Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës u ndërpre sërish të shtunën, vetëm pak minuta pasi kishte nisur, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja.
Seanca, e parashikuar të niste në orën 11:00, filloi me rreth një orë vonesë. Kurti mori fjalën në foltore dhe deklaroi se nevojitet më shumë kohë për dialog politik mes forcave parlamentare. Ai përsëriti se një marrëveshje politike duhet të reflektojë edhe rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa për çështjen e presidentit tha se ai duhet të jetë një figurë mbipartiake dhe jashtë aktualitetit politik.
Pas fjalimit të Kurtit, situata në sallën e Kuvendit u tensionua. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, iu afrua Kurtit dhe hodhi vezë në drejtim të tij. Incidenti shkaktoi reagime të menjëhershme mes deputetëve të partive të ndryshme, të cilët u grumbulluan në sallë.
Përballë tensioneve, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Pas incidentit, Kurti tha se nuk ankohet për hedhjen e vezëve, por për mungesën e dialogut politik mes partive.
“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë”, deklaroi Kurti.
Ai tha se nëse hedhja e vezëve drejt kostumit të tij është çmimi që duhet të paguajë në mënyrë që liderët politikë të ulen dhe të dialogojnë për arritjen e një marrëveshjeje, atëherë është i gatshëm ta paguajë këtë çmim.
LVV dhe LDK ende pa marrëveshje
Zhvillimet e së shtunës vijnë në një kohë kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duket se janë ende larg një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
Vetëm pak orë para seancës, Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një tjetër takim, por pa arritur një marrëveshje politike.
Kryesuesi Avni Dehari kishte vendosur më herët që vazhdimi i seancës konstituive të mbahej më 8 gusht, në orën 11:00, pas përfundimit të afatit kushtetues. Seanca ishte ndërprerë më herët, pas kërkesës së Kurtit për më shumë kohë për bisedime politike.
Pas ndërprerjes së seancës, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cilësoi situatën e krijuar në Kuvend si një “pamje të keqe” për institucionin.
Ajo tha se deputetët kanë për detyrë të konstituojnë Kuvendin dhe akuzoi LVV-në për papërgjegjshmëri në përmbushjen e kësaj detyre.
Ngërçi politik në Kosovë vijon kështu të pengojë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, ndërsa partitë parlamentare mbeten pa një marrëveshje për zgjidhjen e krizës.
© 2026 Argumentum




























































