Bosna.hr
Megjithëse Amerika në të ardhmen nuk do t’a braktisë Lindjen e Afërt, gjithsesi do të duhet të tërhiqet nga roli i saj si fuqi udhëheqëse. Aleatët e saj e kanë humbur besimin, trupi zgjedhor është cfilitur. Ndërsa strategët e saj duhet të përballen me kriza gjithnjë në rritje në anë të tjera të botës. Askush nuk është i gatshëm t’a marrë këtë rol, e aq më pak shtetet arabe. Kjo paralajmëron kohë kaotike para nesh, por, parë për një periudhë afatgjatë, fundi i erës amerikane ndoshta nuk është gjë e keqe.
Kur liderët e botës u mblodhën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator të vitit 1991, dukej e padiskutueshme se hegjemonia amerikane në Lindjen e Afërt ishte në ardhje e sipër. Pentagoni sapo kishte zhvilluar një luftë të shkurtër, sëbashku me aleatë të shumtë, për të dëbuar forcat pushtuese irakene nga Kuvajti. Diplomatët amerikanë përgatiteshin për rolin kryesor në Konferencën e Madridit, bisedimet e para direkte mes Izraelit dhe grupit të fqinjëve të tij arabë. Ndërsa Bashkimi Sovjetik ishte në grahmën e fundit. Amerika dukej e gatshme të modelonte rendin e ri në këtë rajon të trazuar.
Ajo e cila erdhi më pas ishin 35 vite rrëmujë, ndërsa Amerika turrej nga një çmenduri ushtarake në tjetrën. E fundmja në këtë radhë, konflikti i Donald Trumpit me Iranin, duhej të përmbyllej për disa ditë, por shohim se ai po hyn në muajin e tetë. Ka imponuar shpenzime të mëdha për aleatët e afërt arabë të amerikanëve, si edhe pjesës tjetër të botës. Pushtetarëve të tubuar në OKB në Nju Jork në shtatorin e kaluar, Amerika nuk u dukej si zgjidhje e problemit: ajo është burimi i tyre.
Kjo do të jetë një nga pasojat e luftës, pa marrë parasysh se kur dhe si do të përfundojë. Megjithëse Amerika nuk do t’a braktisë Lindjen e Afërt, do të duhet të tërhiqet nga roli i saj si fuqi udhëheqëse. Aleatët e saj e kanë humbur besimin, trupi zgjedhor është cfilitur. Ndërsa strategët e saj duhet të përballen me kriza gjithnjë në rritje në anë të tjera të botës. Askush nuk është i gatshëm t’a marrë këtë rol, e aq më pak shtetet arabe. Kjo paralajmëron kohë kaotike para nesh, por, parë për një periudhë afatgjatë, fundi i erës amerikane ndoshta nuk është gjë e keqe.
Por tani për tani synimi është thjesht të vijë fundi i luftës. Amerika dhe Irani zhvilluan tri orë bisedime indirekte në OKB me 22 shtator, gjë për të cilën emisarët e Katarit transmetonin mesazhe mes të dyja palëve. Ishte takimi i tyre i parë që nga muaji qershor. Trumpi e quajti “shumë produktiv”. Nga ana tjetër, në fjalimin e tij para Asamblesë, përsëriti kërcënimin e tij se do ta “asgjësojë” Iranin
Në bisedime private, diplomatët nuk ishin aq entuziastë në lidhje me negociatat. Ishte vetëm nëj rast që të dyja palët të përsërisnin qëndrimet e tyre, por formati eci me vështirësi, e qëndrimet mbetën larg njëri tjetrit. Irani dëshiron që Amerika t’i kthehet “memorandumit për mirëkuptimin”, marrëveshje afatshkurër nënshkruar në muajin qeshor. Trumpi me shumë dëshirë do ta hidhte poshtë këtë memorandum, i cili duhej të ishte vetëm një marrëveshje e përkohëshme me kohëzgjatje 60 ditë, dhe të negocionte një tjetër.
Presidenti ameërikan u takua edhe me zyrtarët e shteteve të Gjirit Persik, sëbashku me Turqinë dhe katër vende arabe. Mesazhet ishin përsëri të përziera: nënvizoi se ekziston një “hendek i madh” deri te marrëveshja, por paralajmëroi se mund të bombardonte fabrikat bërthamore në Iran. Ndërkohë të dyja palët vazhdojnë luftën ekonomike. Irani ka sulmuar më sëpaku pesë tankerë në Ngushticën e Hormuzit javën e kaluar. Me 23 shtator Amerika vendosi sanksione të drejtuara kundër firmave të huaja të cilat furnizohen me karburant ose servisojnë avionët iranianë, gjë e cila praktikisht do t’ua bëjë të pamundur kompanive ajrore iraniane fluturimin në shumicën e destinacioneve.
Ndërsa lufta në Iran tërhiqet zvarrë, ajo në Jemen përshkallëzoi. Hutistët, grupi kryengritës i mbështetur nga Irani, ndëprenë armëpushimin e vitit 2022 me kundërshtarët e tyre të cilët i mbështet Arabia Saudite. Pushtuan një pjesë të bregdetit Jugperëndimor të Jemenit. Kjo u dha atyre një kontroll të fortë mbi Ngushticën e Bab el-Mandebit, kanal detar i cili lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit, ku synojnë të imponojnë bllokadë për anijet saudite.
Hutistët gjithashtu vazhduan sulmin kundër vetë Arabisë Saudite. Mbretëria saudite me 15 shtator deklaroi se ka rrëzuar një dron në afërsi të Mekës, qyteti më i shenjtë i islamit. Katër ditë më vonë, sulmi raketor i hutistëve goditi rezervoarin e karburantit në aerodromin e Riadit, gjë e cila ishte sulmi i tyre i parë kundër kryeqytetit saudit këta vitet e fundit. Më vete, milicitë irakene goditën naftësjellësin më të rëndësishëm në mbretëri, duke e nxjerrë nga funksioni për më shumë se shtatë ditë (puna vazhdoi vetëm me 22 shtator).
Megjithatë, nuk ishin këto që shkaktuan rritjen e çmimit të naftës në nivele katastrofale, gjë e cila është leva kryesore me ndihmën e së cilës Irani shpreson se do të bëjë presion ndaj Trumpi për të pranuar marrëveshjen, Çmimi i naftës së tipit Brent është rritur me 109 dollarë për barelë pas ofensivës së hutistëve dhe sulmeve kundër naftësjellësit, në mënyrë që më vonë u ul. Arriti në 102 dollarë në momentin që po shkruajmë këtë tekst. Çmimi i naftës bruto u rrit në mënyrë të tillë që për disa javë ariti në 130 dollarë për barelë. Prodhimet e rafinuara janë të rralla, ndërsa dizeli në Amerikë kushton mesatarisht 6,52 dollarë për galon, gjë e cila është nivel i lartë rekord. Por Trumpi qëndron i palëkundur, madje edhe kur çmimi i karburantit kërcënon Partinë e tij republikane me humbje të thellë në meszgjedhjet e nëntorit.
Nga ana e saj, Amerika ende shpreson se presioni ekonomik do t’a detyrojë Iranin për të bërë lëshime. Bllokada e saj dymujore ndaj qarkullimit detar iranian shkakton kaos. Duke patur parasysh se portet iraniane janë të bllokuar, Irani lufton t’a orientojë tregtinë nëpërmjet rrugëve tokësore: me qindra kamionë bllokohen në radhë të gjata shumëditore nëpër kufinj. Rijali, monedha iraniane, ka rënë në nivelet më të ulëta në histori. Inflacioni është afër numurit treshifror. Kompanitë ajrore iraniane që i kanë aterruar avionët e tyre do të çrregullojnë zinxhirët e furnizimit me ilaçe në vend.
Masoud Pezeshkian, presidenti iranian, e njohu thellësinë e krizës. Muhammad Bagher Ghalibaf, kryetari i parlamentit, ankohet për përfaqësusit e vijës së ashpër branda vendit të cilët kanë flakur tej diplomacinë. Megjithatë, si edhe Trumpi, rregjimi është i gatshëm të përballojë ende dëme. Asnjëra palë nuk është në gjendje të kthejë fatin e luftës në anën e saj.
Qëndrimi në Uashington, Teheran dhe në vendet e Gjirit Persik është se konflikti do të tërhiqet zvarrë deri në fund të vitit. Muhammad bin Salmani, trashëgimtari saudit i fronit, u tha amerikanëve të mos nguten me rikthimin në memorandum. Ai mendon se është më mirë të ruhet bllokada dhe të kërkohet një memorandum i ri. Shumica e vendeve të Gjirit ndan të njëjtin qëndrim (Katari dhe Omani bëjnë përjashtim). Irani nuk ngutet të arrijë marrëveshje e cila do të zvoglonte çmimin e naftës dhe t’i jepte vrull Trumpit para meszgjedhjeve. Analistët e bankës JPMorgan Chase kanë hequr dorë nga përpjekja për të parashikuar atë që vjen më pas. “Thjesht nuk dimë sesi do të modelohet fundi”, shkruanin me 17 shtator.
Kjo nuk është hera e parë që Amerika është zënë ngushtë në baltën e Lindjes së Afërt. Gjatë disa dekadave të kaluara ka provuar pothuajse çfarëdolloj ndërhyrjeje në rajon. Ka dërguar forca të stërmëdha tokësore për të përmbysur diktatorin në Irak, ka përdorur forcat ajrore për ta rrëzuar atë në Libi, ka armatosur kryengritësit sirianë dhe ka mbështur koalicionin e udhëhequr nga sauditët kur pati hyrë në luftë në Jemen në vitin 2015.
Disa nga këto ndërhyrje ishin të suksesshme në kuptimin e ndryshimit të regjimit, por lanë më pas kaos. Të tjerat dështuan plotësisht. Asnjëra nuk prodhoi një ecuri të dobishme për interesat amerikane. Megjithatë, pasojat ishin të kufizuara. Përmbysja e Sadam Husseinit ishte katastrofike për irakenët, të cilët hynë një një periudhë gjakderdhjeje ndërfetare. Me eleminimin e rivalit kryesor të Iranit, kjo i dha mundësi Republikës Islamike të ndërtojë ndikimin e saj në Siri dhe në Liban. Por kjo pati pak ndikim direkt të aleatët më të afërt të amerikanëve në rajon.
Kjo luftë është ndryshe. Jashtë Iranit, pasojat më të rënda i përballojnë aleatët e amerikanëve në rajonin e Gjirit Persik.
Shumica e tyre do të përjetojnë rënie të ekonomisë në vitin 2016. Kanë humbur me qindra miliardë dollarë nga humbja e shitjeve të naftës dhe gazit, nga humbja e të ardhurave nga turizmi dhe dëmet në infrastrukturë. Shpresuan se mos memorandumi do të mundësonte përmirësim dhe rikthim në biznes në çerekvitin e katërt. Në vend të kësaj diskutojnë në heshtje mbi atë nëse do të ndodhin përsëri ngjarje të mëdha, nga konferencat teknologjike de deri te garat e Fomula 1.
Jashtë Gjirit, lufta gjithashtu ka shkaktuar një shok energjetik i cili ndjehet në mbarë botën. Dhe ishte thjesht jopopullore në radhët e amerikanëve. U deshën katër vite që 60% e tyre t’a quajnë gabim invazionin në Irak. Lufta e Trumpit ka e aritur këtë kufi për më pak se katër muaj.
Të gjithë këta faktorë do t’a kufizojnë rolin e ardhshëm të Amerikës në rajon. Duke filluar nga aleatët e saj. Ata edhe më parë kanë patur mosdakordësime të ashpra. Sauditët i bënë thirrje Georg W. Bushit të mos ndërhynte në Irak në vitin 2003, ndërsa vendet e Gjirit ishin të shqetësuara kur Barack Obama i bëri thirrje Hosni Mobarakut, diktatorit egjyptian shumëvjeçar, të jepte dorëheqjen në vitin 2011 (ndoshta ka qënë i shqetësuar edhe vetë Mobaraku). Të gjithë këto diskutime ndoshta i kanë detyruar të vënë në pikëpyetje vlerësimin për Amerikën, por përshkushtueshmëria dhe aftësitë e saj nuk janë vënë kurrë në diskutim.
Pastaj erdhi Siria. Kur Obama nuk arriti të sendërtonte “vijën e kuqe” të tij kundër përdorimit të armëve kimike nga ana e Bashar al-Asadit në vitin 2013, Amerika dukej e pavendosur; kur më në fund nuk i’a arriti të përmbysë diktatorin sirian, dukej e dobët. Dyshimet u rritën akoma më pas një sërë sulmesh të cilët i mbështeste Irani kundër shteteve të Gfjirit Persik, goditje në fushat saudite të naftës në vitin 2019 dhe sulmi vdekjeprurës me dron në Adu Dabi në vitin 2022, të cilët hasën në një përgjigje të dobët. Trumpi arriti të asgjësonte edhe atë pak besim që kishte mbetur dhe i cili kishte nisur të ngizej pikërisht me atë luftën e Gjirit të cilën Amerika për një kohë të gjatë e shtynte.
Askush në Gjirin Persik nuk është i gatshëm të bisedojë për të ardhmen e bazave amerikane në rajon. “Ky nuk është absolutisht momenti për një bisedë të tillë”, thotë një prej diplomatëve. Të flasësh për mbylljen e disa bazeve, ndër të cilët shumicën i i ka goditur Irani gjatë luftës, do të bënte të dukej sikur Amerika po i braktis aleatët në një moment rreziku. Por lufta ndoshta do ta nxisë Amerikën të largohet nga mbajtja e sistemeve të mëdha dhe të përherëshme.
Për shembull, baza detare amerikane në Bahrein, ishte ndër vendet e rralla në Lindjen e Mesme ku ushtarakët mund të sillnin familjet e tyre. Ka pak shanse që ajo të rikthehet në madhështinë e saj të mëparshme, kohë në të cilën kishte 10.000 njerëz. Para luftës Katari ishte i gatshëm të shpenzonte 10 miliardë dollarë për modernizimin e Al-Udeidës, bazë jashtë Dohës e cila shërben si seli rajonale për komandën qendrore amerikane. Katari është ende i gatshëm të investojë këto para; por a e duan amerikanët një gjë të tillë, kjo mbetet e paqartë.
Zyrtarët në disa vende të Gjirit thonë se shpresojnë se do të rinegociojnë rregulla të reja mbi mënyrën sesi do të shfrytëzohen këto baza. Kanë nisur që tani të imponojnë zgjidhje ad hoc: Arabia Saudite e bëri të pamundur këmbënguljen që të hapej përsëri Ngushtica e Hormuzit kur u’a ndali avionëve amerikanë aksesin në hapësirën e tyre ajrore. Në vendet e tjera të rajonit, Amerika është tashmë në rrugën e largimit. Në pranverë përfundoi tërheqja nga bazat në Siri, ndërsa ato në Irak u zbrazën në fund të shtatorit.
Kundërshtarët e saj do të kenë çfarë të thonë. Përfytyroni skenarin më të keq: Lufta e Trumpit me Iranin shpie në një rregjim të armatosur më armë bërthamore i cili është në gjendje të vërë veton në qarkullimin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Në këtë situata Amerika do të luftonte për të mbajtur bazat në shtetet bregdetare të Gjirit Persik. Nga ana tjetër, nëse regjimi iranian bie, për këto baza Amerika do të kishte më pak nevojë: Lindja e Afërt pa Republikën Islamike do të ishte më pak armiqësore ndaj interesave amerikane.
Sido që të përfundojë lufta, Irani nuk do të jetë kërcënimi i vetëm për Amerikën. Era e saj e intervencionizmit maksimal në Lindjen e Afërt është përputhur me periudhën e paqes relative në vende të tjera. Europa kryesisht ishte në paqe; Kina ishte në rritje e sipër, ende jo aq e fortë që të sfidonte Amerikën në Pacifik. “Rikthimi drejt Azisë” të cilin e pati propozuar Obama i pari, është bërë objekt shakash në Uashington: çdo kthim do të ishte rrotullim me 360 gradë. Gjithsesi bota sot duket shumë më e rrezikshme. Vështirë se Pentagoni mund t’ia lejojë vetes të mbajë të lidhur pesë avionmbajtësit e tij në Gjirin Persik apo të shpenzojë me qindra raketa të rralla dhe të kushtueshme dule luftuar kundër Iranit.
Edhe politika e brendshme do të jetë kufizim shtesë. Që nga koha kur Lyndon Johnsoni përshkallëzoi rolin e Amerikës në Vietnam, asnjë president tjetër amerikan nuk e ka konsumuar kaq shumë rolin e tij nëpërmjet një lufte jashtë vendit. Trashëngimtarët potencialë të Trumpit me siguri do t’a mbajnë shënim një gjë të tillë. J.D. Vance, ndoshta kandidati kryesor për nominimin republikan, është skeptik i zëshëm në lidhje me luftërat në Lindjen e Mesme. Të tillë janë edhe kundërshtarët e mundshëm të tij demokratë. Shtoni këtu edhe përkeqësimin e qëndrimeve ndaj Izarelit: anketa e agjensisë Pew tregoi se 62% e amerikanëve kanë mendime negativ për qeverinë izraelite, gjë që është rritje me 19 pikë në raport me vitin 2022. Konsensusi proizraelit i cili ka ndihmuar në modelimin e politikës amerikane në Lindjen e Mesme po zbehet dalngadalë.
Por duhet shënuar se zvoglimi i pranisë nuk do të thotë tërheqje. Amerika do të ruajë interesat e saj në Lindjen e Afërt. Lufta kundër terrorizmit është një nga temat e rralla ku të gjithë bien dakord: kush shteti islamik kërcënonte Levantin, madje dhe Amerika e Irani u gjendën në të njëjtën anë. Amerika më pak e angazhuar do të vazhdojë të kryejë sulme kundër Al-Kaidës dhe grupimeve të tjera terroriste. Do të vazhdojë t’u shesë armë aleatëve, do të negociojë për marrëveshje tregtare dhe do të sponsorizojë marrëveshje për paqe. Ndihma ushtarake për Izraelin ndoshta do të vazhdojë për vite të tëra, megjithesë anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë kundër një gjëje të tillë.
Ajo që do të ndryshojë është përfytyrimi mbi Amerikën si garant rajonal për sigurinë dhe zgjidhëse e problemeve, i asaj se “mund të thërrasim Amerikën sa herë që kemi ndonjë problem”, sikurse deklaroi një zyrtar i Gjirit. Ngjarjet e kohëve të fundit në Jemen ofrojnë një pamje të asaj se çfarë do të thotë kjo. Trumpi jo vetëm që refuzoi kërkesat e shpeshta të princit Muhammed për fillimin e sulmeve ajrore mbi Jemen, por përfaqësuesit e tij në Oman biseduan me emisarët e hutistëve, të cilët premtuan se do ta respektojnë armëpushimin e vitit 2025 dhe nuk do të sulmojnë anijet amerikane në Detin e Kuq. Kjo e dyta mund të jetë thjesht një lëvizje trumpiste: është e vështirë t’i përfytyrosh presidentët e tjerë sesi lidhin marrëveshje me terroristë të damkosur. Por mosgatishëmria për t’u përzierë do t’i mbijetojë atij.
Akush jashtë rajonit nuk mund t’a mbushë këtë boshllëk. Europa është tejete dobët. Kërkesës për ndihmë nga ana e Arabisë Saudite, Britania i ofroi një tanker për furnizimin me karburant në ajër. Rusia nuk ka as mjete (është e zënë në Ukrainë) as dëshirë (u ofroi ndihmë hutistëve, vetëm për inat të Amerikës). Ajo e sheh veten si fitimtare në përmbysjet rajonalë, por kurrsesi si kandidate për përfundimin e tyre. Kina nuk ka eksperiencë me operacione serioze ushtarake jashtë kufinjve të saj.
Kjo i lë vendet e rajonit, ndër të cilët më të fortët janë tre shtete joarabe. Irani ka raketat e tij dhe forcat e ndërmjetme (proxy), ndërsa Izraeli ka ushtrinë më të aftë në Lindjen e Afërt. Në njëfarë kuptimi, ato janë të ngjashme: mjaft të fuqishme për të turbulluar rendin rajonal, por jo për t’a ndërtuar. Vendi i tretë është Turqia, fuqi ushtarake dhe diplomatike e cila është eksportues në rritje i armëve. Ajo edhe më parë ka ndërhyrë me vendosmëri në konflikte. Kryengritësit të cilët përmbysën Assadin kaluan një vit të tërë nën mbrojtjen turke; trupat turke penguan zotin e luftës i cili u përpoq të pushtonte kryeqytetin e Libisë në vitin 2019. Por, Irani, Izraeli dhe shumë vendet e arabe i shohin me dyshim turqit.
Parë në një afat të shkurtër, rajoni ndoshta do të ndahet në blloqe, në mënyrë që përkrah shteteve arabe të rreshtohen edhe disa fuqi joarabe. Stabiliteti afatgjatë do të kërkojë nga ato të nbdërmarrin rol më të madh. Në mënyrë që t’a bëjnë këtë, do t’u duhet të kenë ushtri më të forta, aleanca më të forta dhe ajo që është e realizueshme me vështirësi: bashkëpunim.
Ka shenja se ata e kanë kuptuar nevojën për ndryshim, sëpaku ato që janë të qëndrueshëm, vendet e pasura të Gjirit Persik. Marrim ushtritë e tyre. Shtetet e Gjirit e kanë kaluar tërë dekadën duke blerë pajisje të shtrenjta amerikane. Por sot nuk ishin të dobishme në luftën që u desh të bënin.
Sikur lista e dëshirave të tyre të ndryshojë, ata do të kërkojnë furnizues të rinj. Irani ka treguar vlera në programin e raketave balistike. Arabia Saudite ato nuk mund t’i blejë nga Amerika, por tashmë i ka blerë në Kinë (ndoshta i ka përdorur kundër hutistëve këtë muaj).
Të gjithë në botën arabe kanë dëshirë të blejnë dronë nga Turqia, prodhues kryesor i tyre. Më heret këtë vit Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) nënshkruan një marrëveshje afatgjatë për blerjen e dronëve ukrainas. Marrëveshja përfshin klauzolën mbi prodhimin e përbashkët: do të ndërtojnë fabrika të reja për prodhimin e tyre. Kjo përputhet me presionin në rritje, në EBA dhe gjithandej, që armët të prodhohen në vend.
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA




















































