Nga Nertil JOLE*
Sot Korça jonë feston Ditën e saj të Çlirimit.
82 vjet më parë, populli i Korçës do të dilte masivisht rrugëve të qytetit për të brohoritur çlirimtarët dhe për të shprehur me entuziazmin legjitim gëzimin dhe krenarinë për kontributin e përbashkët për largimin e okupatorëve.
Në luftën për çlirim nga okupimi nazifashist, Korça ofroi shpirtin e saj të njohur patriotik dhe gjakun e vajzave e djemve të saj.
Ta gëzojmë përjetë Ditën e Çlirimit të Korçës!
Kjo ditë na kthen kujtesën te lufta dhe sakrificat për liri, te heronjtë dhe te simbolet që mishërojnë identitetin e qytetit tonë. Një prej tyre është Monumenti i Luftëtarit Kombëtar, aq i dashur për korçarët, të cilin ne e quajmë “Ushtari i Panjohur”.
Pikërisht pranë “Ushtarit të Panjohur”, simbolit tonë kombëtar, duhet ta kujtojmë çdo vit Çlirimin e Korçës, aty ku historia dhe kujtesa e qytetit marrin kuptimin e tyre më të plotë.
Kur Odhise Paskali realizoi shtatoren, ndoshta nuk e ka menduar se me këtë vepër kaq të bukur do t’i dhuronte Korçës simbolin e saj identifikues.
Nga viti 1933, kur u vendos për herë të parë në qytet, ai është bërë një dëshmitar i heshtur i historisë thuajse një shekullore të Korçës.
Ishte dëshmitar i kohës së Ahmet Zogut, kur Korça kishte rreth 25 mijë banorë dhe ishte një qytet i përparuar me banka, lice, shtypshkronja, studio fotografie, linjë ajrore Korçë-Tiranë dhe tregti me Selanikun e Stambollin.
Ai dëshmon edhe Demonstratën e Bukës më 21 shkurt 1936, ku morën pjesë qytetarë, punëtorë, zejtarë dhe nxënës të liceut, në një periudhë të vështirë ekonomike.
Më pas përjetoi periudhën e luftës italo-greke dhe rezistencën gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, deri në çlirimin e Korçës dhe të vendit.
Më 8 nëntor 1941, “Ushtari i Panjohur” u gjend sërish mes një demonstrate të madhe popullore, e cila u shoqërua me përleshje e të plagosur. Edhe demonstrata e 9 shtatorit 1943 ishte një nga ditët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore për qytetin tonë, ku mbetën të vrarë 59 qytetarë (shumica gra dhe vajza) dhe pati shumë të plagosur.
Në 55 vitet që pasuan, në Korçë mori hov një zhvillim i përgjithshëm. U zhvillua industria e lehtë e prodhimit, si kombinati i trikotazhit, i drurit, i sheqerit, fabrikat e qelqit dhe tullave, uzina e traktorëve, mekanika, etj. Po ashtu, në Korçë u zhvillua më mirë se çdo zonë tjetër e vendit bujqësia dhe blegtoria, me kompleksin më të madh të rritjes së gjedhit në vend dhe me Universitetin e Korçës (i dyti pas atij të Tiranës), me Institutin e Lartë Bujqësor si pjesë integrale të tij, të përqendruar në shfrytëzimin sa më produktiv të fushës së Maliqit.
Pasuroi për dekada jetën artistike me Teatrin, Filmin dhe Shkollën e Muzikës, duke formuar plejada të tëra artistësh që i dhanë qytetit tonë shumë emër, gjallëri e krenari.
Pastaj, me ardhjen e pluralizmit, “Ushtari i Panjohur” u bë dëshmitar i një periudhe të vështirë e kaotike, ku emigracioni i lartë filloi të zbrazte qytetin, duke i dobësuar njëherazi perspektivën social-ekonomike. Po ashtu, njohu ditë të zymta në periudhën e vitit të mbrapshtë 1997.
Megjithatë, Korça nuk e humbi asnjëherë fuqinë për t’u ringritur. As kujtesën e asaj që përfaqëson me historinë, kulturën dhe arsimin nuk e humbi.
Gradualisht u rikthye kujdesi dhe vëmendja e njerëzve të saj.
Korça u bë qyteti i parë model i infrastrukturës cilësore të shërbimeve utilitare, siç ishte sistemi i ri i ujësjellësit. Angazhoi profesionistë dhe kuadro të përgatitur që u përpoqën t’i rikthenin qytetit funksionalitetin, estetikën dhe energjinë komunitare.
Zbatimi i projekteve nga programi i “Rilindjes Urbane” i solli Korçës transformime pozitive, si shprehje e vëmendjes nga Kryeministri Rama.
Por edhe kjo histori suksesi, nuk e la të qetë Monumentin e Luftëtarit Kombëtar. I cenoi origjinalitetin veprës së autorit, duke e zhvendosur nga vendi ku lindi e duke i zëvendësuar rrethimin klasik e elegant të autorit me një basen të shëmtuar, i cili ngjan sot si dëshmi e modelit të gabuar të të menduarit e vepruarit.
Sikurse edhe mungesa e pajustifikueshme e dedikimit të shkruar me gërma bronzi në faqen ballore të monumentit, si shfaqje e varfërisë kulturore dhe mungesës së respektit për skulptorin e madh.
(Vendosja e kurorave apo buqetave me lule në ceremoni festash bëhet në fund të basenit, larg monumentit, duke deformuar padrejtësisht simbolikën dhe etikën.)
“Ushtari i Panjohur” është bërë dëshmitar i një realiteti të hidhur, për të cilin padyshim duhet folur hapur. Më shumë sesa për emrat e përveçëm, duhet folur për modelin që po e tkurr dhe ndrydh Korçën.
Pasoja më evidente është modeli në dukje civil, por që në fakt dhunon qytetarinë.
E kam fjalën për qytetarinë si model sjelljeje, edukate, kurajoje, shërbimi, bashkëjetese, solidariteti, antikonformizmi, kriticizmi dhe vizioni.
Fatkeqësisht, ky dimension që Korça e mishëron në fibrën e vet është zëvendësuar me sjellje arkaike, apolitike, hakmarrëse, provinciale, abuzive dhe qesharake.
Por konstatimi i fenomeneve sigurisht nuk mjafton.
Ajo që më shumë se asnjëherë ka nevojë Korça është mendësia e çliruar nga varësia gati deprimuese, për të mbrojtur këtë status quo, tashmë të pashëndetshme e të padobishme.
Megjithatë, nuk kam asnjë dyshim se “Ushtari i Panjohur” do të jetë, më herët sesa vonë, dëshmitar i një tjetër perspektive.
Është gjithmonë koha t’i dëshmojmë bashkëqytetarit tonë prej bronzi se Korça nuk është një qytet që thjesht i mbijeton kohës, por qyteti që di ta ndryshojë atë!
*Nertil Jole, ish-Prefekt i Qarkut Korçë
© 2026 Argumentum





















































