Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Vendimi është marrë pas konsultimeve me partitë politike dhe vlerësimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet vijnë pas krizës politike të krijuar në vend dhe shpërndarjes së Kuvendit.
Vendimi i Haxhiut të enjten vjen pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Më vonë, ajo e bëri publik edhe dekretin formal për mbajtjen e zgjedhjeve më 7 qershor.
Ajo tha se 15 nga 17 partitë e ftuara morën pjesë në takim për të zgjedhur mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit.
Edhe përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se ishin pajtuar që zgjedhjet e reja të mbaheshin më 7 qershor.
Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.
Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ – i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve – parapëlqen 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.
“Si LDK, ne dhamë mendimin tonë që, brenda kornizave ligjore të shpallet 7 qershori si data e zgjedhjeve, meqë edhe KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, sepse i duhet më shumë kohë për organizimin sa më profesional të zgjedhjeve”, tha Lushaku pas takimit.
Po ashtu, edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, konfirmoi se ka “pajtueshmëri pothuajse të plotë” që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.
“Edhe ne jemi pajtuar, edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme për datat, thënë të drejtën, mirëpo po duket që ka qenë pothuajse konsensus i plotë që të jetë data 7 qershor”, tha ai.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme.
/Argumentum.al




























































