Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur sot interesit të medieve në Prishtinë nëse do të zhvillojë nesër një takim me Kryeministrin Edi Rama në kuadër të turit në rajon.
Në një konferencë për mediet pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Kurti deklaroi se i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama që të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 6 korrik, kur Rama do të jetë në Prishtinë në kuadër të turit që do të zhvillojë në Ballkan.
Kurti nënvizoi se e konsideron më të rëndësishme mbledhjen e përbashkët për firmosjen e marrëveshje të lënë përgjysmë pas anulimit të mbledhjes, dhe jo takime të tjera.
“Jam në kontakt të drejtpërdrejt me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E di që do vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Është thënë se ky tur ballkanik ka të bëjë me përgatitjen e Samitit të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor. Miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që meqënëse do vijë dhe do të qëndrojë dy ditë dhe një natë në Prishtinë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm ndonëse ishte parashikuar muaj më parë, për me 14 qershor në Gjakovë. 13 marrëveshje do duhet të nënshkruheshin të cilat tashmë kanë ngelur në sirtar”, tha ai.
Në mënyrë që këto marrëveshje të nënshkruhen, Kurti tha që “unë i kam propozuar Kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona të nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar dhe t’i zbatojmë një e orë e më parë”.
Ai theksoi se Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider politik si Kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Procesin e Berlinit.
“Procesi i Berlinit, Samitin e radhës në Tiranë e ka në mes të muajit tetor. Tash jemi në fillim të korrikut. Nuk është as në mes të muajit gusht, as shtator, por tetor. Shumë mirë që bëhen këto përgatitje kaq herët, mirëpo përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi edhe më tutje në një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive. Për mua është e nevojshme ta kemi mbledhje e dy qeverive. Nëse Kryeministri Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ja kam dhënë se për takimin e ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por dhe demokracia e paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohen Kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë. Por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar pa arsye. Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera”, u shpreh Kryeministri Kurti.
Gjithashtu, Kurti ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij për zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit për çtensionimin e situatës.
“Në takimin e djeshëm me Miroslav Lajçak kemi diskutuar për de-eskalim edhe normalizim. I kam siguruar që policët që janë nëpër ndërtesa të komunave, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethinën e atyre ndërtesave. Kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri. Sepse vetëm zgjedhjet e parakohshme janë mundësia për ndërrimin e pushtetit. Duhet të caktojmë datën, veç të ketë fushatë të drejtë, të mos ketë kërcënime. Duhet përgatitje. Për ta larguar kryetarin kjo bëhet me zgjedhje. Zgjedhjet e parakohshmne janë ato që largojnë kryetarin e komunës. Zgjedhjet e parakohshme do duhet të përgatiten”, u shpreh Kurti.
Kurti theksoi se për zgjedhjet e parakohshme kërkon garanci nga ndërkombëtarët që të mos përsëritet 23 prilli.
Kryeministri Rama, sipas raportimeve në medie Kryeministri Edi Rama do të nisë një tur në Ballkan, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Turi do të zhvillohet në datat 6 korrik dhe 7 korrik, ku kryeministri do të udhëtojë drejt Beogradit, Sarajevës, Prishtinës dhe Shkupit, ndërsa do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse.
Disa ditë më parë, Kryeministri Edi Rama tha nga Ulqini se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin për të cilin lindi, për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe se tashmë liderët e Ballkanit duhet të fokusohen në këtë nismë.



























































