Këtë të dielë Albin Kurti ishte në Tiranë për të festuar fitoren e LVV në zgjedhje me aktivistët e qendrës së kësaj lëvizjeje në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë organizim festiv, Kurti u shpreh se Shqipëria e Kosova duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin, duke vënë theksin se të dy vendet duhet të jemi të vëmendshëm ndaj Serbisë.
“Mendoj se duhet të kemi kujdes sa i takon raporteve me Serbinë duke qenë se dihet se çfarë u ka bërë shqiptarëve në njërën anë dhe dihet që para 3 viteve tentoi një puç në Maqedoninë e Veriut. I dështoi. Është në interesin e Serbisë të duket sa më normale duke qenë se nuk është”.
Kreu i LVV-së tha se i takon qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë të vendosë për të hyrë në zgjedhje në Shqipëri, ose jo.
Kurti shmangu një takim me kryeministrin Rama.
“Unë jam këtu me ftesë të LVV në Republikën e Shqipërisë dhe këta e kanë autonominë e qëndrimeve dhe veprimeve. Nuk është se unë ose LVV në Kosovë e dikton një gjë të tillë. Do kthehem sonte në Kosovë por sigurisht që do ta takoj së shpejti kryeministrin e Shqipërisë”.