Qytetarët kanë hyrë në ditën e gjashtë të protestës kundër projektit të parashikuar në Zvërnec. Edhe këtë të premte, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nga ku nisën marshimin drejt Kryeministrisë, duke ndjekur të njëjtin itinerar si në ditët e mëparshme.
Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët vijojnë protestën përpara Kryeministrisë, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit. Në mesin e pankartave të mbajtura nga protestuesit spikaste mesazhi: “Dinjiteti i një kombi nuk negociohet”.
Mes pankartave janë shfaqur edhe thirrje me karakter social dhe ekonomik, përfshirë “Atdheu nuk është në shitje”, “2000 euro metri katror, 600 euro qeraja, 700 euro paga”.
Nga folësit në protestë është njoftuar se tubimi do të vijojë edhe gjatë ditëve të tjera, ku kanë bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në sheshin përpara Kryeministrisë.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama, pas pjesëmarrjes në samitin e zhvilluar në Tivat të Malit të Zi, u drejtua për në Vlorë, ku zhvilloi një takim me banorët e Zvërnecit.

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se investimi i planifikuar në këtë zonë nuk është një ide e re, por një angazhim i bërë publik që gjatë fushatës elektorale. Ai theksoi se zhvillimi i zonës do të realizohet përmes investimeve private.
“Zvërneci nuk doli sot papritur. Unë e kam thënë në fushatë që do të bëjmë një gjë të tillë. Do ta bëjmë me investime private. Isha në Tivat, që dikur ishte vendi më i pazhvilluar i Malit të Zi. Kishte papunësi dhe të rinjtë largoheshin. Një investitor i madh kanadez kishte ardhur në Shqipëri që kur ne ishim në opozitë, por u tërhoq pas problemeve që hasi në atë kohë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se projekti bazohet në marrëveshje mes investitorëve dhe pronarëve privatë. Sipas tij, vendimet për pronat private u takojnë pronarëve dhe investitorëve që arrijnë marrëveshje mes tyre.
“Për pronën private nuk vendos as qeveria dhe as protestuesit. Vendosin pronarët dhe ata që investojnë, në përputhje me ligjin”, deklaroi Rama.
Ndërsa qeveria mbron projektin si një mundësi zhvillimi për zonën, protestuesit shprehen se do të vijojnë reagimet e tyre edhe në ditët në vijim, duke kërkuar rishikimin e planeve për Zvërnecin.
Kujtojmë se ditën e djeshme, protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa për qeverinë: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
(vijon…)
/Argumentum.al




























































