Kryediplomati kinez Wang Yi zhvilloi të enjten në Pekin bisedime me ministren e Jashtme austriake Beate Meinl-Reisinger.
Duke theksuar se ky vit shënon 55-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, vuri në dukje që zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve Kinë-Austri është ngritur mbi bazën e respektit të ndërsjellë, barazisë, hapjes dhe bashkëpunimit të dobishëm për të dy palët.
Ai bëri thirrje për ruajtjen e shkëmbimeve të nivelit të lartë, respektimin e interesave thelbësorë të njëri-tjetrit dhe zgjerimin e bashkëpunimit praktik.
Pala kineze e uron Austrinë për zgjedhjen si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është e gatshme të forcojë bashkërendimin me palën austriake, të mbrojë autoritetin e OKB-së, të mbështesë multilateralizmin e tregtinë e lirë, si edhe të përmirësojë qeverisjen globale, shtoi Wang Yi.
Ai theksoi gjithashtu se Kina dhe Evropa janë partnere e jo kundërshtare, dhe se zhvillimi i Kinës paraqet mundësi e jo sfida për Evropën.
Kurse Meinl-Reisinger tha që Austria i vlerëson lart marrëdhëniet me Kinën dhe do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së një Kine. Ajo shprehu gatishmërinë e palës austriake për ta shfrytëzuar 55-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të forcuar dialogun strategjik dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha si tregtia, investimet dhe zhvillimi i gjelbër.
Meinl-Reisinger shtoi se kompanitë austriake janë të gatshme të thellojnë praninë e tyre në tregun kinez dhe të marrin pjesë në procesin e modernizimit të Kinës. Ajo gjithashtu shprehu mbështetje për një dialog të sinqertë midis Evropës e Kinës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve BE-Kinë.
Të dy palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi krizën në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme./CGTN




























































