Zoran Meter – geopolitika.news*
- Rusia e ka kuptuar se nga shanset historike, të cilat ndoshta do të kishin ndryshuar rrënjësisht botën (ndërsa roli i Kinës ndoshta sot është plotësisht ndryshe), nuk ka asnjë përfitim; se shpresat e saj kanë qenë iluzore dhe se Rusia mbetet për Perëndimin ajo që ka qenë përherë: kërcënim për interesat e tij dhe vend tejet i pasur me burime natyrore, të cilat ai do të duhej t’i administronte me instalimin e një pushteti properëndimor dhe, idealisht, me copëtimin e Rusisë në pjesët përbërëse të saj.
- Tani pozicionet janë marrë, figurat e lehta dhe të rënda janë rreshtuar në lojën politike shumëdimensionale të pllakës gjeopolitike, ndërsa rolet e inkorporuara në këtë “lojë shahu” janë të stërmëdha dhe afatgjata. Tani për tani janë reduktuar në nivelin që njëra palë – as Rusia dhe as Perëndimi – nuk mund t’ia lejojë vetes “komoditetin” e humbjes.
- Paradoksalisht, Putini i urryer në Perëndim, tani është e vetmja shpresë se Rusia nuk do të fillojë luftën bërthamore me Perëndimin.
Lufta në Ukrainë po hyn në fazën e saj përmbyllëse (mund të zgjasë, por edhe jo, ndoshta disa muaj). Përveç zhvillimeve të karakterit ushtarak, janë intensifikuar edhe ato të karakterit politik, si puna e samitit të para disa kohëve në Ankara, si edhe “koalicioni i vullnetarëve” i javës së kaluar në Paris. Karakteristikë e të dyja këtyre aktiviteteve është pohimi përfundimtar i Perëndimit mbi përcaktimin e Rusisë si kërcënimi kyç i sigurisë, por edhe përsëritja e besëlidhjes për ndihmë Ukrainës – pothuajse sipas të njëjtit format që pati përdorur ish-presidenti amerikan Joe Biden: “deri kur të jetë nevoja”, me synimin shkaktimin e humbjeve strategjike për Rusinë.
Lufta në Ukrainë është problemi kryesor gjeopolitik. Në këtë luftë, direkt ose indirekt, marrin pjesë katër nga pesë fuqitë bërthamore – anëtare të KS të OKB-së, e cila pothuajse në fillimin e saj, në vend të racionales (sikurse priste Moska), u shndërrua në konflikt mes Rusisë dhe Perëndimit të udhëhequr nga SHBA-të. Pasi në fillim e bëri Rusia, edhe Perëndimi, pikërisht këtë luftë, e shpalli ekzistenciale për veten e tij.
Ndryshimi në këtë “ekzistencialitet”, kur është fjala për dy palët e kundërvëna ndaj njëra-tjetrës, është tejet i madh. Për Rusinë, ky koncept përbën kërcënim të vërtetë për sigurinë e saj kombëtare, si dhe për mbijetesën, duke pasur parasysh zgjerimin e NATO-s në kufijtë perëndimorë të saj, skemë në të cilën synohej të përfshihej edhe Ukraina, gjë e cila për Moskën ka qenë përherë “vijë e kuqe”. Të tillë e përcaktoi ajo (sot nuk është fjala për kurrfarë faktori befasie), krahas paralajmërimeve se një gjë të tillë nuk ka për ta lejuar kurrë.
Paralajmërime të kota
Pikërisht për këtë patën paralajmëruar edhe gjeostrategët me ndikim amerikanë, si puna e George Kennan-it, arkitektit të parandalimit të BRSS-së në kohën e Luftës së Ftohtë, i cili paralajmëroi se zgjerimi i NATO-s rezultoi me “një Luftë të Ftohtë të re, e cila ndoshta mund të përfundojë me atë të nxehtën”, i ndjeri Henry Kissinger dhe Zbigniew Brzezinski (ky i dyti, që nga shpërbërja e BRSS-së, ishte mbështetësi kryesor i pranimit të Ukrainës në NATO, por pak para vdekjes shkroi dhe foli se kjo ishte një lëvizje e gabuar dhe e rrezikshme).
Brzezinski, i cili ishte edhe ish-këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, pak kohë para vdekjes së tij tha se Ukraina duhet të ketë politikën e “mospërfshirjes në NATO” – gjë të cilën e praktikonte dhe e bënte edhe Finlanda gjatë Luftës së Ftohtë. Finlanda mbajti një distancë gjeopolitike nga Perëndimi, por njëkohësisht krijoi një demokraci të fuqishme dhe lidhje të afërta ekonomike me të. Tha se Rusia po përpiqet të rikthejë krenarinë e saj kombëtare pas shpërbërjes së BRSS-së, por njëkohësisht ishte edhe optimist në lidhje me të ardhmen, edhe përkundër problemeve të vështira që përfaqësonte Ukraina në raportet e Rusisë me SHBA-të ose Perëndimin (intervistë e madhe me Brzezinskin në revistën amerikane “Prospect”).
Kissingeri shumë herë ka folur, por edhe ka shkruar se: “Perëndimi duhet ta kuptojë se për Rusinë Ukraina kurrë nuk do të jetë vend i huaj. Historia ruse ka nisur me Rusinë e Kievit. Feja ruse është përhapur duke nisur që aty. Ukraina ka qenë pjesë e Rusisë për shekuj me radhë. Flota ruse e Detit të Zi – mjeti rus për projektimin e fuqisë në Mesdhe – ka baza në Sevastopol në Krime (sipas një marrëveshjeje shumëvjeçare me Ukrainën).” “Ukraina nuk duhet të përfshihet në NATO”, shkruante “magjistari” i diplomacisë amerikane.
Por e gjitha kjo tani i përket së kaluarës dhe nuk është se ka shumë rëndësi. Definitivisht, gjeopolitikanët, gjeostrategët dhe futurologët më të mëdhenj amerikanë – të cilët i kanë ndryshuar rrënjësisht qëndrimet në lidhje me çështjen e lartpërmendur në fazën e vonë të jetës së tyre, duke kuptuar gabimet e politikave të cilat vetë ata i kanë promovuar – (kjo pikërisht po vërtetohet pas invazionit rus në Ukrainë dhe reaksioneve të Perëndimit ndaj tij) – gjenerata e re e politikanëve amerikanë nuk deshi t’i dëgjonte.
Dhe kjo, edhe përkundër faktit se edhe ata vetë kanë dalë në mënyrë direkte nga e njëjta shkollë, para së gjithash neokonservatore, promotori më i rëndësishëm i së cilës ishte i lartpërmenduri Brzezinski – pasardhës i kontëve polakë, i cili pati emigruar në SHBA. Tani jemi këtu ku jemi dhe rikthim dhe kushte për provim vjeshte më nuk ka.
Sepse, sikurse e thashë edhe më lart, edhe Perëndimi luftën në Ukrainë në vetvete e ka shpallur si “ekzistenciale”. Megjithatë, ky ekzistencializëm është ndryshe nga ai rus i lartpërmendur. Për Perëndimin, lufta në Ukrainë është para së gjithash çështje prestigji. Më saktë, si minimum të cilin nuk guxon ta humbasë për shkak të ruajtjes së dinjitetit në botë si bllok dominues, pothuajse gati hegjemon, gjeopolitik, fuqinë të cilën e ka ndërtuar (dhe mbindërtuar) për shekuj me radhë.
Në fillim nëpërmjet politikës imperialiste të fuqive koloniale europiane dhe, nga fundi i shekullit të 19-të dhe në të 20-tin, edhe nëpërmjet veprimeve luftarake gjeopolitike dhe gjeostrategjike të SHBA-ve, sidomos në periudhën pas shpërbërjes së BRSS-së dhe shpërbërjes së Paktit të Varshavës.
Nuk mundën, kësisoj idili zgjati pak
Për Rusinë, vetë NATO-ja pas shpërbërjes së BRSS-së ishte “relikt i së kaluarës”. Strukturë e panevojshme, e cila nuk kishte kurrfarë kuptimi, sepse Federata Ruse e sapokrijuar, e cila menjëherë flaku tej sistemin komunist dhe pranoi atë kapitalist, ndërtimin liberal të shoqërisë – që tani e konsideronte veten si pjesë të vërtetë të qytetërimit perëndimor (gjë që në thelb është – në kuptimin gjuhësor dhe fetar), me të cilin në të ardhmen dëshironte të ndërtonte një botë të përbashkët.
Për këtë arsye edhe Moska bëri haptazi me dije se në këtë kuptim pranonte edhe udhëheqjen amerikane – SHBA-të, si pararojë e demokracisë, lirive njerëzore, kreativitetit dhe zhvillimit teknologjik. (Për opinionin e gjerë publik është pak i njohur fakti se atëbotë pati edhe diskutime mes dy palëve mbi përfshirjen e Rusisë në NATO, por kjo gjë shumë shpejt në Perëndim u refuzua; ishte e qartë përse, përgjigjja gjendet në vazhdim të tekstit.)
Në këtë periudhë fillestare të pas Luftës së Ftohtë, NATO-ja kaloi nëpër një krizë identiteti: u zhduk rivali i saj kryesor dhe armiku ideologjik, BRSS-ja, për të cilin edhe ishte formuar dhe në kundërvënien ndaj të cilit gjendej pikërisht kuptimi i ekzistencës së saj. Jo rrallë nga goja e politikanëve perëndimorë atëherë mund të dëgjoje fjalë mbi mungesën e nevojës për ekzistencën e saj.
Megjithatë, shpresa e Moskës se Rusia për herë të parë në histori do të bëhej, në mos aleate, atëherë së paku partnere e Perëndimit (deri atëherë kishin ndarë vetëm historinë e mbushur me konflikte të përgjakshme, mosbesime dhe frikë nga njëri-tjetri) – zgjati pak.
Deri në mesin e viteve ’90, kohë kur, pas përmbysjeve të kohëshkurtra brenda strategëve amerikanë dhe elitave politike rreth asaj se çfarë duhej bërë me Rusinë e re (të shfrytëzohej shansi i papritur historik për vendosjen e bashkëpunimit apo të vazhdohej me politikën, kësaj here të shkatërrimit të plotë të Rusisë, njëlloj si ajo që ndodhi me BRSS-në), administrata e Bill Klintonit përfundimisht miratoi politikën e zgjerimit të aleancës së NATO-s në Lindje.
Me këtë akt, Moska u ndje e mashtruar, sepse besonte në “fjalën prej xhentëlmenësh” të partnerëve perëndimorë, mbasi BRSS-ja lejoi bashkimin e Gjermanisë, madje edhe tërhoqi tanket e saj nga Gjermania Lindore, megjithëse një gjë të tillë as e kërkoi dhe as e priste askush – se NATO-ja nuk do të zgjerohej drejt Lindjes.
Rusia e kuptoi se nga shanset historike, të cilat ndoshta do të kishin ndryshuar rrënjësisht botën (ndërsa roli i Kinës ndoshta sot është plotësisht ndryshe), nuk ka asnjë përfitim; se shpresat e saj kanë qenë iluzore dhe se Rusia mbetet për Perëndimin ajo që ka qenë përherë: kërcënim për interesat e tij dhe vend tejet i pasur me burime natyrore, të cilat ai do të duhej t’i administronte me instalimin e një pushteti properëndimor dhe, idealisht, me copëtimin e Rusisë në pjesët përbërëse të saj.
Qysh në këtë moment, i cili u bë motori i ri pas turbullirave afatshkurtra idealiste brenda elitave postsovjetike, mes të dyja palëve u grumbullua vetëm mosbesimi, ndërsa bashkëpunimi u zhvillua ekskluzivisht në ato sfera dhe në ato përmasa të cilat ishin të nevojshme për Perëndimin (para së gjithash për Europën) për të gëzuar të mirat që më përpara ishin plotësisht të pamendueshme: energjinë e lirë dhe të sigurt, burimet natyrore sipas çmimeve afatgjata me Moskën, investime të mëdha dhe me përfitim të lartë në Rusi, si dhe akses të pakufizuar në tregun e stërmadh rus për prodhimet europiane.
Tani është vonë të analizohet gjithçka dhe përse ndodhi e gjithë kjo e lidhur me Ukrainën dhe luftën e atjeshme (për këtë kemi shkruar edhe më parë). Pozicionet janë marrë, figurat e lehta dhe të rënda janë rreshtuar në lojën politike shumëdimensionale të pllakës gjeopolitike, ndërsa rolet e inkorporuara në këtë “lojë shahu” janë të stërmëdha dhe afatgjata. Janë reduktuar në nivelin që njëra palë – as Rusia dhe as Perëndimi – nuk mund t’ia lejojnë vetes “komoditetin” e humbjes.
Humbja për Rusinë de facto do të thoshte destabilizim të plotë politik dhe shoqëror në përgjithësi, destabilitet afatgjatë me pasoja të mundshme dhe të panjohura të dezintegrimit ose, më mirë të themi, të shpërbërjes së vendit. Madje edhe nëse pas humbjes së luftës do të mbetej si vend sovran dhe unik, Rusia do të kishte ndikim tejet të dobësuar global dhe, për të më e keqja, edhe rajonal gjeopolitik.
Paradoksi qëndron në faktin se, në rastin e dështimit të dëshiruar rus dhe, rrjedhimisht, ndryshimit të pritshëm të pushtetit, për të edhe vetë Perëndimi nuk është se do të ishte në gjendje të garantonte ndonjë skenar të lumtur. Kjo do të ndodhte nëse ekskluzivisht në Rusi do të vinin forca politike properëndimore, sikur ishte rasti në një sërë vendesh postkomuniste të Europës Lindore dhe në disa nga shtetet e lindura nga shpërbërja e BRSS-së, por edhe brenda vetë Rusisë pas pavarësimit, në kohën kur ende jetonte në iluzionet e përmendura më sipër.
Meqenëse në Rusi pothuajse nuk ka aspak forca properëndimore (edhe ato pak që ishin u zhdukën nga skena pas fillimit të luftës në Ukrainë), shumë më e mundshme do të jetë që në pushtet të vijnë forcat radikale nacionaliste ruse – të prirura për ashpërsimin e plotë të marrëdhënieve dhe konfrontimin me Perëndimin, meqenëse e dinë se Rusia, krahas SHBA-ve, ka arsenalin më të fuqishëm strategjik dhe jostrategjik të armëve bërthamore në botë (sikurse dihet nga të gjithë, për armët jostrategjike, të njohura me emërtimin armë taktike, Rusia është lider global).
Radikalët, dhe këtë ata nuk e fshehin, por në rrethanat aktuale në të cilat po zhvillohet lufta në Ukrainë, ishin të gatshëm ta përshkallëzonin atë në nivele bërthamore, domethënë të luanin për të gjitha ose asgjë. “Kush dëshiron që për shkak të Ukrainës të hyjë në luftë bërthamore me Rusinë, le të urdhërojë” – është deviza e tyre.
Fakt tragjik dhe kurth nga i cili Europa nuk mund të dalë
Fakti më tragjik, i cili po ndodh sot në të vërtetë në Perëndim dhe për të cilin heshtet (kjo është strategjia e domosdoshme të cilën ka ndërmarrë Perëndimi në lidhje me luftën në Ukrainë dhe për shkakun e së cilës Europa nisi një proces militarizimi të përshpejtuar), është se Vladimir Putini tani është i vetmi garant se Rusia nuk do të nisë e para luftën bërthamore me Perëndimin.
Për shkak të një qëndrimi të këtillë, ai është shënjestër jo vetëm e opsioneve radikale, por edhe të disa individëve brenda radhëve të tij, si dhe analistëve të afërt me Kremlinin. Në vend që këto kritika të shkaktonin shqetësim në Perëndim, zyrtarët e këtushëm e shtrembërojnë plotësisht tërë narrativin dhe e tregojnë nëpërmjet prizmit të ngopjes së Rusisë me luftën dhe dëshirës për paqe.
Kjo me siguri është e saktë – do të donin që lufta të përmbyllej sa më shpejt, por në këtë rast evitohet të thuhet ajo kryesorja: nuk është fjala (së paku jo në masën më të madhe) për kurrfarë pacifizmi rus dhe pranim të paqes në çfarëdo kushtesh, vetëm le të kemi paqen, por për pakënaqësinë e mënyrës së bërjes së luftës nga ana e Putinit, të cilën gjithnjë e më shumë e konsiderojnë të padenjë për dinjitetin rus në botë dhe të dëmshme për interesat gjeopolitike ruse nëpër botë (sipas asaj që kujdesi dhe lëkundja konsiderohen dobësi dhe me të dobëtin askush nuk dëshiron të ketë punë).
Pikërisht për shkak të këtyre kritikave (më pak), si dhe për shkak të përshkallëzimit të luftës nga ana e Ukrainës nëpërmjet goditjeve me dronë në thellësi të territorit rus (më shumë), Putini këto dhjetë ditët e fundit e ka përshkallëzuar luftën, por përsëri, për fat, vetëm në truallin e Ukrainës dhe jo në atë të Europës.
Europa (BE + anëtarët europianë të NATO-s) de facto ka hyrë në luftë me Rusinë
Pa marrë parasysh faktin se e di mjaft mirë, dhe për të cilën, mes tjerash, e thotë haptazi edhe vetë – se pas sulmit me dronë në truallin e Rusisë qëndron Perëndimi, sepse Volodimir Zelenski, pa jo vetëm miratimin, por edhe urdhrin e aleatëve perëndimorë, si dhe dërgesat e të gjitha llojeve të dronëve dhe udhëheqjen e tyre precize me satelitë, nuk do ta ndërmerrte kurrë diçka të tillë të rrezikshme.
Nga ana tjetër, nëse Perëndimi nuk do të kishte qenë dakord me këto sulme (së paku si mosmiratim, qoftë ky edhe jo i sinqertë), do të duhej ta kishte thënë prej kohësh. Por këto dënime të sulmeve nuk ekzistojnë aspak. Për më tepër!
Para pak kohësh kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Gjermania mbështet plotësisht të gjitha sulmet dhe do të vazhdojë me furnizimin e Ukrainës me dronë për vazhdimin e tyre, sepse një gjë e tillë do ta detyrojë Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve për shkak të pasojave për ekonominë ruse dhe furnizimin e makinerisë ruse të luftës me karburante.
Natyrisht, të njëjtën retorikë kanë edhe liderë të tjerë të vendeve europiane të “Koalicionit të vullnetarëve”, gjë e cila u konstatua më së miri edhe javën e kaluar në Paris nën udhëheqjen e Emmanuel Macronit.
Pra, Europa (BE + anëtarët europianë të NATO-s) de facto ka hyrë në luftë me Rusinë për shkak të Ukrainës. Kjo as që fshihet më, por edhe sikur të fshihej, nuk do të kishte kuptim, sepse Rusia kështu e percepton në këtë moment.
Sepse, megjithëse lufta zhvillohet në terrenin ukrainas (ajo ajrore madje ka kaluar ndërkohë edhe në atë rus – sulme me dronë nëpër rafineri dhe anije për transport nafte), ndërsa Europa nuk merr pjesë zyrtarisht në të me forcat e saj ushtarake, ajo merr pjesë në të gjitha format e tjera kryesore: nga financimi i buxhetit ukrainas dhe pikërisht nëpërmjet kreditimit pa pagesë të vendit (zyrtarisht thuhet se kreditë do të kthehen nëpërmjet reparacioneve ruse pas luftës), deri te furnizimi i saj me armë – kryesisht ato amerikane, të cilat i blen për këtë qëllim dhe ia dërgon pa pagesë Kievit.
Në ndryshim nga amerikanët, të cilët paguanin ose mbanin parasysh borxhin deri në pranverën e vitit të kaluar, kohë kur Donald Trumpi e tërhoqi me dinakëri Amerikën nga këto lëvizje të rrezikshme dhe barrën e financimit dhe armatosjes së Ukrainës ia kaloi plotësisht aleatëve europianë.
Natyrisht, megjithëse për këtë shkak mund të dukej ndryshe, Uashingtoni ruajti “shkopin e dirigjentit” në drejtimin e kësaj lufte. Ajo mund ta përfundojë vetëm nëse me këtë bien dakord edhe SHBA-të, madje edhe sikur një gjë të tillë do ta donin në mënyrën më të sinqertë liderët europianë.
Ata e dinë mirë këtë dhe për këtë të gjitha strategjitë amerikane (më saktë anglo-amerikane) i pranojnë pa asnjë kundërshtim si të tyret, europiane, megjithëse një gjë e tillë në thelbin e saj do të thotë fundi i ëndrrave mbi gjeopolitikën dhe autonominë mbrojtëse europiane.
Në fushën e mbrojtjes do të synojnë, nëpërmjet planit të militarizimit të përshpejtuar, madje edhe nëse pjesa kryesore e saj – ruajtja e sigurisë strategjike europiane (e ashtuquajtura çadër bërthamore) – do të vazhdojë të mbetet fort në duart e SHBA-ve, të cilat kurrë nuk do ta lëshojnë nga dora, sepse kjo u siguron kontroll real mbi aleatët europianë.
Në mënyrë që një gjë e tillë të jetë afatgjatë, SHBA-të janë frikësuesi i Europës – dhe për këtë qëllim kanë zgjedhur Rusinë. Nga ky kurth i ngritur, Europa me elitat e tanishme të cilat e udhëheqin nuk mund të dalë. Dhe në këtë fakt, në fakt, qëndron e tërë historia.
Gjithçka varet nga Trumpi dhe Putini; “sanksionet e ferrit”
Tani po i përkushtohem opsioneve që kanë më shumë shanse në lidhje me luftën në Ukrainë dhe, me këtë, edhe me gjendjen e përgjithshme të sigurisë në kontinentin europian, por edhe globalisht.
Para pak kohësh, Putini premtoi përshkallëzimin në përgjigje të sulmeve ukrainase me dronë në thellësi të Rusisë – nëpërmjet të njëjtit lloj sulmesh kundër infrastrukturës ukrainase, por shumëfish më fuqishëm. Kjo edhe filloi, gjë për të cilën ushtria ruse, përveç dronëve, në këto sulme përdor edhe si kurrë më parë raketat balistike, të cilat janë tejet më shkatërruese në krahasim me dronët e vegjël që mbartin një sasi të kufizuar lënde shpërthyese.
Gjendja është veçanërisht e vështirë në Kiev, por edhe në rajonin e Odesës, ku shkatërrohet sistematikisht infrastruktura portuale. Për herë të parë po sulmohen edhe anijet tregtare të cilat lundrojnë (hyjnë ose dalin) në portet ukrainase të Detit të Zi, gjë të cilën Rusia në fillim të luftës evitonte ta bënte për shkak të dënimit nga ana e Perëndimit se me këtë po u hiqte bukën vendeve afrikane, duke bërë të pamundur eksportin e drithërave ukrainase.
Për më shumë! Për këtë arsye Moska, para disa kohësh, me ndërmjetësinë e presidentit turk Erdogan, ka nënshkruar me Kievin marrëveshjen mbi lirinë e lundrimit për anijet tregtare që qarkullojnë brenda dhe dalin nga Ukraina, gjë e cila shpeshherë ka shkaktuar kritikë në shoqërinë ruse, sepse dihet se, përveç nevojave të eksportit, këtë situatë Kievi e shfrytëzonte edhe për transport të armëve perëndimore.
Në ditën që po shkruhet ky tekst, Reuters-i britanik informoi se Rusia, në këtë kohë të shkurtër që kur intensifikoi sulmet ndaj infrastrukturës portuale të Ukrainës, ka pamundësuar eksportin e drithërave me një të tretën.
Njëkohësisht, paralelisht me forcimin e deklaruar të ndihmës europiane për Ukrainën, të shprehur në samitin e para disa ditëve në Ankara dhe në takimin e Koalicionit të vullnetarëve në Paris, po forcohet edhe presioni i kongresmenëve amerikanë ndaj Trumpit për të miratuar ligjin mbi të ashtuquajturat “sanksione të ferrit” kundër Rusisë, bashkëautor i të cilit është senatori-skifter i Partisë Republikane, i ndjerë javën e kaluar, Lindsey Graham.
Miratimin e tij, përveç skifterëve dhe lobistëve proukrainas në të dyja partitë amerikane, e presin me padurim edhe liderët europianë, sepse ky ligj Trumpin, edhe zyrtarisht, do ta largonte nga marrëveshja gojore me Putinin në samitin e Alaskës të pothuajse para një viti (më 15 gusht) mbi kushtet e ndërprerjes së luftës në Ukrainë, dhe i cili nuk është në përputhje me interesat e elitave europiane, të cilat nuk i pyeti askush në lidhje me të.
Njëkohësisht mendojnë se ky ligj do të bënte presion edhe te Putini për të përmbyllur luftën, gjë për të cilën Trumpi joshet me deklarata sipas të cilave, në këtë rast, paqja mund të vijë edhe para zgjedhjeve të muajit nëntor, gjë që do të mundësonte evitimin e një humbjeje të republikanëve aq të pakëndshme për të.
Është fjala pikërisht për vendosjen e sanksioneve dytësore, të cilat do të godisnin eksportuesit kryesorë të naftës ruse nëpërmjet vendosjes nga ana e amerikanëve të tarifave doganore 100 për qind për importimin e prodhimeve të tyre në SHBA. Këtu, në radhë të parë, është fjala për Kinën dhe Indinë.
Sipas disa burimeve mediatike të këtyre ditëve, Trumpi gjoja paralajmëron gatishmërinë e tij për nënshkrimin e këtij ligji, i cili është në pritje prej një kohe të gjatë dhe i cili ndërkohë është modifikuar me kërkesën e Shtëpisë së Bardhë që pushteti ekskluziv për zbatimin e tij t’i jepet vetëm Trumpit, i cili duhet të vendosë kundër kujt dhe kur mund të zbatohet.
Domethënë, Trumpi mund ta përdorë sipas mënyrës që i pëlqen atij. Meqenëse është mjet ideal presioni në bisedime, në vend të kërcënimeve të pakëndshme për “asgjësim të qytetërimit”, me të cilin Trumpi, pa nevojën e lejes së Kongresit, vendos vetë se kundër kujt duhen vendosur sanksionet dhe kur duhen hequr.
Logjikisht, për shkak të këtyre kompetencave, ligji, nëse miratohet, nuk do të hyjë në fuqi automatikisht, por ama pas hyrjes në fuqi do të jetë e vështirë të hiqet, si edhe ligjet e tjera ku kërkohet mbështetja dypartiake.
Por, pavarësisht nga kjo, për Trumpin kjo çështje është tejet më delikate sesa duket në shikim të parë, gjë për të cilën, sikurse duket qartë, ai eviton të japë përgjigje në lidhje me këtë temë. Sepse logjika e lartpërmendur e pasuesve të vijës së fortë proukrainase nuk është krejtësisht e themeltë.
E para, po sikur Putini, në vend të frikës për kapitullim, ta interpretojë këtë ligj si shpallje të luftës tregtare kundër Rusisë dhe, si përfundim, edhe fund të iluzioneve mbi një marrëveshje të mundshme me Trumpin?
Varrosje zyrtare e “frymës së Ankorixhit” (së paku në Rusi askush nuk i beson më kësaj fryme) dhe miratimi i këtij ligji do të thyente edhe levën e fundit në duart e dyshes së liderëve të fuqive më të mëdha bërthamore në botë, se mund të sfidojnë njëri-tjetrin kur të duan dhe të parandalojnë përshkallëzimet e padëshiruara, përfshirë, mbi të gjitha, edhe ato bërthamore, nëse u vjen radha atyre.
E dyta, rreziku nga miratimi i këtyre sanksioneve mund të ekzistojë edhe nëse Putini nuk reagon ashpër ndaj tyre, ose edhe thjesht i injoron, sikur të mos ekzistonin, dhe vazhdon përshkallëzimin e luftës.
Por atëherë me marrëdhënie krejtësisht të ndërprera me Trumpin, i cili – këtë e theksoj shpesh – nuk dëshiron në kurrfarë rrethanash ta përfshijë Amerikën në luftë me Rusinë.
Pavarësisht nga ajo që bëri Trumpi, atë që përmbahej ta bënte Bideni dhe me të cilën mbrojti Europën dhe Kievin – duke lejuar goditje në thellësi të territorit rus – Trumpi, pas një përshkallëzimi nga ana e Putinit, do të jetë i detyruar të përgjigjet ashpër ose të përballet me akuzat e demokratëve dhe të Europës për burracakëri.
Si njëra, ashtu edhe tjetra, për të janë me rrezik. Por, mbi të gjitha, për tërë botën.
Rreziqet nga sanksionet sekondare dhe përfundimi
E treta, ekziston mundësia serioze që ligjin amerikan në fjalë ta injorojnë Kina dhe India, sepse ai në të vërtetë do të përbënte edhe vendosje të luftës tregtare kundër tyre.
Për më shumë! Nëse do ta pranojnë dhe ndërpresin blerjen e naftës ruse, do të vinte puna te një precedent serioz, për të cilin SHBA-të në të ardhmen, atë që po e bëjnë me këtë ligj me Rusinë dhe sektorin e saj energjetik, mund ta zbatojnë edhe kundër dy vendeve të stërmëdha me ekonomi shumë të mëdha.
Kësisoj, nesër mund të vendosin sanksione dytësore kundër shteteve të cilat blejnë prodhime kineze të teknologjisë së lartë ose prodhime farmaceutike indiane, gjë e cila do të ishte sfidë direkte kundër sovranitetit të tyre dhe lëvizje vendimtare në lidhje me zhvillimin e tyre strategjik.
Pra, çfarë do të bënte Trumpi sikur Kina dhe India ta injorojnë ligjin e tij mbi “sanksionet e ferrit” dhe të vazhdojnë të blejnë naftë ruse?
Ose duhet të tolerojë përsëri dhe të mos u vendosë tarifa doganore, ose ndoshta në ferr do të përmbyllej edhe jeta e tij politike dhe bashkë me të edhe ekonomia amerikane, nëse vjen puna deri te lufta tregtare e SHBA-ve me Kinën dhe Indinë, sepse kjo do të ishte shenjë e qartë e fundit të dominimit global amerikan.
Ekzistojnë edhe rreziqe anësore nga sanksionet dytësore amerikane kundër naftës ruse, si puna e atyre të lidhura me luftën e Iranit dhe, në përgjithësi, gjendjen në Lindjen e Afërt.
Nuk është sekret se Europa vazhdon të blejë gazin rus dhe, sikurse njoftonte javën e kaluar “Financial Times”, ajo këtë vit ka blerë sasi rekord; në këtë rast është fjala për gazin e lëngshëm rus (LNG) nga Arktiku.
Në këtë kontekst nuk të çudit shumë edhe lajmi se BE-ja, me mundime të mëdha, ra dakord për vendosjen e paketës së 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, krahas një sërë lëshimesh, domethënë përjashtimesh për vende të veçanta, të cilat kanë të bëjnë me transportin e gazit LNG rus dhe masa që dëmtojnë bankën austriake Raiffeisen, e cila do të humbiste para të mëdha për shkak të tërheqjes së detyruar nga tregu rus.
Kaq për forcimin e pozitës gjeopolitike të Europës, por edhe për seriozitetin e udhëheqësve europianë, të cilët, në rrethana të këtilla, de facto na tërheqin drejt luftës me Rusinë, e cila, sidoqoftë, nuk shfaq kurrfarë shenjash tolerimi në lidhje me synimet e saj kryesore dhe për të cilat nisi luftën në Ukrainë.
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
























































