Protestuesit u mblodhën pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej” në ditën e nëntë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, për të marshuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi kërkojnë anulimin e projektit me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.
Edhe ditën e sotme protestuesit përsëritën thirrjen “Shqipëri e re” duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës sikundër edhe ndryshime ligjore si kufizimi i mandateve të kryeministrit apo edhe vendime të drejta nga sistemi gjyqësor.
Ende protesta nuk ka kërkesa të mirëfillta, ndërsa grupi koordinues ka vendosur foltoren përpara Kryeministrisë ku fjalën e merr çdo protestues që ka dëshirë por jo më shumë se për tre minuta.
Ditën e sotme në protestë ka pasur edhe përfaqësi të studentëve që me parullën “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët” kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Duam drejtësi” dëgjohet thirrja e protestuesve kryesisht të rinj që më pas nisën marshimin drejt bulevardit.
“Zvërneci në grykë do ju ngeci” ishte thirrja më e fundit që doli në protestë. Po ashtu, protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të “Astirit” që sipas një protestuesi rezistoi me muaj të tërë derisa u shit nga Basha.
Grupi koordinues bëri thirrje që të mos preken flamujt e Izraelit të ngritur në bulevard për shkak të Javës Kulturore Izraelite. “Nuk kemi gjë me asnjëri veç dy pushtuesve”, u dëgjua në megafonin e protestës.

Në protestë u luajt dhe himni i flamurit që u këndua në kor nga të pranishmit.
“Opozita jemi ne” ishte thirrja e radhës ndërsa në megafon u tha se do të mbajnë fjalën e tyre pesë personalitete. Grupi koordinues njoftoi se nuk do të kishte fjalime të gjata por një kërkesë të vetme: dorëheqje. Në megafon u tha se në datën 10 qershor do të mbahet protesta mbarëshqiptare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Vetëm një emërues të përbashkët kemi, jemi shqiptarë dhe pasardhës të Skënderbeut. Të jemi sa më tolerantë me njeri-tjetrin, nuk kemi gjë me mbështetësit e partive por nuk duam kryetarët e tyre”, u tha në megafon.
Lëvizja sipas grupit koordinues synon çlirimin e energjive të Shqipërisë përmes hapjes së sistemit, spastrimin nga hajdutëria e derisotme.
Po ashtu, në megafon u tha se edhe në qytete të tjera kanë nisur protesta sikundër edhe në qytete të ndryshme të botës. “Mediet më të mëdha të botës janë sensibilizuar me revolucionin e flamingove”, u tha në megafon.
Me referencë tek Lidhja shqiptare e Prizrenit, grupi koordinues thirri protest kombëtare në datën 10 qershor.
/Argumentum.al




























































