Zv.përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Sun Lei, iu përgjigj të hënën kritikave të disa vendeve gjatë debatit të përgjithshëm të Komitetit të Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Ai tha se këto vende shpesh sillen si “mësues të të drejtave të njeriut”, ndërkohë që përballen vetë me probleme serioze në këtë fushë dhe nuk kanë të drejtë t’i japin leksione Kinës.
Sun theksoi që Kina ka vijuar të përmirësojë mirëqenien e njerëzve nëpërmjet zhvillimit, duke zhdukur varfërinë absolute dhe duke nxjerrë nga varfëria afro 100 milionë veta.
Kina po zhvillon vazhdimisht demokracinë popullore në mbarë procesin, vuri në dukje ai, duke shtuar që niveli i mbështetjes dhe kënaqësisë së publikut ndaj qeverisë kineze ka qenë mbi 90 % për shumë vjet. Duke folur për Hong-Kongun, përfaqësuesi kinez u shpreh që Ligji për Sigurinë Kombëtare shënoi kalimin nga trazirat drejt qëndrueshmërisë dhe se sistemi demokratik i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut është përmirësuar e zhvilluar.
Foto nga VCG
Sun Lei theksoi se të gjitha kombësitë në Kinë janë anëtare të barabarta të familjes së kombit kinez dhe të drejtat e banorëve të të gjitha kombësive në Xinjiang e Xizang mbrohen në mënyrë efektive. Sipas tij, hartimi dhe zbatimi i ligjit për nxitjen e unitetit dhe përparimit të kombësive synon të promovojë zhvillimin dhe mirëqenien e përbashkët të tyre.
Foto nga VCG
Kina është e gatshme të zhvillojë dialog konstruktiv me të gjitha palët për çështjet e të drejtave të njeriut, të kundërshtojë politizimin e këtyre çështjeve dhe të punojë për realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, tha ai.
Të hënën, në sesionin e 63-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, u miratua me konsensus një rezolutë e paraqitur nga Kina në emër të 47 vendeve, me temë “Ndërtimi i një mjedisi pa pengesa për të nxitur gëzimin e të drejtave të njeriut nga të gjithë”. Përfaqësuesit e Kubës, Egjiptit dhe vendeve të tjera vlerësuan nismën për promovimin e konceptit pa pengesa për të gjithë. Sipas tyre, thirrja e rezolutës për më shumë ndihmë teknike për vendet në zhvillim dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë u përgjigjet nevojave të këtyre vendeve./cgtn




















































