta.
Nga ana tjetër ka kohë që PKO nuk merr nga policia serbe transkriptete të komunikimeve skaj që i janë dorëzuar nga Europol-i. Tani pushteti po bën gjithçka në mënyrë që të ndërpresë, ose sëpaku të vërë nën kontroll, shkëmbimin e informacioneve me Euroxhast-in. Për shkak të kundërshtimit të ministrit të drejtësisë dhe antarëve të afërt me të të prokurorisë së lartë publike, në këtë organ që në fillim të muajit mars është bllokuar marrja e vendimit mbi zgjatjen e mandatit të Grodana Janjiçeviçit si prokurore në lidhje me Euroxhast-in. Me këtë kancelaria e hetuesit për lidhje me Euroxhast-in përkohësisht është fikur, dhe niveli i bashkëpunimit me këtë intitucion të Bashkimit Europian është kufizuar në mënyrë të qënësishme për shkak të pamundësisë së komunikimit direkt. Kjo është një prej pasojave të fikjes së zyrës për lidhje. Mosekzistenca e prokurorit për lidhje me selinë e Euroxhast-it rëndon planifikimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta hetimore.
Sipas informacioneve që vinë nga prokuroria e Lartë publike kjo kërcënon hetimet për rreth 200 lëndë nga të cilat nëntë janë nga “shënjestrat e larta” që është term i cili përdoret për antarët e pozicionuar lart të narko-karteleve. Por meqënëse kriminaliteti i organizuar, për nga definicioni është i lidhur me strukturat shtetërore, më e pakta që i duhet këtij pushteti në këtë vit zgjedhor janë skandalet dhe hetimet që mund të ndriçojnë rolin dhe lidhjet e individëve nga strukturat më të larta të pushtetit me narko-kartelet. Oskar, Edo, Mrkus dhe Dollar, tani për tani mund flenë të qetë. Identitet e tyre do të mbeten të fshehtë edhe me çmimin e ndërprerjes së bisedimeve për antarsim në Bashkimin Europian. Këtu e ka burimin edhe ajo historia në fillim të këtij teksti mbi dorëheqjen vullnetare nga antarsimi në Union.
[i] https://radar.nova.rs/politika/vucic-i-rama-inicijativa-oskar-jtok/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA





























































