Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë si edhe zëvendespresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell shtroi një darkë jozyrtare me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, në kuader të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ky ishte takimi i dytë i tillë i organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë, pas darkës joformale në Bruksel në maj.
Përfaqësuesi i Lartë dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor patën një shkëmbim të hapur mbi situatën në rajon dhe mbi marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, gjithashtu në kuader te Samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor muajin e ardhshëm. Borrell theksoi nevojën për një angazhim të fortë si nga partnerët e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare për të kapërcyer dinamikën aktuale dhe për të çuar procesin përpara.
Në këtë takim morrën pjesë presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanovic, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidenti i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Zheljko Komshic, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Serbisë Nikola Selakovic.