Nga Muhamed HALILI
Politikan dhe diplomat nga Maqedonia e Veriut
Konflikti ushtarak i vitit 2001 erdhi si rezultat i pozitës së rëndë diskriminuese në të gjitha fushat e jetesës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë gjatë periudhës së viteve 1990- 1998.
Diskriminimi, edhe pse i pranishëm edhe gjatë disa dekadave prej vitit 1945, në ish federatën jugosllave, hovin e mori në vitet 1980-1990, në vitet e fundit të shkatërrimit të federatës e në veçanti në vitin 1998, kur Maqedonia bëri ndryshime kushtetuese me Amandamentin 45 të Kushtetutës së saj, me ç’rast i reduktoi shumë të drejta në fushën e arsimit dhe kulturës. Kur gjithë kësaj i shtohet edhe pabarazia ekonomike, ngjarjet nuk duan koment të posaçëm,
Lëvizjet demokratike të viteve të 90-ta, në Evropë, sollën shpresën se në vend do të hapet një perspektivë e zhvillimit të drejtave të barabarta për shqiptarët në Maqedoni.
Në vitet 90-ta shqiptarët masivisht iu bashkangjitën lëvizjeve demokratike në Evropën Lindore, me formimin e Partisë për Prosperitet Demikratik (PPD), e cila në fakt u shndërrua në lëvizje popullore për të drejtat e tyre.
Me pavarësimin e Maqedonisë, në vitin 1991, vendi shprehi nevojën për sjelljen e Kushtetutës së re. Gjatë diskutimeve për sjelljen e Kushtetutës nuk u morrën parasysh sygjerimet e deputetëve shqiptarë në parlament dhe si rezultat i kësaj deputetët e koalicionit PPD-PDP nuk e votuan Kushtetutën. Kushetuta e re me këtë u bë burim i konflikteve dhe represionit të shtetit mbi shqiptarët, duke prodhuar afera konfliktuoze dhe intervenime policore në Bit Pazar të Shkupit, Gostivar, Ladorisht dhe në Universitetin e Tetovës.
Të gjitha këto sjellje të vrazhdëta policore ndaj shqiptarëve lindën mllefin e popullatës me vite të tëra. Partitë e koalicionit shqiptarë PPD-PDP, nën presionin e ndërkombëtarëve dhe konsensusit brendashqiptar u përpoqën ti ndërkombëtarizojnë problemet dhe nevojat e popullatës në organizata ndërkombëtare si: Këshillin e Evropës, BE, OKB, OSBE, por gjendja e rëndë e Kosovës, nën okupimin e regjimit të Millosheviqit nuk lente hapësirë që vëmendja e ndërkombëtarëve të përqëndrohet në Maqedoni.
Megjithatë, duhet veçuar se kjo gjendje filloi të merr rrugën e drejtë në qeverisjen VMRO- DPMNE-PDSH, duke e avancuar në sasi të konsiderueshme pozitën e shqiptarëve në vend, por papritmas situata e mori teposhtëzën. Qeverisja e këtij koaliconi filloi të korruptohet dhe lindën afera të ndryshme korruptive. Zgjedhja e kryetarit Boris Trajkovski solli vjedhje masive të votave dhe premtimet parazgjedhore nuk u realizuan.
Konflikti i vitit 2001, solli thyerje të rregullave të veprimit politik ndërshqiptar në relacionet Shqipëri-Kosovë-Maqedoni. Ai lindi pa një koordinim paraprak të forcave politike në Ballkan, pas një periudhe të sukseshme kur Maqedonia gjatë koalicionit qeveritar PDSH- VMRO strehoi mbi 800.000 shtetas të Kosovës, gjatë gjenocidit serb në Kosovës, pas një periudhe të sukseshme të mbështetjes ndërkombëtare ushtarake me intervenimin e forcave të NATO-s kundër forcave ushtarake serbe.
Nisur nga kjo, forcat politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nuk e përkrahën fillimisht konfliktin në Maqedoni. Ndërkombëtarët i dënuan këto veprime të pasinkronizuara të shqiptarëve dhe veprimtarët i shpallën terroristë.
Me qëllim që situata të vihet në binarë, partië politike shqiptare në Maqedoni bënë veprimin e bashkimit kombëtar, krijuan koalicionin e zgjeruar me forcat politike maqedonase dhe ia nisën bisedimeve të përbashkëta për ndaljen e konfliktit ushtarak.
Këto përpjekje brenda forcave politike në Maqedoni u përkrahën nga BE dhe SHBA ku ndihmesën e tyre për sanimin e gjendjes e ndanë të dërguarit special, James Pardew nga SHBA dhe François Léotard nga BE.

Figura 1: Nga takimi i kryesisë qendrore të PPD-së me ministrin e jashtëm britanik Robin Cook në v. 2001
Para fillimit të bisedimeve shqiptaro-maqedonas, OSBE bëri përpjekje të uljes së tensioneve në vend dhe ndaljen e konfliktit, me një pilot proekt në rrethinën e Kumanovës, ku luftimet kishin marrë hov të madh. Këtë proekt e udhëhoqi ambasadori amerikan në OSBE Robert Frowick, i dërguar special i kryesuesit të OSBE-së, ministrit të jashtëm rumun Mirçea Joana. Pas disa roundeve bisedimesh mes përfaqësuesve shqiptarë të PPD dhe PDSH dhe kryetarit Boris Trajkovski, plani u zbulua dhe partitë politike maqedonase kërkuan nga Robert Frowick ta lëshoj vendin. Ashtu edhe u bë. Bisedimet u ndërprenë dhe pastaj nisi intensifikimi më i madhe i luftimeve.
Pas largimit të Frowick-ut nga Maqedonia, ndodhën ngjarjet e vrasjes së ushtarëve në Bit Pazar, Karpallëk, Vicë, me ç’rast u vranë shumë ushtarë.
Pas gjithë këtyre ngjarjeve BE, SHBA dhe forcat politike shqiptare e maqedonase u bindën se e vetmja rrugë për ndaljen e konfliktit është të fillojnë bisedimet shqiptaro-maqedonas me ndërmjetsimin e faktorit ndërkombëtar.
Ndërmjetësimet brendashqiptare: në kafe te «DORA»
Takimet partiake në lidhje me Planin Frowick, PPD dhe PDSH i bënë të ndara, sepse ende mes tyre nuk ishin krijuar lidhje miqësie pas qëndrimeve diametralisht të kundërta për konfliktin 2001. PDSH nuk i njihte udhëheqsit e UÇK-së, e as që donte të dëgjonte të ulej në një tryezë bisedimesh. PPD mbante qëndrim të kundërt dhe ngulte këmbë që ata t’i ndalin luftimet dhe të amnistohen dhe marrin pjesë në bisedimet eventuale politike me palën maqedonase. Midis liderëve politikë të të dy partive, Imer Imerit dhe Arben Xhaferit, nuk kishte ndonjë miqësi të posaçme pas zgjedhjeve lokale, ku PPD në shenje proteste në të gjitha qytetet u tërhoq nga gara për shkak të incidenteve zgjedhore. Liderët nuk kishin mendim të mirë mes tyre.
Në një intervistë me njohësin e mirë të luftës, Petrit Menaj (2004), Dr. Imer Imeri për Arben Xhaferin shprehet kështu: “…Si politikan i atij kalibri që është, dinte të bënte edhe lajka, dinte të bënte edhe hile për konkurentin e vet, që shpesh herë ia kam zënë për të madhe, sepse ka dashur që të ulë të tjerët dhe, vetë të jetë konkurent i pakontenstueshëm, kurse të tjerët të jenë vetëm në shërbim të tij…”
Nisur nga fakti se, një ulje në tryezë midis dy liderëve ka qenë e pamundshme për shkak të mospajtimeve mes tyre, diku në fillim të majit Miftar Zyberi, një profesor dhe nismëtar i lëvizjeve politike pluraliste atë kohë, kishte marrë një nismë të shihet mundësia e takimit të dy partive bazuar në nismën e Arben Xhaferit. Miftari këtë nismë ia kishte transmetuar Prof. Havzi Mehmetit, një ndër veprimtarët e parë për themelimin e PPD-së. Pasi Havziu ma transmetoi kërkesën e Miftarit, atij iu përgjigja se një gjë e tillë është e mundëshme poqese edhe ai më shoqëron në atë takim.
Një ditë të fillimit të majit 2001, me Havziun shkuam në selinë alternative të PDSH në ndërtesën ku ishte kafeteria “Dora”. Në takim përzemërsisht na priti zv.kryetari Menduh Thaçi dhe pas një kohe të shkurtër doli nga bodrumi i ndërtesës na u bashkangjit edhe kryetari Arbën Xhaferi. Edhe pse pa dijen dhe mandatin e kryetarit Imeri në takim u morrëm vesht si vijon:
-t’i lëmë anësh zënkat e panevojshme politike dhe t’i japim përkrahje luftës,
të bëjmë koalicion të zgjeruar midis katër partive politike PPD, PDSH, VMRO- DPMNE dhe LSDM për ndaljen e luftës,
-të inicojmë pranë partive politike maqedonase dhe faktorit ndërkombëtar dialog aq të kërkuar shqiptaro-maqedonas për ndryshime kushtetuese,
-të bëjmë platformë dhe ekip të përbashkët për bisedimet e ardhshme shqiptaro- maqedonase,
Sipas modelit të Këshillit koordinues të partive politike shqiptare në ish Jugosllavi kryesuar nga Dr. Ibrahim Rugova, të bëjmë Këshill koordinues mes PPD, PDSH dhe UÇK-së që katër vitet që vijnë shqiptarët të udhëhiqen në mënyrë të koordinuar dhe të zbatojnë me disiplinë atë që do të merren vesh me palën maqedonase në bisedimet politike,
-që kryetar i Këshillit koordinues të jetë përfaqësuesi politik i UÇK-së Ali Ahmeti,
-që Këshilli koordinues të del me platformën e saj të koordinimit mes partive politike.
Pas takimit e kërkova Dr. Imerin që ta njoftojë për takimin. Edhe pse në ndërkohë dikush e kishte kuptuar se ne kemi pasur takim me udhëheqsit e PDSH (dhe e kishin nxitur mirë e mirë kryetarin se kemi bërë “punë të keqe” pse jemi takuar me Arbenin dhe Menduhin) doktori e pranoi me kënaqësi planin si një rrugë e hapjes së bashkëpunimit midis dy partive. Tepër u çudita kur disa rivalë xheloz partiakë, një javë të tërë propagandonin kundër këtij takimi, madje duke u kërcënuar se do të më përjashtojnë nga partia, dhjetë ditë më vonë i pashë duke i shkuar pas si lakej doktorit dhe duke u ulur në sallë ku ishte organizuar një drekë mes Arben Xhaferit dhe Imer Imerit dhe aktivistëve tjerë të të dy partive politike, shoqëruar nga Veton Surroi dhe Ylber Hysa, përderisa unë rija dhe pritja një diplomat në hotelin “Aleksandër Pallas” në Shkup.
I painformuar fare se çka ndodhë pasi e hëngrën drekën iu bashkangjita masës dhe aty kuptova se Vetoni dhe Hysa kishin organizuar për të nesërmen (22 maj 2001) një takim në Prizren, midis dy liderëve dhe përfaqësuesit politik të UÇK-së, Ali Ahmeti.
Për motivet e nënshkrimit të Marrëveshtjes së Prizrenit, Arben Xhaferi shprehet kështu:
…Dëgjo Petrit! – tha ai. Ti e di se qysh në fillim UÇK-ja, u etiketua si terroriste e ekstremiste dhe, ne na duhej që ta legjitimonim këtë ushtri dhe luftën e saj. Por, ne ishim në pushtet dhe presionin për mos ta njohur këtë luftë, e kishim të madh, si nga bashkësia ndërkombëtare ashtu dhe nga shteti shqiptar. Por, si shqiptar, e ndieja për detyrë që ta përkrahja e ta ndihmonim këtë luftë, pavarësisht se dukej që nuk ishte e organizuar si duhet. Me ndërhyrjen e miqve tanë nga Kosova, u takuam në Prizren, siç e di edhe ti. Unë, Aliu dhe Imer Imeri ramë dakort, që në përgjithësi, të kërkonim nga shteti maqedon, të drejtat që u ishin mohuar shqiptarëve, ato të drejta që i takojnë çdo populli…”.
Ndërkaq, ish lideri i PPD-së Imer Imeri, shprehet më ndryshe për motivin e takimit dhe për tekstin e Marrëveshjes së Prizrenit: “….. Natyrisht, subjekti politik të cilin e udhëhoqi Arbëri,i një lider me fundament, ishte një kohë të gjatë në kundërshtim me luftën. Por, me zhvillimin e luftës dhe me ndryshimin e situatës si në front edhe në fushën politike, ndoshta edhe nga presionet e jashtme të cilat unë nuk i di konkretisht, filloj të ndryshojë mendimin, sepse, po dukej që lufta do të korrte fitore. Meqënëse do të fitonte, duhej edhe të përkrahej… Deklarata e Prizrenit, ashtu siç ishte në tekst me thënë të drejtën nuk më pëlqeu, m’u duk shumë e butë, madje larg nga ato përcaktime që kishim përpara dhe unë e kundërshtova, por nuk këmbëngula, sepse nuk doja që të bëhesha shkaktar, që ky takim të dilte i pasuksesshëm, që edhe ashtu si ishte ajo deklaratë, kishte domethënien e vet, i jepte një hov luftës për shkak se krijoi një unitet me faktorin politik shqiptar…”
Ky konstatim i Imer Imerit ndoshta mund të ketë ardhur nga shkaku se ky ishte i vetmi dokument ku përfaqsues të PPD-së nuk kishin asnjë germë të shkruar dhe atij i ka ardhur si befasi sepse “… subjekti politik që e udhëhiqja unë, (përgjigjet Imeri) dispononte një potencë intelektuale dhe politike me një kuadër, i cili kishte përvojë dhe dinim, jo vetëm unë, por edhe të tjerët të bënin analizat e duhura. Prej andej, rridhte dhe insistimi im në Prizren, që deklarata të ishte më e fortë. Nëse nuk fitohej krejt nga ajo që ne propozonim të shkruhej, sigurisht do të ishte pak më shumë frytdhënëse se ajo që e nënshkruam…”, përfundon ai.
Marrëveshtja e Prizrenit shkaktoi huti te faktori ndërkombëtar, i cili në bazë të sugjerimeve të liderëve tanë politikë, kërkonte izolimin e liderëve të luftës dhe dhënien përkrahje të forcave politike legjitime, por megjithate ishte faza e parë e nismës për zgjidhje paqësore të konfliktit dhe unifikimit të faktorit ushtarak dhe politik si dhe legjitimimit të faktorit ushtarak.
Koalicioni i zgjëruar dhe fillimi i bisedimeve
Para se të bëhej takimi në “Dora”, PPD mbante qëndrimin se, lufta mund të merr fund poqese të gjitha partitë politike bashkërisht angazhohen të gjejnë zgjidhje. Për këtë, ishte e nevojshme që VMRO-DPMNE dhe PDSH të pajtohen për krijimin e një koalicioni të zgjeruar katërpartish: VMRO, PDSH, PPD dhe LSDM. Me këtë të fundit kishim rënë dakord se, konflikti nuk mund të ndalet me aksione ushtarake, por me biseda politike. Aksioni i përbashkët me LSDM ishte ta bindim komunitetin ndërkombëtar që ta bind VMRO-në dhe PDSH-në për krijimin e një Qeverie të Zgjeruar.
Pasi në takimin e përbashkët PPD-PDSH, kjo e fundit u pajtua për një gjë të tillë, atëherë Lupço Georgievskit nuk i mbeti gjë tjetër përveç se Solanës dhe Robertson-it t’ia komunikojë lajmin se, është dakord për krijimin e një Koalicioni të Zgjëruar të të katër partive më të mëdha politike: VMRO, PDSH, LSDM dhe PPD.
Koalicioni i zgjëruar u votua në Kuvend më 13 maj 2001. Unë pata preferuar postin e zavendësministrit të jashtëm edhe pse më është propozuar ai i zv.kryeministrit, dhe ashtu u bë. Pasi u votua qeveria e re e zgjëruar presidenti Trajkovski me një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të arbitrazhit për ish Jugosllavi, ish kryetarit të Gjykatës kushtetuese të Francës e juristit të mirënjohur botëror, Robert Badinter për ndihmë juridike për kërkesat shqiptare. Pas kësaj letre Robert Badinter kishte ardhur në bisedë konsultative me presidentin Trajkovski.
Sy më Sy me Badinter-in: Demokracia nga afër
Një ditë nga fillimi i qershorit mora një telefonatë nga ambasada franceze, në Shkup, për bisedë me Badinter-in, jurist i mirënjohur botëror, ish minister francez i drejtësisë, kryetar i Komisionit për shpërbërjen e Jugosllavisë, në lidhje me kërkesat shqiptare. Në rezidencën e ambasadorit francez, François Terral, patëm një bisedë njëorëshe ku e njoftova gjërë e gjatë për kërkesat shqiptare me theks të posaçëm për demokracinë konsensuale, statusin e gjuhës shqipe, statusin kushtetues të shqiptarëve, përfaqësimin proporcional dhe mbrojtjen nga majorizimi i deputetëve maqedonas si shkak i numrit të tyre dominues në parlament.

Figura 3: Takimi me Robert Badinter në Rezidencën franceze në Shkup, më 2001.
Pasi më dëgjoi me vëmendje, Badinter-i më pyeti pse insistojmë shumë në vendimarrjen me konsensus kur ai i bllokon gjërat?
Përgjigja ime ishte se për katër vite pune si deputet në kuvendin e Maqedonisë, edhe pse ishim në koalicion me një parti maqedonase LSDM-në, nuk arritëm që asnjë vendim të rëndësishëm ta harmonizojmë me partnerët e koalicionit qeveritar. Madje në kuvend partitë politike maqedonase e kanë aprovuar vetëm një amandament të PPD-së, për ujërat.
Pastaj Badinter-i më pyeti se, si PPD mendon ta zgjidhë këtë çështje?
PPD, i shpjegova unë, mendon se krijimi i një sistemi dydhomësh, si në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende tjera, do të ishte i aplikueshëm në Maqedoni. Dhoma e qytetarëve do ta pengonte majorizimin për ligje të rëndësishme që i rregullojnë marrëdhëniet ndërnacionale, investimet e barabarta në tërë republikën dhe sjelljen e buxhetit.
Këtu Badinter-i më ndërpreu dhe hypi lartë në dhomën e tij, shpejt konsultoi literaturë, zbriti dhe më tha se do t’i analizojë praktikat e shumë vendeve dhe do të del me propozim konkret.
Ky sistem i vendosjes, sot praktikohet në Maqedoni si “shumicë e Badinter-it”.

Figura 4. Drekë pune me Badenter në Rezidencën e ambasadorit francez François Terral në vitin 2001.
Të nesërmen, po në atë Rezidencë patëm një drekë pune sëbashku me Imer Imerin, Robert Badinter-in dhe ambasadorin François Terral. Pas kësaj Badinter-i u kthye në Paris dhe sërish erdhi në Shkup më 26 dhe 27 qershor, ku pati takime pune me përfaqësuesit e partive politike shqiptare. Dy ditë rradhazi në lokalet e Ambasadës franceze në Shkup Badinter-i i dëgjoi kërkesat shqiptare nga grupi i përbashkët i përbërë nga Imer Imeri, Naser Zyberi, Ismet Ramadani dhe unë (ku edhe diskutoja edhe përktheja me lutjen e Badenter-it sepse përkthyeset e papërvojë nuk e njihnin terminolgjinë politike), nga PPD-ja, si dhe Arbën Xhaferi e Menduh Thaçi nga PDSH-ja.
Në një intervistë për gazetën e njohur pariziane “Le Monde” Badinter deklaron si vijon: “…duket se nuk mund të praktikohet demokracia konsensuale, sepse konsensusi nuk zgjidh asgjë. E drejta e konsensusit e pamundëson qeverisjen e një vendi, i cili gjindet në vështirësi. Duhet të gjinden forma të reja të plotësimit të kërkesave legjitime shqiptare, thekson ai. Kjo është e mundshme nëpërmjet dimensionit të vetëqeversijes lokale, të një demokracie shumë të decentralizuar, të një demokracie nga afër…”
Në takimin e fundit, në nivel të liderëve të katër partive politike VMRO-DPMNE, LSDM, PDSH dhe PPD, ku kanë marr pjesë edhe Solana dhe Robertson-i, më 26 dhe 27 korrik 2001, palët bashkëbiseduese kanë ardhur në përfundim se një dialog politik maqedono-shqiptar pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ka qenë i pamundur. Edhepse parimisht palët janë pajtuar që bisedimet të rinisin më 28 korrik në Tetovë, ato e kanë ndruar destinacionin, për shkaqe sigurie, për në Ohër, në vilën Biljana, rezidencë e kryetarit të Republikës.
Përfaqësuesit e partive politike maqedonase i kanë hudhur poshtë këto kërkesa përderisa për përfaqsuesit e PPD-së dhe PDSH-së, platforma e ekspertëve maqedonas dhe e Badinter-it, ka qenë e papranueshme.
Më 10 korrik përfaqësuesve të partive politike në Tryezën e Trajkovskit u bashkangjiten lehtësuesi amerikan Pardew, ai i BE-së Leotar, përfaqësuesi i OSBE-së për minoritete Maks Van der Shtul dhe përfaqësuesi i NATO-s në Shkup, Peter Feith.
Më 9 korrik në orët e vona, diku kah ora 20.00, në restorantin “Uranija”, e pata ftuar në darkë familjarisht ambasadorin francez François Terral. Më vonë, përmes një telefonate dikush e vuri në dijeni ambasadorin për arritjen e lehtësuesit të BE-së, François Leotard, në Shkup, i cili ka shprehur dëshirë të na bashkangjitet në darkë. Pasi e shpreha kënaqësinë time që të jetë pjesë e tryezës, ai erdhi dhe mbeti deri vonë në mesnatë. Mes tjerash këmbyem mendime për krizën politike dhe kërkesat shqiptare. Ky takim spontan i dha lehtësuesit Léotard pasqyrë të qartë se çka ndodh dhe me cilat sfida do të ndeshet më vonë gjatë misionit të tij.
Pasi të dy palët nuk i pranuan platformat e njëri tjetrit, e me qëllim të sinkronizimit të qëndrimeve përfaqësuesit ndërkombëtarë, në ditët vijuese, ndaras bëjnë takime me ekspertë të partive politike, në bisedime dhe nga negociatorët shqiptarë arrijnë kompromisin që të hiqet dorë nga kërkesa për nënkryetar të shtetit, me të drejtë të veto-s për çështje që preknin identitetin kombëtar shqiptar si dhe për statusin e popullit konstituent të shqiptarëve. Grupin e ekspertëve të PPD dhe PDSH e përbënin : Naser Zyberi dhe Xhevdet Nasufi, ndërsa ky i fundit ishte edhe nënkryetar qeverie.
Tekstin e përmirsuar dhe të korrigjuar, të dytë, lehtësuesit ua dorëzojnë partive politike më 16 korrik 2001.
Draft versionin e fundit, mediumet maqedonase si dhe intelektualët e politizuan në paskajshmëri si problematik dhe një mbështetje e hapët e lehtësuesve Leotar dhe Perdju kërkesave shqiptare, si një dështim të platformës Badinter, mbështetur fuqishëm nga partitë politike maqedonase dhe si një mundësi shkatërrimi të shtetit. Kryeministri, Georgievski shkoi edhe më tej në kualifikimet, duke deklaruar se kjo platformë është ofruar në “stilin e kaubojve” nga ana e përfaqësuesve Leotar dhe Perdju. Kjo ka qenë data më kritike e vazhdimit të bisedimeve maqedono-shqiptare, në vitin 2001.
Shtatëmbëdhjetë vite më vonë, ambasadori Pardew boton librin e tij “Krijuesit e paqës: lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” (Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans), ku një kapitull ia përkushton edhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, si kusht për t’u arritur paqja në Maqedoni kanë qenë dy kushte: statusi plotësisht i barabartë i gjuhës shqipe me maqedonishten dhe fuksionimi i policisë lokale si dhe disa probleme sekundare, siç ka qenë edhe Preambula e Kushtetutës. Një kokëdhimbje të posaçme ka shkaktuar statusi zyrtar i gjuhës shqipe, për të cilin edhe vetë Pardew ka pasur dilema se a duhet të jetë ashtu dhe për të cilin pala maqedonase as që ka dashur të diskutojë.
Kthesa në bisedime është bërë, shkruan Pardew, (që e dëshmon edhe Imer Imeri në intervistë e që edhe ambasadori francez Terral ma pat thënë në Luksemburg), më 16 korrik 2001, në ditën e festimit të pavarësisë franceze, kur pas kritikave të ashpra drejtuar Arben Xhaferit nga ana e Pardew se, shqiptarët kanë parashtruar kërkesa joreale, ky i fundit ka pranuar të bëjë lëshime dhe pranojë pozicion më të dobët të gjuhës shqipe dhe të tërhiqet nga kërkesa për kontroll të tërësishëm të policisë lokale. “Shqiptarët pranuan draft-tekstin me të cilin shqipja bëhet gjuhë e dytë zyrtare, por jo të niveli të njëjtë. I thashë Xhaferit se, poqese më jep garanca se të gjithë liderët shqiptarë do ta pranojnë propozimin, do t’ia ofrojmë kryetarit si shansë më të mirë për marrëveshje. Disa orë më vonë Xhaferi u paraqitë me garanca… megjithatë për shqiptarët statusi i gjuhës së tyre ishte prioritet parësor…”.
Më 29 korrik 2001, liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi tentojnë ta bindin kryetarin Trajkovski që ta pranojë statusin e barabartë zyrtar të shqipes me maqedonishten si kusht për çarmatimin e UÇK-së por ai e refuzon këtë. Në mbrëmje të 29 korrikut, pala shqiptare e pranon kompromisin që GJUHA SHQIPE TË KETË STATUSIN E GJUHËS ZYRTARE, POR QË NË TEKSTIN E MARRËVESHJES MOS TË QËNDROJ SINTAGMA “GJUHA SHQIPE” (por 20%).
Më 31 korrik 2001, të dy palët e pranojnë kompromisin e gjuhës, por Georgievski kërcënon me lëshimin e bisedimeve.
Pas kësaj date më tepër angazhime kanë pasur ekspertët sesa politikanët. Leotar në intervistën e tij për Dojçe Vele (2004), në maqedonisht falenderues për ndihmë juridike i është Badinter-it të njohur, Pardew e lëvdon për talentin e saj eksperten LAUREL MIREL, e cila para se të angazhohet në Maqedoni ka punuar në Kushtetutën e Bosnjës, në Dejton e më vonë në Kushtetutën e Kosovës, por esenca është se baza themelore për Marrëveshjen ka qenë Deklarata për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni, e Grupit parlamentar të PPD- PDP-së, dokumentet e përbashkëta të PPD-së dhe Partisë Popullore dërguar OKB-së, Këshillit të Evropës dhe BE-së, e përforcuar me një pjesë të platformës së PDSH, ku parashihej krijimi i institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejta të veto-s për çështje kombëtare dhe parlamenti dydhomësh.
Marrëveshtja e Ohrit mbeti një marrëveshtje e papërfunduar sepse pas një sulmi në pritë të forcave të UÇK-së në vendin e quajtur Karpallak ndaj forcave të ARM-së ku mbetën të vrarë mbi 1o ushtarë maqedonas më 8 gusht 2001 presidenti Trajkovski u kërcënua se do ti ndërpresë bisedimet dhe do të fillojë bombardimi I fshatrave shqiptare.
Ndërkombëtarët I detyruan partitë politike ta nënshkruajnë atë që ishte arritur deri atëditë dhe me 8 gusht në vilën “Biljana “ në Ohër u parafua teksti I Marrëveshtjes kurse I njejti u nënshkrua në Shkup me 13 gusht 2001.
© 2026 Argumentum



























































