Kina pritet të përjetojë një rritje të udhëtimeve ndërkufitare gjatë festës së 1 Majit, me flukset ditore të udhëtarëve që hyjnë dhe dalin nga vendi që pritet të jenë mesatarisht 2.25 milionë dhe të arrijnë kulmin në më shumë se 2.4 milionë në një ditë të vetme, tha të martën Administrata Kombëtare e Imigracionit (AKI).
Pushimet pesëditore, që fillojnë më 1 maj, janë një nga periudhat më të ngarkuara të udhëtimit të vitit, të nxitura nga kërkesa e fortë për turizëm dhe vizita familjare.
Aeroportet kryesore ndërkombëtare pritet të njohin një rritje të ndjeshme të trafikut të udhëtarëve. Flukset mesatare ditore ndërkufitare parashikohet të arrijnë rreth 102 000 në Aeroportin Ndërkombëtar “Pudong” të Shangait dhe 55 000 në Aeroportin Ndërkombëtar “Baiyun” të Guangzhou-t, sipas AKI-t.
Pikat e kalimit tokësor që kufizohen me Hong-Kongun dhe Makaon në Kinën Jugore pritet gjithashtu të kenë trafik të rënduar. Numri ditor i udhëtarëve parashikohet të arrijë afërsisht 230 000 në portin “Luohu” të Shenzhen-it. Porti “Gongbei” i Zhuhai-t dhe Porti i Urës Hong-Kong – Zhuhai – Makao parashikohet të trajtojnë përkatësisht rreth 396 000 dhe 129 000 udhëtarë në ditë.
Autoritetet thanë se do të shtojnë masat lidhur me personelin dhe menaxhimin e trafikut për të siguruar kalime kufitare të qeta e të rregullta gjatë periudhës së pikut të udhëtimeve./cgtn



























































