Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur në Pekin për një vizitë shtetërore në Kinë, ku do të zhvillojë takime me presidentin kinez Xi Jinping.
Trump u prit me ceremoni madhështore në kryeqytetin kinez, me qilim të kuq, bandë ushtarake dhe roje nderi. Qindra të rinj kinezë valëvitën flamujt e Kinës gjatë mbërritjes së delegacionit amerikan.
Presidenti amerikan zbriti nga avioni presidencial Air Force One rreth orës 19:50 sipas kohës lokale në Pekin. Në ceremoninë e pritjes morën pjesë zëvendëspresidenti kinez Han Zheng, ambasadori amerikan në Kinë David Perdue, si dhe zyrtarë të lartë të diplomacisë kineze.
Në delegacionin që shoqëron Trumpin ndodheshin edhe djali i tij Eric Trump, Lara Trump, sipërmarrësi Elon Musk, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio dhe sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth.

Vizita zhvillohet me ftesë të presidentit Xi Jinping dhe do të zgjasë nga 13 deri më 15 maj. Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, dy liderët pritet të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe, ekonominë globale, sigurinë ndërkombëtare dhe zhvillimet botërore.
Të enjten, Trump është planifikuar të marrë pjesë në një ceremoni mirëseardhjeje dhe të zhvillojë një takim dypalësh me Xi Jinping, përpara se të vizitojë Tempullin historik të Qiellit dhe të marrë pjesë në një banket shtetëror.
Ai do të largohet nga Kina të premten, pas një takimi me çaj dhe një dreke pune me Xi.
Bisedimet e nivelit të lartë mes dy liderëve pritet të përfshijnë tarifa doganore, metale të rralla, inteligjencën artificiale, luftën në Iran dhe çështjen e Tajvanit. Ekspertët parashikojnë se Trump dhe Xi mund të njoftojnë porosi të mëdha kineze për avionë amerikanë dhe sojë, pas përfundimit të takimeve.
Në një postim në Truth Social të hënën, Trump tha se priste që nga samiti të dalin “gjëra të mëdha”.
Kjo konsiderohet një vizitë historike, pasi është vizita e parë presidenciale amerikane në Kinë pas afro nëntë vitesh dhe rikthimi i dytë i Donald Trump në Pekin që nga vizita e tij e parë në vitin 2017.
/Argumentum.al



























































